DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dhe Ambasadori Dell vizituan Qendrën e Numërimit të Votave

14.11.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Kristofer Dell, vizituan sot Qendrën e Numërimit të Votave, ku u njohën me përgatitjet që janë bërë në këtë qendër për procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve lokale të së dielës.

Për rrjedhën e përgatitjes për funksionimin sa të mirë të QNV-së, ata i njoftoi kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta. Ajo falënderoi Presidentin Sejdiu për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe ambasadorin Dell për përkrahjen dhe sidomos për ndihmën e madhe financiare të SHBA-ve përmes IFES-it, që ka ndihmuar funksionalizimin e plotë të Qendrës për Numërimin e Votave.

“Është në përgjegjësinë tuaj drejtpërdrejt të menaxhoni mirë këtë proces deri në fund. Unë besoj se do t’ia dilni”, u shpreh Presidenti Sejdiu, në një fjalë rasti gjatë kësaj vizite.

“Nesër qytetarët e Kosovës do të dalin masivisht në zgjedhje. Do të jetë një realizim i ambicies së tyre për të zgjedhur më të mirët”, vijoi Presidenti.

Ai çmoi faktin që në zgjedhje do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e komuniteteve, duke çmuar në veçanti pjesëmarrjen në zgjedhje të përfaqësuesve të komunitetit serb.

Në fund Presidenti Sejdiu ka kërkuar punë profesionale dhe korrekte në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

“Ajo që ne dëshirojmë nga KQZ, KZAP-i, Qendra e Numërimit, nga të gjitha proceset, është që të punoni me profesionalizëm, me paanshmëri politike, të punoni me ndershmëri. Unë do të jem mbështetja juaj, sikur që kam qenë nga fillimi”, tha Presidenti Sejdiu.

Ndërsa Ambasadori Dell përkujtoi në fillim ndihmesën e madhe që SHBA kanë dhënë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai tha se SHBA, përmes IFES-it kanë ndihmuar me rreth 1 milion euro dhe kjo ka bërë që të krijohet një hapësirë në Qendrën e Numërimit të Votave që do t’ia kishin lakmi shumë vende të tjera.

Ai tha gjithashtu se nga vizita në QNV është e dukshme se janë marrë të gjitha masat parandaluese që procesi të shkojë në mënyrë të sigurt.

“Unë besoj se asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të ketë frikë të dalë nesër të votojë, sepse votimi i tyre do të bëhet në mënyrë  korrekte dhe numërimi i kësaj vote do të bëhet në mënyrë sa më të mirë”, tha Dell.

“Pasnesër bota do të shohë çka mund të bëjë Kosova për veten e vet”, theksoi Ambasadori Kristofer Dell, duke lavdëruar edhe një herë organizimin e mirë në Qendrën e Numërimit të Votave dhe i bindur në rrjedhën normale të të gjithë procesit zgjedhor.

This site is registered on wpml.org as a development site.