DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentes Atifete Jahjaga priti Presidentin e Panamasë, Ricardo Martinelli

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Panamasë, zotëri Ricardo Martinelli, në shoqërim të të cilit ishin edhe ministri i jashtëm i Panamasë, zotëri Francisco Alvarez de Soto, dhe ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, zotëri Ricardo Quijano. Presidenti Martinelli po qëndron në Kosovë me ftesë të Presidentes Jahjaga dhe u prit me nderime të larta shtetërore.

Gjatë takimit të përzemërt dhe të ngrohtë, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Martinelli biseduan për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, të investimeve të huaja, për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe për shtimin e njohjeve për Kosovën nga rajoni i Amerikës Qendrore dhe Jugore.
 
Presidentja Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje Presidentit Martinelli, tha se Kosova dhe Panamaja po ndërtojnë marrëdhënie shumë të mira ndërmjet vete dhe se zgjerimi i bashkëpunimit është i nevojshëm posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik. Ajo tha se ndihma e Panamasë në procesin e njohjeve të reja në rajonin e Amerikës Latine është shumë e nevojshme dhe do të ndihmojë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe pozitën ndërkombëtare të saj.
 
Presidenti i Panamasë, zotëri Ricardo Martinelli, duke e falënderuar Presidenten Jahjaga për mikpritjen, theksoi se vendi i tij do të ndihmojë Kosovën në proceset e saj demokratike dhe në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të saj. Presidenti Martinelli njoftoi që e ka përfshirë Kosovën në listën e vendeve miqësore për udhëtim pa viza dhe për mundësinë e punës për qytetarët e Kosovës. Ai tha se Panamaja është e interesuar që të lidhë marrëdhënie të fuqishme me Republikën e Kosovës, posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve.
 
Presidenti Martinelli po qëndron në Kosovë vetëm pak muaj pas vizitës zyrtare të Presidentes Jahjaga në Panama.
 
Të dy presidentët pas takimit bilateral dhanë deklaratë për media. Në vazhdim po e publikojmë të plotë deklaratën e Presidentes Jahjaga:
 
I dëshiroj mirëseardhje Presidentit Martinelli dhe gjithë delegacionit të vendit mik të Panamasë në Republikën e Kosovës. Kjo është vizita e parë zyrtare e një Presidenti të Panamasë në Republikën e Kosovës me ftesën time dhe ka për qëllim fuqizimin, zgjerimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe popujve tanë.
 
Vizita e Presidentit Martinelli në Kosovë po bëhet pak muaj pas qëndrimit tim në Panama, ku më është ofruar një mikpritje e ngrohtë dhe e jashtëzakonshme nga populli i Panamasë.
 
Me Presidentin Martinelli patëm një bisedë jashtëzakonisht miqësore dhe të frytshme për të vazhduar angazhimin tonë për përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona në fusha të ndryshme, të cilat janë të interesit të përbashkët. Në mënyrë të veçantë, me Presidentin Martinelli biseduam për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar ndërmjet dy vendeve tona, duke theksuar nevojën e veçantë për krijimin e klimës për investime në Kosovë, si dhe për ndihmën e Panamasë në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës nga vendet e tjera, veçanërisht në pjesën e Amerikës Qendrore dhe Amerikës Jugore.
 
E njoftova Presidentin Martinelli me përparimin që kemi arritur në Kosovë në procesin e shtetndërtimit dhe të konsolidimit demokratik, në krijimin e një shteti gjithëpërfshirës me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim. Republika e Kosovës është vend që po ndërton të ardhmen e saj mbi parimet e fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit dhe është shndërruar në një vend që garanton sigurinë, paqen dhe stabilitetin, jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë.
 
E falënderova Presidentin Martinelli për lidershipin e tij dhe për mbështetjen e popullit të Panamasë për Kosovën. President Martinelli, jeni një mik jashtëzakonisht për popullin dhe për shtetin e Kosovës, duke u bërë partner i fuqishëm i Republikës së Kosovës në Amerikën Qendrore dhe Jugore, për ndihmën që po japin në procesin e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke ndikuar në mënyrë të vazhdueshme te vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore që të pranohet ky realitet i shtetit tonë dhe që të lobohet më tutje për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
 
Republika e Kosovës synon anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në OKB, dhe ndihma e Panamasë është jashtëzakonisht e nevojshme.  
 
Me Presidentin Martinelli u pajtuam se ekziston një hapësirë e madhe për bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve tona dhe njëkohësisht e njoftova Presidentin me përpjekjet që kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrim në fushën e reformave për lehtësimin e investimeve të huaja në vendin tonë.
 
Ne gjithashtu u pajtuam që të vazhdojmë fuqizimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Ne presim që ta konkretizojmë atë përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve në fushën ekonomike, kulturore, arsimore dhe në fushën e investimeve. Ne tashmë kemi nënshkruar dy marrëveshje mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadorit jorezident të Panamasë për Republikën e Kosovës.
 
Kosova dhe Panamaja janë dy vende mike. Panamaja është një ndër shtetet e para të Amerikës Qendrore dhe Jugore që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa Kosova ka hapur në Panama një ndër ambasadat e para në këtë pjesë Amerikës. Ne kemi vlera të përbashkëta demokratike, edhe pse jemi fizikisht larg. Ne shohim shumë ura të bashkëpunimit midis dy vendeve tona. U pajtuam që, përveç procesit të liberalizimit të vizave, të kemi edhe përparësi të tjera që kanë të bëjnë me lejet e punës për qytetarët e Republikës së Kosovës.
 
President Martinelli, edhe njëherë faleminderit për vizitën. Kosova do të jetë një mik dhe partner i fuqishëm i Panamasë në Evropën Juglindore.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.