Presidentja Osmani priti në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, z. Riho Terras

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Z. Riho Terras. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç`rast Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore. Presidentja Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë. Sipas Presidentes Osmani, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave. Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave. Gjatë takimit, Presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe.

Reagim ndaj një fotografie të manipuluar (fake)

Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja. Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare. Përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm. Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe janë pjesë e një fushate të mirë-organizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës. Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i shtetësisë, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës dhe asnjë foto e rreme nuk mund ta zbehë këtë. U bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit. Përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.

Presidentja Osmani priti Presidentin e Hungarisë, Tamás Sulyok

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Zotërinë e Parë Prindon Sadriu kanë pritur sot Presidentin e Hungarisë, Tamás Sulyok, së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot për herë të parë, qëndroi për vizitë pune në Kosovë, Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy. Së bashku me Prindonin i mirëpritëm në Presidencë dhe shprehëm synimin që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të rritet në çdo drejtim. Në takimin bilateral me Presidentin Sulyok përsërita se mbështetja e Hungarisë për heqjen e masave të padrejta të BE-së, është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i vendit tonë është në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian.

Presidentja Osmani: Një ditë e mbushur me energji, kreativitet dhe frymëzim në Gjilan!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka vizituar komunën e Gjilanit. Presidentja Osmani ka shkruar: Një ditë e mbushur me energji, kreativitet dhe frymëzim në Gjilan! Urova Kryetarin Alban Hyseni për mandatin e tij të dytë dhe bashkëbiseduam për projektet që do t’i japin qytetit më shumë zhvillim dhe mundësi të reja. Së bashku kaluam çaste të paharrueshme në Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, me disa performanca frymëzuese nga Kori i grave ‘Muza’, si dhe në mesin e më të vegjëlve e më të ëmbëlve, në kopshtin IP “Integj”. Po ashtu, dëgjuam për sukseset e kompanisë InterPLAST TROCAL, si lidere në rajon dhe një shembull i shkëlqyer i punës së mirë, inovacionit dhe vizionit që e çojnë shtetin tonë përpara. Vizituam edhe klubin e futbollit “Drita”, të cilët i përgëzova për rezultatet në nivel shtetëror, e posaçërisht në garat evropiane, në të cilat po na bëjnë krenarë të gjithëve. Faleminderit Gjilan!

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Franceze në Kosovë, z. Olivier Guérot. Në takimi u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor. Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull. Në takim u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, përfshirë komunave në veri të vendit, proces ky që u realizua sot. Presidentja theksoi urgjencën e heqjes së masave të BE-së të cilat padrejtësisht e pa asnjë arsye janë ende në fuqi dhe po dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim. Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e partneritetit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Francës. Në takim u diskutua edhe për çështje të tjera të interesit të ndërsjellë.

Presidentja Osmani priti në takim kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z. Kreshnik Radoniqi. Gjatë takimit, Kryesuesi Radoniqi e njoftoi Presidenten Osmani mbi ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 dhe përmbushjen e detyrave organizative që po zhvillohen nga KQZ-ja. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e garantimit të një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe nënvizoi gatishmërinë institucionale për të mbështetur çdo hap që siguron integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve.

Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipati

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, znj. Anu Prattipati. Në takimi u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor. Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull. Në takim u diskutua edhe për seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA mbi zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, si dhe u trajtuan gjithashtu edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral. Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Republikës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani vizitoi fëmijët e mrekullueshëm të Down Syndrome Kosova në Ferizaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka vizituar fëmijët e mrekullueshëm të Down Syndrome Kosova në Ferizaj. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot vizitova edhe fëmijët e mrekullueshëm të Down Syndrome Kosova në Ferizaj, të cilët me buzëqeshjet dhe shpirtin e pastër na kujtojnë se dashuria dhe humaniteti janë forca më e madhe që kemi. Në Ditën Botërore të personave me nevoja të veçanta, shprehim mirënjohje të thellë për prindërit, mësuesit dhe stafin që çdo ditë krijojnë një hapësirë të sigurt, të ngrohtë dhe mbështetëse për ta.

Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor. Presidentja ritheksoi rëndësinë që edhe këto zgjedhje të mbahen sipas standardeve më të larta demokratike, në të cilat Kosova tashmë është shembull. Po ashtu, në takim u diskutua edhe për hapat konkret drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e interesit të përbashkët, respektivisht atë të mbrojtjes, sigurisë, si dhe ekonomisë e tregtisë, për ç’gjë ishin dakorduar gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë në prill të këtij viti. Tutje, ajo shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme britanike për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Presidentja Osmani: Fuqia më e madhe është humaniteti

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Presidentja e Republikës së Kosovës ka vizituar shoqatën Handikos, në Ferizaj. Presidentja Osmani ka shkruar: Fuqia më e madhe është humaniteti. Në Handikos, në Ferizaj, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, takova njerëz që me forcën, vullnetin dhe shpirtin e tyre të madh na mësojnë çfarë do të thotë guximi. Aty ku shumë shohin barrierë, ata ndërtojnë ura, aty ku të tjerët lodhen, ata vazhdojnë përpara me besim. Handikos është vatër e komunitetit me zemra të mëdha që çdo ditë punojnë për të drejta, barazi dhe gjithëpërfshirje. Respekt për personat me nevoja të veçanta, të cilët na e kujtojnë se vlerat më të larta të një shoqërie maten me mënyrën si i trajtojmë ata që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

This site is registered on wpml.org as a development site.