DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Pacolli pritet në mënyrë madhështore nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli vizitën e parë zyrtare jashtë vendit që nga zgjedhja e tij në postin e Presidentit po e zhvillon në Republikën e Shqipërisë, me ftesë të Presidentit Bamir Topi.

Presidenti Pacolli dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron në këtë vizitë u prit në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me një ceremoni madhështore solemne, ku u ekzekutuan himnet kombëtare të të dy vendeve dhe u kalua në revistë Truproja e Nderit.

Të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë. Më pas ata drejtuan bisedimet zyrtare dypalëshe të delegacioneve shtetërore përkatëse, në të cilat u diskutuan një varg temash me rëndësi për bashkëpunimin mes të vendeve.

Në përfundim të takimi të delegacioneve, Presidenti Pacolli dhe Presidenti Topi dhanë deklarata për mediat e shumta.

Në vijim po e sjellim transkriptin e kësaj konference:

Presidenti Topi: Kam një kënaqësi të veçantë sot të jem para jush me Presidentin e ri të Kosovës, Shkëlqesinë e Tij, zotin Behgjet Pacolli, mikun tim, mikun e të gjithë shqiptarëve.

I urova edhe njëherë sukses në detyrën e tij të rëndësishme në krye të shtetit të Kosovës. Patëm bisedime mjaft të rëndësishme. Në vazhdim të asaj linje që ne kemi pasur edhe më parë, por sot në një fazë të re të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, edhe në kontekstin e rëndësishëm rajonal.

Pashë edhe njëherë te Presidenti i Kosovës një mendje të hapur me një vizion të qartë për bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me vende të tjera të rajonit, vende të cilat, prej vitesh njohin një klimë të mirë të marrëdhënieve politike, të stabilizimit të raporteve të reja politike dhe institucionale, por, për fat të keq, nuk shkojnë në sintoni me zhvillimet e pritshme ekonomike. Vendet tona kanë nevojë që të pozicionohen qartë, me ide të qarta për perspektivën ekonomike, sepse kjo është e mundshme në rajonin tonë, pak të eksploruar nga kjo pikëpamje, me një treg që kalkulohet përafërsisht me 60 milionë banorë. Duke pasur parasysh edhe ato projekte, të cilat janë shpalosur edhe më parë, por duke absorbuar edhe ide të reja, unë mendoj që e ardhmja e vendeve tona, jo vetëm që politikisht është e qartë në linjën euro-atlantike, por patjetër që e ka të nevojshme që të stimulohen raporte më intensive të komunikimit institucional për harmonizimin e standardeve të legjislacionit në përputhje me standardet evropiane, por edhe shfrytëzimin e shumë mundësive që ka edhe Shqipëria, edhe Kosova.

Temat për të cilat ne diskutuam janë tema të njohura, por ne rikonfirmuam vullnetin që Shqipëria dhe Kosova të rrisin jo vetëm dimensionin e komunikimit, por të trajtojnë edhe tema, të cilat vërtet janë shumë të ndjeshme. Përtej bashkëpunimit ekonomik dhe shfrytëzimit të resurseve të dy vendeve tona, patjetër që lindin probleme për përsosjen e standardizimit të teksteve si dhe shumë elementeve që kanë dimensione edukative, arsimore, kulturore, dhe besoj që është në interesin e institucioneve dhe në vëmendjen e njerëzve që merren në mënyrë të drejtpërdrejtë, që ta rrisin standardin e bashkëpunimit në këtë linjë.

Diskutova me Presidentin që “Rruga e Kombit”, një element infrastrukturor i jashtëzakonshëm, që ka bërë të mundur thyerjen e izolimit shekullor, të shfrytëzohet më të mirë për lëvizjen e njerëzve, por edhe për lëvizjen e mallrave. Me një element shumë simbolik, Presidenti Pacolli e konsideroi rrugën edhe si shkëmbim të ideve. Pra, rruga në vetvete jo thjesht si një element infrastrukturor fizik, por edhe një mundësi e madhe për të komunikuar me njëri-tjetrin për të gjitha aspiratat tona, qofshin këto politike, qofshin të interesave sociale, të interesave personale të gjithsecilit, ku dimensioni i lirisë duhet të jetë i shprehur në mënyrë të qartë.

