presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Parlamenti i Kosovës zgjedh Vjosa Osmanin si Presidente të Kosovës

PRISHTINË – Parlamenti i Kosovës ka emëruar një profesoreshë 38 vjeçare të juridikut të arsimuar në SHBA dhe kandidate të partisë qeverisëse Vetëvendosje si presidente të re të vendit, pas zgjedhjeve të muajit shkurt.

Vjosa Osmani mori detyrën e presidentes së Kosovës në nëntorin e kaluar kur paraardhësi i saj, Hashim Thaçi, dha dorëheqjen para procesit gjyqësor ndaj tij për krime lufte në Holandë.

Mandati fillestar i Osmanit skadoi kur qeveria e re e Kryeministrit Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes, mori pushtetin pas zgjedhjeve të datës 14 shkurt.

Të dielën parlamenti me 120 ulëse votoi pro emërimit të presidentes Osmani me 71 vota.

Partitë e opozitës dhe mbikëqyrësit e shoqërisë civile kanë kritikuar emërimin e saj, duke thënë se të kesh një presidente, kryeministër dhe kryetar të parlamentit të gjithë nga e njëjta parti nuk është e mirëpritur në një vend me një demokraci të brishtë.

Osmani përfaqëson një lloj rinie kosovare më të njohur me jetën në perëndim dhe të frustruar me nepotizmin dhe joefektivitetin e partive tradicionale të vendit.

Në një fjalim, Osmani bëri thirrje për një dialog që synon normalizimin e lidhjeve me Serbinë por tha se Beogradi së pari duhet të kërkojë falje dhe të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-99 që çuan përfundimisht në pavarësimin e Kosovës në vitin 2008.

“Paqja do të arrihet vetëm kur shohim pendim dhe kërkim falje nga Serbia dhe kur shohim drejtësi për ata që kanë vuajtur nga krimet e tyre,” tha Osmani.

Deri në shtatorin e kaluar, Osmani ishte zyrtare e lartë e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilën e la për t’i bashkuar forcat me Kurtin. Ajo nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje por ajo garoi në listën e tyre në zgjedhjet e muajit shkurt.

Ajo është e martuar dhe ka dy vajza.
 
Ish- Presidenti Thaçi, një hero i kohës së luftës që u kthye në politikan, është në Hagë në pritje të gjyqit para gjykatës së krimeve të luftës në Kosovë me bazë në Holandë. Ai ka mohuar aktakuzat kundër tij.
 
Artikulli nga Reuters
https://www.reuters.com/article/us-kosovo-president-idUSKBN2BR0N2

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.