Presidentja Osmani priti në takim Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, Gjeneralmajor Stephen Osborn

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Komandantin e Gardës Kombëtare të shtetit amerikan të Iowas, Gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, si dhe për planet e ardhshme të thellimit të këtij partneriteti strategjik. “Aleanca me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, e fuqizon shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje dhe vlerësim të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Garda e Iowas i ka dhënë FSK-së në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve operacionale, të cilat u demonstruan me sukses gjatë ushtrimit të përbashkët ndërkombëtar “Defender Europe 2025”. Ajo veçoi faktin se këtë vit, në kuadër të këtij ushtrimi, Kosova pati nderin të mirëpresë Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, dhe se pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Iowas ishin pjesë aktive e forcës së përbashkët që veproi në territorin e Kosovës. Në takim, Presidentja Osmani, gjithashtu shprehu falënderim të sinqertë dhe vlerësim të thellë për mundësinë që iu dha një kontingjenti të FSK-së për të kryer stërvitje të përbashkëta në Qendrën e Trajnimit për Gatishmëri të Përbashkët në Louisiana, së bashku me pjesëtarët e Gardës së Iowas dhe forcave tjera aleate amerikane.

Presidentja Osmani përfundoi konsultimet me partitë politike, data e zgjedhjeve lokale caktohet ditëve në vijim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Presidentja: DEFENDER Europe 2025, është dëshmi se Kosova është e përkushtuar, e aftë dhe e gatshme të qëndrojë krah për krah me SHBA-në dhe NATO-n

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot në Babaj të Bokës, në zemër të DEFENDER Europe 2025, ndjeva krenarinë që vetëm ushtria e Kosovës mund ta japë. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot në Babaj të Bokës, në zemër të DEFENDER Europe 2025, ndjeva krenarinë që vetëm ushtria e Kosovës mund ta japë. Si Komandante Supreme, pata nderin t’i falenderoj dhe përgëzoj forcat tona për rezultatin e arritur, si dhe aleatët tanë të pathyeshëm, sidomos Divizionin e 28-të të Ushtrisë Amerikane, i cili po e drejton këtë ushtrim historik. Ky ushtrim është dëshmi se Kosova është e përkushtuar, e aftë dhe e gatshme të qëndrojë krah për krah me SHBA-në dhe NATO-n. FSK është krenaria jonë, Aleanca është forca jonë! E ardhmja jonë është euroatlantike!

Presidentja Osmani: Në Prishtinë, zëri për paqe, siguri dhe drejtësi vazhdon të kumbojë fuqishëm!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se me mbi 1000 pjesëmarrës nga më shumë se 45 shtete dhe nga të gjitha kontinentet, Kosova është shndërruar këto dy ditë në zemrën e diplomacisë globale – në një vend ku ngrihet zëri për ata që nuk mund të flasin vetë. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Prishtinë, zëri për paqe, siguri dhe drejtësi vazhdon të kumbojë fuqishëm! Dita e dytë e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë sjell diskutime të shumta globale nga pjesëmarrës nga e gjithë bota mbi çështjet urgjente që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve – viktimat më të pafajshme të çdo konflikti. Me mbi 1000 pjesëmarrës nga më shumë se 45 shtete dhe nga të gjitha kontinentet, Kosova është shndërruar këto dy ditë në zemrën e diplomacisë globale – në një vend ku ngrihet zëri për ata që nuk mund të flasin vetë.