I thashë Presidentit që ne kemi pasur një gëzim të madh në fund të vitit që kaloi, kur shqiptarët arritën të fitojnë të drejtën për të lëvizur të lirë. Por, së bashku me gëzimin e madh, unë kam shprehur brengën time që kjo mundësi nuk u realizua në të njëjtën kohë edhe për qytetarët e Kosovës. Në bisedë me të gjithë partnerët, në të gjitha tryezat, natyrisht ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë që kjo të bëhet e mundur sa më shpejt edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët nuk mund të mbesin të izoluar. Jam i bindur që shumë shpejt, dhe kjo është edhe në interesin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, që së bashku me popujt e tjerë të rajonit, kjo të bëhet e vlefshme edhe për qytetarët e Kosovës.

Kemi diskutuar për nevojën e vazhdimit të një tradite të re që ka lindur midis Presidentëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Kosovës për të vazhduar takimet. Iniciativë që filloi në Vlorë në vitin 2009, vazhdoi në Prizren. Jemi të ftuar nga Presidenti Ivanov i Maqedonisë që takimin e radhës ta realizojmë në Ohër dhe pas kësaj, i takon Malit të Zi. Kjo për të demonstruar dëshirën, vullnetin, për të promovuar politikat e dialogut dhe të paqes, por për të ftuar edhe të tjerët që të bëhen pjesë e këtyre takimeve.

Unë i shpreha edhe një herë Presidentit Pacolli që Shqipëria e konsideron si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal edhe me vende të tilla si Serbia, sepse jashtë çdo lloj paragjykimi, në kontekstin historik retrospektiv, ne e kemi bërë të qartë, që ndonëse me Serbinë na ndan një gjë shumë e madhe që ka të bëjë me pozicionimin për Kosovën, kjo në kontekste të reja rajonale dhe evropiane, nuk do të thotë që midis dy vendeve të mos ketë dialog politik, të mos ketë bashkëpunim në interes të vendeve, të popujve tanë dhe të paqes rajonale. Jam i bindur që edhe bisedimet që ekzistojnë midis Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen në një lloj konteksti të tillë, në respekt të sovranitetit të vendeve respektive, duke diskutuar për çështje të karakterit teknik, të rëndësishme për interesat e dy vendeve.

Unë i kam uruar zotit Pacolli suksese në detyrën e tij dhe një vlerësim për konsolidimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës, institucione, të cilat kaluan një sprovë tjetër me ndërtimin e një shteti multietnik në respekt të të drejtave të çdo qytetari të Kosovës. Padyshim, ky bashkëpunim do të jetë në të gjitha planet, në të gjitha institucionet dhe jam i bindur që bashkëpunimi ynë, kontaktet e vazhdueshme do të bëjnë të mundur që Kosova të ketë një reputacion të ri në të gjitha përpjekjet e përbashkëta që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete të tjera, për t’u afruar pikërisht në atë vizion, të cilin ne e kemi shprehur bashkarisht që Kosova, së bashku me Shqipërinë, të jetë pjesë e NATO-s në të ardhmen, që Shqipëria dhe Kosova të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Edhe njëherë, i nderuar zoti President! I nderuar mik! Është një kënaqësi e veçantë që së bashku ta demonstrojmë këtë vullnet. Mirë se keni ardhur!

Presidenti Pacolli: Vizita ime në Shqipëri ka një rëndësi shumë të madhe. Kjo bëhet në një moment shumë delikat të Kosovës. Kosova del nga një vakum i gjatë institucional. Kosova formoi qeverinë e saj, institucionet e saj. Kosova sapo e filloi punën. Kosova filloi të ballafaqohet me sfida shumë të rëndësishme. Atëherë kur qytetari i Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë për t’ia shtrirë dorën dhe për ta ndihmuar atë. Kosova ka nevojë që të punojë për krijimin e një atmosfere të volitshme ndërkombëtare, por pse jo, edhe që të përmirësojë imazhin shumë të dëmtuar me qëllim nga dikush, ose edhe nga papërgjegjshmëria e përfaqësuesve institucionalë në të kaluarën.

