presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti: Heroizmi i Sali Çekajt do të mbetet inspirim dhe krenari për brezat e rinj

Prishtinë, 19 prill 2018 – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për 19 vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj.

Presidenti Thaçi ka thënë se po kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e një bashkëluftëtari dhe bashkatdhetari, që tërë energjitë morale, intelektuale dhe fizike i vuri në shërbim të atdheut.“Sali Çekaj që në vitin 1981 ishte renditur aty ku duhej, me lëvizjen studentore, që fuqishëm i bashkoi gjithë qytetarët e Kosovës rreth kërkesës për ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të Republikës. Viti 1981 shënoi kthesën e madhe politike, duke e bërë të qartë rreshtimin për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe çlirimit nga Jugosllavia komuniste, përkatësisht nga administrimi i Beogradit. Si kuadër me vokacion prej juristi, Sali Çekaj është ndër të parët që hartoi statusin e Komunës së Deçanit, duke implementuar konkretisht parimet e Kushtetutës së Kaçanikut. Si shumë veprimtarë, edhe Sali Çekaj pati fatin e njeriut të përndjekur nga policia serbe, prandaj detyrohet të qëndrojë jashtë Kosovës. Edhe si emigrant, Sali Çekaj luajti rolin bashkues në mesin e diasporës shqiptare në Perëndim. Si profesionist, ai e donte drejtësinë, por gjithashtu e dinte se liria ishte kushti themelor i çdo drejtësie”, u shpreh presidenti Thaçi.Me të filluar lufta për çlirimin e Kosovës, presidenti Thaçi tha se Sali Çekaj bashkë me kuadro të tjera oficerësh, me ndërgjegje të lartë dhe profesionalizëm, iu përgjigj momentit historik.“Sali Çekaj iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke i dhënë impuls të ri, energji dhe profesionalizëm. Prandaj, ai ishte sintezë e intelektualit dhe guerilit, juristit dhe ushtarakut, luftëtarit dhe prijësit në luftë për liri. Tërë këto cilësi ai i dëshmoi në beteja”, shtoi presidenti Thaçi.Kreu i shtetit theksoi se Sali Çekaj mbolli guxim e shpresë në terrene lufte dhe me nder e barti nofkën luftarake “Veterani”.Komandantët Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, sipas presidentit Thaçi, janë dëshmia më e mirë se lufta për liri krijon tipin e luftëtarit që është i gatshëm për sakrificë supreme.“Ata, nga komandantë u bënë prijës. Nga prijës, heronj. Ne, sot krenohemi me emrin dhe veprën e tyre. Ashtu siç krenohemi me secilin prej dëshmorëve”, u shpreh presidenti Thaçi.Presidenti i vendit theksoi se në kujtesën tonë institucionale e kolektive, heroizmi i Sali Çekajt dhe luftëtarëve të tjerë, do të mbetet inspirim dhe krenari për brezat që vijnë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.