Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu ka marrë pjesë sot në ceremoninë e vënies së gurthemelit të objektit që do të ndërtohet në lagjen “Arbëria” në kryeqytet për nevojat e organizatës joqeveritare “Gratë për gratë”.
Drejtoresha e kësaj organizate, Hamide Latifi, pasi ka paraqitur një historik të veprimtarisë së kësaj organizate, ka falënderuar donatorët ndërkombëtarë e vendorë që kanë ndihmuar punën e organizatës. Ajo gjithashtu ka falënderuar institucionet e vendit, si dhe komunën e Prishtinës, për përkrahjen e vazhdueshme për organizatën“Gratë për gratë”.Presidenti Sejdiu, i cili ka vënë gurthemelin e ndërtesës së bashku me kryerin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafa dhe drejtoreshën e organizatës“Gratë për gratë”, Hamide Latifi, ka theksuar se kjo organizatë ka ofruar një ndihmë të madhe për një varg kategorish të popullsisë së Kosovës që kanë pasur nevojë të madhe për ndihmë.“Ka qenë mbështetje e përgjithshme edhe për ecjen e Kosovës. Në veprimtarinë që ju keni bërë, ka momente jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të dëshmuara, krahas asaj se keni qenë një kanal apo një ndihmë e drejtpërdrejtë, në shtrimin e përgjegjësisë para vetes për jetën, për ekzistencën”, theksoi Presidenti Sejdiu.