Zoti President, përsëri ju them edhe njëherë: Ju jemi shumë falënderues që kemi President një njeri, i cili me diturinë e tij, me urtësinë e tij, drejton Shqipërinë drejt shoqërive të civilizuara dhe arriti që ta rreshtojë Shqipërinë atje ku e ka vendin. Shqipëria u bë pjesë e NATO-s. Shqipëria u krijoi qytetarëve të vet lëvizje të lirë. Lëvizje e lirë kjo, që do të thotë shumë për ne në Kosovë. Lëvizje kjo, të cilën kosovarët e duan tani.

Ndihma juaj, që po i jepni Kosovës në këto momente, dihet nga çdo kosovar. Ju falënderojmë shumë për atë që bëtë për Kosovën, që ta mbështesni Kosovën, në mënyrë që ajo të njihet nga shumë miq ndërkombëtarë, që Kosova të afirmohet edhe më tutje si shtet i civilizuar.

Unë jam jashtëzakonisht i emocionuar që vizitën e parë e bëj mu në Shqipëri, këtu në shtetin amë, në shtetin vëlla, tek miku im. Kjo do të thotë shumë për mua dhe do të jetë sigurisht një frymëzim shumë i madh për punën time në mandatin tim. Jam i betuar që të punoj për Kosovën. Jam i betuar që të punoj për qytetarin e Kosovës. Jam i betuar që të punoj për kombin tim! Unë do të punoj më mirë, nëse kam bashkëpunëtorë, nëse kam bashkëpërkrahës dhe këtë e kam gjetur këtu tek ju, zoti President.

Kosova hyn në një fazë tjetër. Ka filluar bisedimet me Serbinë. Këto bisedime janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë politike të Kosovës. Kosova nuk mund të ketë mbi 60-65% të kufijve të saj të blinduar, të mbyllur. Sot Kosova nuk mund të vuajë nga banda kriminale, të cilat veprojnë në territorin e saj. Prandaj, Kosova ka nevojë për bisedime. Ua them edhe njëherë që Kosova ka nevojë që të bisedojë me fqinjin tonë të veriut, për arsye se humbësja më e madhe ka qenë Kosova. Kur u larguan nga Kosova, serbët morën çdo gjë me vete. Morën paratë tona, morën pensionet tona, shkatërruan fabrikat tona, vodhën fabrikat tona, prandaj jemi ne ata që u kërkojmë atyre llogari. Llogaritë nuk mund të kërkohen më sot, në kohë paqeje, me dhunë. Ne ato do t’i kërkojmë dhe do t’i arrijmë me bisedime. Nuk do të ndalemi asnjëherë që të mos të bisedojmë.

Unë ju them edhe njëherë, edhe bashkatdhetarëve të mi në Kosovë, se është e mbrapshtë ideja që të mos bisedohet. Atëherë kur armët pushojnë, edhe bisedohet. Është fakt se ne kemi shumë gjëra për të biseduar. Edhe njëherë ju garantoj, edhe juve, zoti President, edhe gjithë kombit shqiptar, edhe qytetarëve të Kosovës, se kurrë, asnjëherë nuk do të bisedohet për statusin tonë. Asnjë herë nuk do të bisedohet për integritetin tonë. Asnjë herë nuk do të bisedohet për kufijtë tanë. Prandaj çdo gjë tjetër që bisedohet do të duhet të konsiderohet si e nevojshme dhe ne i quajmë biseda që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës. Ndihma juaj qoftë ajo logjistike, qoftë ajo praktike në këto bisedime, do të jetë shumë e nevojshme, dhe besoni, zoti President, se unë nuk do të ndalem. Unë do t’ju kontaktoj për këshilla se si të veprojmë edhe më tej.

