Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli mori pjesë sot në ceremoninë vjetore të KFOR-it, organizuar në Prishtinë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në vend, përfaqësues të misioneve diplomatike, udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë.
Në këtë ceremoni, Presidenti Pacolli mbajti një fjalim, të cilën po e sjellim në vijim: Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,I nderuari komandant i KFOR-it, gjenerali Buhler,Të nderuar ambasadorë,Të nderuar të pranishëm, Jam shumë i nderuar që kam mundësinë, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës, të shtetit mikpritës të KFOR-it, t’ju përshëndes juve në këtë ceremoni vjetore. KFOR-i është një miks i shkëlqyer trupash nga shumë vende të NATO-s, vende mike të Kosovës dhe vende të tjera, të cilët unë dua t’i përshëndes, duke filluar nga oficerët e deri te ushtarët dhe njëkohësisht të përshëndes edhe popujt dhe shtetet prej nga vijnë këta ushtarë të vyeshëm, këta ushtarë dhe oficerë të dashur. KFOR-i është një eksperiencë unike e NATO-s, në një vend jashtë NATO-s, siç është Kosova. Edhe ky është një fakt që unë dua ta potencoj në këtë mbrëmje, me një mirënjohje dhe falënderim nga zemra. Kur shohim mëdyshjet e Perëndimit për të ndërhyrë në vatrat e tjera të krizës në botë, në rastin siç ishte ky i Kosovës, ne kemi më shumë arsye për të qenë edhe me tepër mirënjohës. Përpara tragjedisë së shqiptarëve, të popullit tim, ju nuk hezituat dhe erdhët e çliruat Kosovën. Kosovarët u bënë popull i lirë. Kosovarët nuk e harrojnë këtë. Kosovarët ju falënderojnë për këtë dhe do të jenë gjithmonë falënderues. Faleminderit shumë juve të gjithëve, që keni lënë familjet e juaja, keni lënë një jetë sigurisht më të mirë nëpër vendet e juaja, dhe keni ardhur që ditët më të bukura të rinisë suaj, të kohës suaj, t’i kaloni bashkë me ne, duke u bërë pjesë e hapave tanë. Ju garantoj se kosovarët dinë ta shpërblejnë këtë. Ata asnjëherë nuk do ta harrojnë. Ne ju jemi mirënjohës dhe ju jeni mysafirët tanë, në tokën tonë. Ju e dini kultin që ka populli ynë për miqtë e vet. Populli i Kosovës ju do dhe ju respekton. Ju faleminderit gjeneral Buhler, juve dhe trupave tuaja, për mbështetjen që jeni duke i dhënë Kosovës. Kosova edhe më tutje ka nevojë për ndihmën e juaj, ka nevojë për ju, ka nevojë për eksperiencën e juaj. Kosova bashkë me ju do të vazhdojë përgatitjet dhe po përgatitet në rrugëtim për të hyrë në shtëpinë në të cilën ju gjendeni sot, në NATO. Aty është destinacioni ynë i ardhshëm dhe ne një ditë duam që t’u kontribuojmë popujve dhe shteteve që janë të ngjashme me ne. Ne borxhin do t’ua kthejmë.