Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti sot Marigona Dragushën, e cila ditë më parë përfaqësoi Kosovën në garën prestigjioze të bukurisë “Miss Universe 2009”, që u organizua në SHBA dhe ku ajo u zgjodh shoqëruesja e dytë e Miss Universe 2009.
Presidenti Sejdiu e përgëzoi atë për rezultatin që arriti në këtë garë të rëndësishme ndërkombëtare, për prezantimin dinjitoz të bukurisë kosovare, duke shtuar se manifestime të këtilla janë një mundësi shumë e mirë e prezantimit dhe e përfaqësimit të Republikës së Kosovës.
Ai gjithashtu i uroi Marigonës sukses dhe përfaqësim të denjë edhe në manifestimet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare, ku ajo do të marrë pjesë.