Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, së bashku me kryetarin e komunës së Prishtinës, dr. Isa Mustafa, përuruan sot objektin e ri shkollor në lagjen e Vreshtave në Prishtinë, një objekt modern që zgjidh problemin e mungesës së shkollës në këtë lagje dhe ofron kushte shumë të mira për zhvillimin e procesit mësimor.
Presidenti Sejdiu, pasi e përgëzoi Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Mustafa për investimin e bërë, shprehu bindjen e tij se kushtet e ofruara në këtë shkollë, që përfshin hapësirën prej 800 metra katrorë, mundësitë e tjera të zhvillimeve me kabinetet e veçanta për secilën disiplinë mësimore si dhe me një sallë të bukur për sportet, do të jenë një mundësi e mirë për nxënësit e kësaj pjese të zënë dijen e tyre, në një shkollë të standardeve më të mira bashkëkohëse.Kryetari i Prishtinës, z. Isa Mustafa pasi i përshëndeti të pranishmit, tha se vlera e objektit është 2.3 milion euro, mjete këto të siguruara nga burimet vetjake të Komunës së Prishtinës.Duke folur pas përurimit të shkollës, Presidenti Sejdiu është përgjigjur edhe në një varg interesimesh të përfaqësuesve të medieve, të cilat kishin të bënin kryesisht me protokollin EULEX-Serbi, debatin rreth të cilit institucionet e Republikës së Kosovës e kanë quajtur të mbyllur.“Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë, ne do të bashkëpunojmë me EULEX-in për të mirën e Kosovës, dhe qëndrimi ynë rreth atij dokumenti është shumë i qartë. Ne e kemi mbyllur debatin rreth tij dhe e kemi dhënë fjalën tonë, ne e kemi partner të mirë të bashkëpunimit për interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës EULEX-in, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Presidenti Sejdiu.I pyetur nëse mund të nënshkruhen edhe dy protokolle të tjera, pasi EULEX-i ka përgjegjësi për Dogana dhe Gjyqësi, Presidenti Sejdiu është përgjigjur: “EULEX-i ka pozitën e tij mbështetëse në ushtrimin e funksioneve më të mira në kuptimin e realizimit të Pakos së Presidentit Ahtisaari, atë që Kosova e ka pranuar dhe ne e konsiderojmë partner të mirë në bashkëpunim”.I pyetur ndërkaq a kërcënohet Kosova nga terrorizmi, Presidenti Sejdiu ka theksuar se Kosova është një vend me stabilitet të qëndrueshëm, një vend që zhvillon politikat e afrisë dhe të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit dhe me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Kosova mbështet të gjitha politikat e paqes dhe të stabilitetit. Ne do të vazhdojmë dhe natyrisht të gjithë që do të vinë, po e themi hipotetikisht, në kundërshtim me ligjin, do të ballafaqohen me drejtësinë”, tha Presidenti Sejdiu.