Sot, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë biseduam për intensifikimin e kontakteve tona në nivel të përfaqësuesve kryesorë të institucioneve tona dhe propozova që ne, së paku dy herë, të takohemi në nivel presidentësh, në nivel kryeministrash dhe në nivel parlamentarësh. Pse këtë? Ne e kemi hapur kufirin tonë përpara njëmbëdhjetë vjetësh. Kemi hapur kufirin tonë me forcë. Atëherë ai kufi ka qenë i blinduar. Dhe tani nuk do të na e falë askush nëse ne nuk vazhdojmë që edhe këto barriera që kanë mbetur, të mos i heqim prej rendit të ditës. Të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të ideve, të kapitalit. Së pari mes nesh. Kjo është përgjegjësia jonë, zoti President dhe këtu do të hapim derën edhe për ato shtete që duan t’i bashkohen kësaj ideje. Dhe kjo vlen për Maqedoninë, ku kemi një numër të madh, një përqindje të madhe të banorëve të saj, të cilët i përkasin kombit tonë. Po ashtu vlen edhe për Malin e Zi. Unë jam i bindur që ato janë shumë të interesuara për t’iu bashkangjitur kësaj ideje.

Folëm për Rrugën, zoti President. Unë sot erdha. Ishte një kënaqësi e madhe që atë rrugë, të cilën dikur nevojiteshin mbi dhjetë orë për t’u bërë, ne sot e bëmë në më pak se tri orë. Por më brengos fakti që ajo udhë nuk është ende e plotë. Nuk ka sa duhet lëvizje të mallrave dhe të njerëzve. Dhe ne këtë do ta bëjmë. Do ta bëjmë këtë duke formuar një treg të përbashkët, por tregu i përbashkët bëhet duke punuar që tani. Ne do të ndërmarrim që tani që të heqim doganat, tarifat doganore, që të unifikojmë dokumentacionin përcjellës të këtyre mallrave, që të bëjmë licenca të mallrave të unifikuara, po pse jo, edhe ligjvënësit tanë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë t’ia fillojnë e të bëjnë ligje të njëjta, standarde të njëjta. Dhe kjo ne do të na çojë drejt asaj që Bashkimi Evropian pret nga ne. Dhe me këtë ne nuk do të lëndojmë askënd. Ne do të respektojmë të gjitha normat, sidomos për komunitetet e tjera, por do t’i afrohemi me këtë sa më afër Bashkësisë Evropiane, atyre shoqërive ku ne synojmë.

Eksperienca juaj, rrugëtimi që ju keni bërë duke mundësuar Shqipërinë të jetë pjesë përbërëse e NATO-s. Edhe në ditët e kaluara, unë kam pasur kontakte të intensifikuara edhe me faktorë të NATO-s dhe kërkova që oficerët tanë, ushtarët tanë të shkollohen nëpër akademitë e NATO-s. Dhe një ditë pse jo, edhe kosovarët, ashtu si edhe Ushtria Shqiptare, të jenë pjesë e paqeruajtësve jashtë Kosovës, gjerësisht, jashtë Shqipërisë. Ndihma juaj këtu, zoti President, do të jetë shumë evidente. Ne dëshirojmë të jemi aty ku jeni ju. Ne dëshirojmë të rreshtohemi aty ku ju rreshtoheni, për arsye se tradita është në anën tuaj, eksperienca është në anën tuaj, dhe mbetet pothuajse një përgjegjësi e Republikës së Shqipërisë që t’ia shtrijë dorën Kosovës, aty ku Kosova ka nevojë. Këtë populli e Kosovës di ta çmojë. Ne e çmojmë këtë dhe ju falënderojmë shumë për çdo gjë që keni bërë për ne. Rruga e përbashkët ka filluar të ndërtohet. Së bashku ne do të jemi më të fortë. Së bashku do të jemi më të ditur. Ju faleminderit shumë për këtë mikpritje! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.