Presidentja Osmani nderohet me Medaljen për Shërbim Besnik dhe Meritor ndaj Atdheut nga Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, është nderuar me medaljen prestigjioze “Faithful and Meritorious Medal for Service to Country” (Medalja për Shërbim Besnik dhe Meritor ndaj Vendit) nga Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Sir Dr. Rodney Williams, sipas autorizimit nga Mbreti Charles III. Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbuda deklaroi se kjo medalje e lartë shtetërore i është ndarë Presidentes Osmani në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e saj të guximshëm, kontributin e jashtëzakonshëm për paqen, demokracinë dhe avancimin e rolit të grave në udhëheqje, si dhe për përkushtimin e saj të palëkundur në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në fjalimin e tij të posaçëm gjatë darkës së organizuar mbrëmë për zyrtarët e lartë të shteteve pjesëmarrëse në Forumin për Gratë Paqen dhe Sigurinë, Guvernatori i Përgjithshëm Sir Rodney Williams e cilësoi Presidenten Osmani “shembull frymëzues i udhëheqjes bashkëkohore dhe një zë i palëkundur për drejtësinë dhe barazinë në skenën ndërkombëtare”. Ai theksoi se: “vizioni dhe integriteti i Presidentes Osmani kanë kaluar kufijtë e shtetit të saj, duke prekur zemrat dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve në të gjithë botën, sidomos grave dhe vajzave”. Presidentja Osmani e cilësoi këtë dekoratë si një nder të jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Kjo dekoratë është për popullin tim, i cili ka qëndruar gjithmonë me dinjitet dhe vendosmëri në mbrojtje të lirisë”, ka deklaruar Presidentja Osmani gjatë pranimit të Medaljes. Medalja Zyrtare e Shquar për Shërbim Besnik dhe të Merituar ndaj Atdheut, përfaqëson një nga dekoratat më të larta shtetërore të Antigua dhe Barbuda, që u jepet personaliteteve me merita të veçanta në shërbim të vendit të tyre dhe me ndikim të dukshëm në përparimin e vlerave universale.

Presidentja: Venesa, Zijada, Armira, Arbenita dhe Kaoni janë mishërimi i rezistencës dhe qëndrueshmërisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Venesa, Zijada, Armira, Arbenita dhe Kaoni janë mishërimi i rezistencës dhe qëndrueshmërisë. Sipas Presidentes, janë dëshmi se edhe nga plagët më të thella të luftës, mund të lindë shpresa, forca dhe vizioni për të ardhmen. Presidentja Osmani ka shkruar: Venesa, Zijada, Armira, Arbenita dhe Kaoni janë mishërimi i rezistencës dhe qëndrueshmërisë. Janë dëshmi se edhe nga plagët më të thella të luftës, mund të lindë shpresa, forca dhe vizioni për të ardhmen. Ata janë frymëzim për mënyrën se si popujt, si ai i Kosovës dhe i Bosnjës, mund të ringrihen nga hiri i luftës – më të bashkuar, më të vendosur dhe më të fuqishëm. Çdo rrëfim i tyre – nga përjetimi dhe mbijetesa e tmerrit të luftës, deri tek shndërrimi i atyre plagëve në angazhim e forcë për paqe e drejtësi – është thirrje për të mos harruar dhe për të vazhduar përpara, me dinjitet dhe guxim.

Presidentja Osmani krahas delegacioneve të larta ka pritur në takime të ndara edhe përfaqësues të shumtë shtetëror

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani krahas delegacioneve të larta ka pritur në takime të ndara edhe përfaqësues të shumtë shtetëror. “Krahas delegacioneve të larta në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Prishtinë, pata kënaqësinë që në takime të ndara të mirëpres e të bisedoj me përfaqësuesit shtetëror nga: Çadi, Tajlanda, Republika Domenikane, Shqipëria, Gjermania dhe Kanada”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, mirëpriti mysafirë nga mbarë bota në Kosovë

Presidentes iu bashkuan me mesazhe po aq frymëzuese Shkëlqesia e Tij, Sir Rodney Williams, Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, dhe Lartësia e Saj Mbretërore, Madhëria Maria Teresa e Luksemburgut, dhe shumë përfaqësues të tjerë shtetesh duke theksuar rëndësinë e përbashkët globale të agjendës për Gratë, Paqja dhe Siguria.

Presidentja Osmani takoi Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Presidentja Osmani ka shkruar: Kënaqësi ta mirëpres sot Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Bashkë, diskutuam rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve tona simotra.

This site is registered on wpml.org as a development site.