presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu ua uroi nxënësve dhe mësimdhënësve fillimin e vitit të ri shkollor

Me rastin e 1 shtatorit, ditës së fillimit të viti të ri shkollor, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, uroi nxënësit dhe mësimdhënësit e vendit. Më poshtë po e japim tekstin e këtij urimi:

Të dashur nxënës dhe mësimdhënës,Nesër është 1 shtatori, dita kur nis viti i ri shkollor. Rreth 500 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në mbarë vendin, do t’u rikthehen bankave shkollore për ta vazhduar betejën e madhe për thellimin dhe nxënies e njohurive të reja.Sivjet, në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë rreth 36 mijë nxënës të klasës së parë. I përgëzoj ata në mënyrë të veçantë, duke iu dëshiruar hyrje të suksesshme në botën e madhe të dijes, të cilën po e nisin sot.Gjatë viteve më të rënda të historisë së Kosovë, në dekadën e fundit të shekullit XX, mësuesit, arsimtarët, nxënësit dhe prindërit e tyre e mbajtën me vullnet, me vetëdije dhe me atdhedashuri të pashoqe shkollën shqipe. Ata meritojnë dhe do ta kenë përherë mirënjohjen tonë për sakrificat e shumta, të cilat mundësuan që shkolla jonë të mbijetojë.  Tani, në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, është koha që shkollat tona të punojnë për ngritjen e cilësisë, në mënyrë që nxënësit tanë të pajisen me dije bashkëkohore dhe të jenë konkurrentë të denjë me bashkëmoshatarët e vet kudo në botë. Por, që të arrihet ky synim madhor, institucionet e Republikës duhet t’ua krijojnë nxënësve dhe mësimdhënësve kushtet dhe mundësitë e duhura për zhvillimin e procesit arsimor sipas standardeve më të përparuara të kohës.Me dëshirën që të keni një vit të mbarë, uroj që t’i realizoni me sukses synimet tuaja për këtë vit shkollor. Paçi fat, shëndet dhe suksese!Dr. Fatmir Sejdiu,President i Republikës së Kosovës

This site is registered on wpml.org as a development site.