13.11.2009. – Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Dua t’ju falënderoj për kulturën dhe qytetarinë që keni treguar gjatë një muaji sa zgjati fushata e parë parazgjedhore që pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Po kështu, ju shpreh mirënjohjen time edhe partive politike dhe kandidatëve të pavarur për kryetarë dhe të këshilltarë komunalë, të cilët zhvilluan një garë dinamike dhe korrekte. Ndonjë incident sporadik që ka ndodhur ditëve të fundit assesi nuk e zbeh përshtypjen e mirë që është krijuar tashmë për ecurinë e deritanishme të kësaj fushate.
Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë një test i madh i demokracisë për të gjithë ne, ndaj ju thërras sërish që këtë të diel, në mënyrë masive, të dilni në vendvotime dhe të përcaktoni vetë se kush do t’ju prijë në qytetet tuaja gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Mosdalja në zgjedhje automatikisht na e heq të drejtën e kërkimit të llogaridhënies nga ata që do të marrin mandatin për të qeverisur komunat tona, andaj merrni pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm dhe me anë të votës së lirë jepni kontribut të drejtpërdrejtë për mënyrën dhe cilësinë e qeverisjes në komunën tuaj. Këto zgjedhje janë me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit tonë. Ato janë një test i rëndësishëm edhe për proceset e mëtejme të integrimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Kjo e diel duhet t’i dëshmojë botës se Kosova është vend stabil, se ajo krijon paqe e stabilitet në rajon dhe shërben si model i gatishmërisë për bashkëpunim të mirë reciprok me fqinjët e vet dhe me të gjitha vendet e tjera demokratike.Qytetarë të dashur,Institucionet lokale e qendrore të vendit mbase nuk i kanë përmbushur në tërësi pritjet dhe kërkesat tuaja, por zgjedhjet janë rasti më i mirë që ju t’i votoni kandidatët më të përgatitur dhe më të ndershëm për t’i drejtuar komunat tona në periudhën e ardhshme katërvjeçare. Prandaj, dilni në zgjedhje dhe shndërrojeni 15 nëntorin 2009 në ditë feste për komunën tuaj dhe për tërë Kosovën. Në fund, ftoj edhe një herë partitë politike, kandidatët e pavarur dhe veçmas Komisionin Qendror Zgjedhor dhe mekanizmat e tij që ta kryejnë detyrën e vet me dinjitet dhe me profesionalizëm, duke e zbatuar në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Le të jetë, pra, 15 nëntori një ditë e dëshmimit të shtetit tonë të lirë e demokratik.Urime dhe me fat!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN