Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Begolli, e cila humbi më të dashurin e saj, aktorin e shquar Faruk Begolli. Në telegramin e Presidentit Sejdiu thuhet:
E nderuar familje Begolli,Pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të bashkëfamiljarit tuaj, regjisorit e aktorit të madh të Kosovës, Faruk Begolli. Ai ishte një ndër artistët më të kompletuar që i dha aq shumë skenës dhe publikut kosovar. Lajmin për vdekjen e tij e pritëm me pikëllim të thellë, por jemi të sigurt që virtytet e tij të një artisti dhe njeriu të madh, që ishin shembull, do të vazhdojnë të jetojnë te të gjithë qytetarët e Kosovës.