DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Behgjet Pacolli u prit nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Presidenti i Republikës së Kosovës, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, zhvilloi një takim edhe me Kryeministrin Sali Berisha, me të cilin diskutoi për një varg temash me interes për të dy vendet.

Në takimin e tij të parë zyrtar me Kryeministrin Berisha, që nga zgjedhja në krye të vendit, Presidenti Pacolli i përcolli fillimisht përshëndetjet e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe falënderimin e madh për gjithë atë që Shqipëria dhe Kryeministri Berisha kanë bërë dhe po bëjnë për shtetin e Kosovës.Presidenti Pacolli e njoftoi Kryeministrin Berisha me zhvillimet më të reja në vendin tonë, me krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit, me punët dhe sfidat e mëdha që i presin në të ardhmen këto institucione dhe popullin e Kosovës, në momentet e rëndësishme që po kalon vendi.Ai theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës kanë nevojë për ndihmën e vazhdueshme të Shqipërisë, për eksperiencat në rrugën e zhvillimit dhe të proceseve integruese në institucionet euroatlantike, që është një synim i përhershëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.Edhe në këtë takim, Presidenti Pacolli elaboroi idenë e tij që mes dy shteteve tona të lehtësohet edhe më tej qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe ideve. Ai gjithashtu theksoi edhe nevojën e harmonizimit të legjislacionit, si dhe të krijimit të lehtësirave për bizneset në të dy shtetet. Gjithashtu, Presidenti Pacolli theksoi nevojën e takimeve sa më të shpeshta, në nivelet më të larta shtetërore, me qëllim të caktimit të prioriteteve të bashkëpunimit dhe përcjelljes së realizimit të projekteve të përbashkëta, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.Presidenti Pacolli gjithashtu foli edhe për procesin e bisedimeve me Serbinë, duke përsëritur edhe në këtë takim se në këto bisedime asnjëherë nuk do të bisedohet për statusin e Kosovës, për integritetin territorial të saj, por për çështjet që janë në interes të lehtësimit të jetës së qytetarëve.Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, fillimisht uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të kreut të shtetit, duke u shprehur i bindur se ai do t’ia dalë me sukses të përmbushë detyrat që i dalin përpara.Duke e çmuar të rëndësishëm faktin se z.Pacolli vizitën e parë si president i Kosovës po e bën në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se kjo vizitë do të jetë një kontribut i rëndësishëm për intensifikimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.Edhe Kryeministri Sali Berisha tha se do të bëjë çkado që është e mundshme nga ana e tij për të hequr edhe ato pengesa që kanë mbetur në komunikimin mes dy vendeve, në të gjitha fushat.Ai tha se Qeveria e Shqipërisë nuk do të hezitojë të marrë të gjitha vendimet që krijojnë mjedis të lirë për shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë. Unë jam për heqjen e pengesave, për zhdukjen e tyre, shtoi z.Berisha.Kryeministri Berisha ka folur gjithashtu për bisedimet e filluara mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se statusi dhe kufijtë e Kosovës nuk do të jenë pjesë e këtyre bisedimeve.Në takimet e sotme në Tiranë, Presidenti Pacolli është shoqëruar nga ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Blerand Stavileci, si dhe nga bashkëpunëtorët e tij. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.