DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Përmbyllet procesi i intervistimit të kandidatëve për Auditor të Përgjithshëm

Komisioni përzgjedhës për shqyrtimin, vlerësimin dhe intervistimin e kandidatëve potencial, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, ekspertë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, i krijuar me vendim të Presidentes së Republikës së Kosovës, ka përmbyllur procesin e intervistimit të kandidatëve për Auditor të Përgjithshëm.

Nga njëmbëdhjetë (11) kandidatët që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkursin për Auditor të Përgjithshëm, Komisioni Profesional ka përzgjedhur tre (3) kandidatë të cilët i janë propozuar Presidentes së Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga, brenda pak ditësh, bazuar në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore si dhe në rekomandimin e Komisionit Profesional, do t’ia propozojë Kuvendit të Kosovës kandidatin për Auditor të Përgjithshëm. Në konkursin e hapur për Auditor të Përgjithshëm fillimisht janë paraqitur 25 kandidatë, nga të cilët 11 kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara me konkurs. Komisioni Profesional, gjatë gjithë procesit, ka shqyrtuar edhe ankesat e paraqitura nga një numër aplikuesish dhe ka vendosur në përputhje me kriteret e përcaktuara dhe konform ligjit. Komisioni profesional, i krijuar me vendim të Presidentes Jahjaga, ishte në përbërje të një profesori të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, përfaqësuesit të Bankës Qendrore të Kosovës, përfaqësuesit të Administratës së Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit të Administratës së Zyrës së Presidentes, përfaqësuesit të shoqërisë civile dhe nga dy vëzhgues: përfaqësuesit të Sindikatës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë Konkursi për Auditor të Përgjithshëm u hap me qëllim të ofrimit të mundësive të gjithë të interesuarve që plotësojnë kushtet dhe kriteret, të mbështetura në ligj dhe të harmonizuara me rekomandimet e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe me të gjitha palët e përfshira, dhe i gjithë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka qenë transparent dhe i hapur. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.