Pas njoftimit se para disa çastesh është nënshkruar Protokolli EULEX – Ministri e Brendshme e Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi lëshojnë këtë deklaratë:
Republika e Kosovës nuk është palë në aranzhmanet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë. Ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e Misionit evropian për rend dhe ligj, EULEX në Kosovë, për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës në fushat e rendit dhe ligjit është akt sovran i udhëheqjes së Republikës së pavarur të Kosovës. Edhe me këtë rast ritheksojmë përkushtimin e palëkundur të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me praninë evropiane në Kosovë dhe me institucionet e Bashkimit Evropian në drejtim të konsolidimt të mëtejmë të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e ne veçanti për të forcuar perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës ritheksojnë se kjo në asnjë mënyrë nuk do të zbehë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe në këtë kuadër të gjitha format e krimit tejkufitar. Theksojmë po ashtu se aranzhmane të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.