08.10.2009. – “Nuk ka larje më të mirë të borxhit ndaj gjithë atyre që kanë rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin e Kosovës, sesa të punojmë mirë, të edukojmë mirë, të pajisim me njohuritë më të mira brezat e rinj”, ka theksuar sot Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, duke folur në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të shkollës fillore “Hyzriu dhe Samiu” në Letanc të Podujevës.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, kryetari i komunës së Podujevës Ilaz Pireva, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë lokalë, prindër, mësimdhënës e nxënës, të cilët do të vazhdojnë shkollimin në objektin e ri shkollor, të ndërtuar si investim i MASHT-it dhe Komunës së Podujevës dhe që mban emrat e dëshmorëve të këtij fshati Hyzri Talla e Sami Plakolli.Presidenti Sejdiu e ka quajtur si një ditë të veçantë për të gjithë inaugurimin e shkollës që mban emrin e dy djemve të lirisë, dy djemve që jetën e tyre e dhanë pa e kursyes as pikën e fundit të gjakut.“Edhe Hyzriu edhe Samiu kanë nxjerrë dhe shpalosë në identitet të plotë mësimet e mësuesve të tyre, të prindërve të tyre, të atdhetarëve të shumtë që ranë në altarin e lirisë dhe si të tillë besoj se do të jenë fanar i rëndësishëm edhe për brezat e shumtë, prandaj uroj që shkolla vërtet me krenari dhe me lavd ta mbaj këtë emër, ta mbajnë nxënësit, mësuesit dhe banorët e këtij fshati të bukur të Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu.“Nuk ka larje më të mirë të borxhit ndaj gjithë atyre që kanë rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin e Kosovës, se të punojmë mirë, të edukojmë mirë, të pajisim me njohuritë më të mira brezat e rinj, të cilët nga shkronja e parë e A-së deri në ZH-në e fundit shqipe, do të mësojnë edhe shumëçka tjetër, edhe për historinë, të mësojnë edhe për gjuhën, kulturën, muzikën, sportin, por të mësojnë që të jenë të përputhshëm me dijen që iu jepet nxënësve sot në Evropë, dhe këtë punë do të dinë ta bëjnë mësuesit tuaj sepse ua keni dhënë besimin dhe e kanë arsyetuar besimin edhe në kohët më të vështira kur të tjerët kanë dashur ta mbyllin fjalën shqip”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu.