Presidentja Osmani takoi ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Augusto Santos Silva

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Portugali është takuar me ministrin e Jashtëm, Augusto Santos Silva. Sipas Presidentes Osmani, prania e Kosovës më ambasadë në këtë shtet është në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh dhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy popujve. Në takim me ministrin Santos Silva, Presidentja Osmani ka folur edhe për të arriturat e deritashme të Kosovës, duke potencuar synimin për forcimin e sundimit të ligjit. Gjithashtu, Presidentja ka përmendur edhe reformat gjithëpërfshirëse në ekonomi. Ndërkaq sa i përket sfidave, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përballet me izolim, shkaku i mosliberalizimit të vizave, duke potencuar faktin se tashmë janë plotësuar të gjitha kriteret. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se ai domosdoshmërisht duhet të finalizohet me marrëveshje për njohje reciproke. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Portugalisë në rrugën evropiane të Kosovës, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Në bisedë me ministrin e Jashtëm portugez, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar ta finalizojë nënshkrimin e marrëveshjes së parë ekonomike bilaterale, e cila ka të bëjë me heqjen e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se të dy shtetet mund të bashkëpunojnë në sferën e mbrojtjes, ekonomisë, arsimit, turizmit, kulturës, sportit apo të trajnimeve profesionale.
Presidentja Osmani u prit nga Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot është pritur në takim nga presidenti i Potugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë Kosovës me dekada, duke kërkuar mbështetje edhe në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Presidentja Osmani takoi ministrin e Brendshëm të Portugalisë, Eduardo Cabrita

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës në Portugali, ka takuar ministrin e brendshëm Eduardo Cabrita dhe pjesëtarë të forcave të rendit të këtij shteti, të cilët kanë shërbyer në Kosovë.
Presidentja Osmani u prit nga Forcat e Armatosura të Portugalisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës në Portugali u prit nga Forcat e Armatosura të Portugalisë, në vendin prej nga forcat portugeze iu bashkëngjitën intervenimit të NATO-së në Kosovë, më 1999. Në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes, Presidentja Osmani u takua me ministrin e mbrojtjes João Gomes Cravinho, shefin e Forcave të Armatosura të Portugalisë, admiralin Silva Ribeiro, shefin e Forcave Detare, admiralin Mendes Calado, shefin e Ushtrisë, gjeneralin Nunes da Fonseca dhe shefin e Forcave Ajrore, generalin Joaquim Borrego. Në takim me ta, Presidentja Osmani ka falënderuar Portugalinë, e cila më 1999 ishte pjesë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ushtria e këtij shteti ka qenë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë me afro 6 mijë ushtarë. Sipas saj, Kosova ka nevojë sërish për ndihmën e shteteve mike si Portugalia. “Nga pozita e komandantes supreme të Ushtrisë së Kosovës, ju them se ne kemi nevojë për ndihmën tuaj sërish. Kësaj here jo për të na shpëtuar jetën, por për të ndërtuar partneritet me ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i zgjeruar kapacitetet e saj dhe është në proces të transformimit. Ushtarët tanë sapo janë kthyer nga misioni i parë paqësor bashkë me ushtrinë amerikane në Kuvajt. Kam besimin e plotë se ushtria jonë mund të përfitojë shumë nga përvoja e ushtrisë suaj. Përveç bashkëpunimit në fushën ushtarake, në një të ardhme të afërt forcat tona dua t`i shoh krahas forcave tuaja në NATO. Kjo aleancë është synim i yni dhe interes strategjik”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në këtë pritje, me motivacionin për kontributin për lirinë dhe paqen e Kosovës, Presidentja Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake paqeruajtësit portugezë që morën pjesë në mision në Kosovë nga viti 1999 e deri më 2017.
Video-Fjalimi i Presidentes Osmani në Samitin Global të Grave në Lisbonë
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në Samitin Global të Grave në Lisbonë
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në Samitin Global të Grave në Lisbonë

Samiti Global i Grave Gratë i transformojnë ekonomitë 28-30 tetor 2021 Lisbonë, Portugali Të nderuar, Është një kënaqësi e madhe t’ju takoj të gjithëve në atë që njihet si pika më perëndimore e Evropës dhe vendi që më është thënë se duhet ta vizitoj të paktën një herë në jetë. Unë mbaj fjalime në vende të ndryshme të botës, por ky i sotmi është posaçërisht i veçantë për mua. Është vërtet rifreskuese, motivuese dhe frymëzuese të jesh në mesin e disa prej grave më të fuqishme, më të zgjuara dhe më të suksesshme në botë. Samiti Global i Grave quhet me të drejtë si forumi kryesor i biznesit dhe ekonomisë për gratë në mbarë botën. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Përderisa ne festojmë sukseset tona sot, mendoj se në mendjen tonë të gjithë duhet ti kujtojmë gratë që jetuan përpara nesh. Ngjarja e sotme është ajo që na bashkon të gjithëve për të çmuar atë që është arritur deri më tani dhe për të përshkruar dhe caktuar qartë se ku duam të shkojmë më pas. Nuk ka dyshim: gratë janë në zemër të shoqërive të barabarta, të qëndrueshme dhe të begata. Nuk e them këtë me qëllimin për të zvogëluar rolin e burrave – përkundrazi, është një thirrje për të njohur përfundimisht rolin e gruas në komunitetet tona dhe në fusha të ndryshme të jetës. Burrat mund të jenë ata që janë renditur kryesisht si figurat kryesore në librat tanë të historisë, por unë besoj fuqimisht se e ardhmja u përket grave. I përket të gjithë zërave që kanë mbetur të padëgjuar prej shekujsh; atyre që luftuan me guxim për t'i hapur rrugën grave të tjera që vinin pas tyre; atyre që e dinin se meritonin më shumë; atyre që ende luftojnë fort dhe mundohen edhe sot e kësaj dite; grave dhe vajzave të së ardhmes që do t'i çojnë shoqëritë tona në lartësi krejtësisht të reja. Sepse gratë munden – sepse gratë e dinë – sepse gratë janë duke udhëhequr ndryshimin! Këto nuk janë kohë të lehta. Në një hark kohor më pak se dy vjeçar, ne kemi përjetuar një pandemi globale, vështirësi serioze globale ekonomike dhe aktualisht jemi dëshmitarë të asaj që njihet si kriza energjetike e Evropës – e cila kërcënon të bëhet një krizë globale. Ndikimi i kësaj në shoqëritë tona ka qenë shumë përfshirës. Askush nuk është kursyer, por disa janë goditur më fort. Pabarazitë që vazhdojnë në shoqëritë tona u reflektuan në një shpërndarje të pabarabartë të sfidave dhe vështirësive midis grupeve dhe komuniteteve të ndryshme. Më së shumti u goditën të margjinalizuarit dhe të varfrit. Pasojat për gratë dhe vajzat në mbarë botën ishin të rënda. Është e qartë se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë – si në punë ashtu edhe në shtëpi. Pavarësisht kësaj, gratë vazhduan të zhvillohen dhe të kenë sukses. Ata kanë qenë në vijën e parë në luftën kundër COVID-19 dhe kanë luajtur një rol të madh në menaxhimin e pandemisë, përderisa i kanë ndihmuar vendet e tyre të hartojnë programe më të fokusuara në nevoja dhe programe të qëndrueshme të rimëkëmbjes ekonomike. Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë 'JO'-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin. Nga iniciativat transformuese lokale, deri te politikat kombëtare gjithëpërfshirëse, transparenca e shtuar dhe përpjekjet e shtuara për të luftuar gjithmonë për më shumë dhe për më mirë, gratë po marrin udhëheqjen në komunitetet tona, në qytetet tona, në vendet tona dhe në mbarë globin. Sfidat e ditëve të sotme dhe ato të së ardhmes kërkojnë një stil të ri udhëheqjeje. Dhe gratë kanë treguar se i zotërojnë me mjeshtëri këto aftësi të nevojshme. Në këto kohë më sfiduese, gratë ishin në gjendje të bashkojnë popullin dhe të mobilizonin njerëzit për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit të sjelljes së tyre të përditshme për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit. Ky stil udhëheqjeje për të cilin ishim vetë dëshmitarë, në këto rrethana të jashtëzakonshme mund të bëhet gjithnjë e më i vlefshëm dhe të kthehet në një aset të rëndësishëm që do të shërbejë si një udhërrëfyes për liderët e së ardhmes. Ndërsa kërcënimet e ndryshimeve klimatike bëhen më të rënda, frekuenca e krizave të shkallës së lartë kërcënon të rritet gjithashtu. Prandaj, bëhet një domosdoshmëri për të nxjerrë mësime të vlefshme nga sukseset e grave në pandemi. Andaj, pavarësisht nga fakti se kemi arritur mjaft larg, ne kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar një shoqëri që rritet duke pranuar barazinë gjinore. Deri më sot, numri i grave në menaxhimin e bizneseve dhe pozitat drejtuese mbetet shumë i ulët. Për më tepër, vendet e punës së grave janë prekur dy herë më shumë në krahasim me ato të burrave. Dhe, për shkak se shumë gra ende mbesin në krye të detyrave shtëpiake dhe familjare, një në katër gra po e shqyrton largimin nga fuqia punëtore apo kalimin në një karrierë me dinamikë më të vogël. Sikur kjo të mos mjaftonte, një pandemi në hije po zhvillohej paralelisht në sfond – gratë ishin një objektiv i drejtpërdrejtë i dhunës në familje. Këto janë arsye të forta për ndryshime strukturore dhe është koha që ne të kuptojmë se nuk mund t’i lëmë më gratë vetëm në rrugëtimin e tyre për të harmonizuar përgjegjësitë e tyre në shtëpi me përgjegjësitë në punë. Është momenti i fundit që të fillojmë t'i trajtojmë çështjet gjinore në kontekstin e çështjeve ekonomike. Është momenti i fundit që të angazhohemi për të përkrahur investimet në arsim, në planifikim familjar, përfshirje dixhitale dhe financiare dhe përmirësimin e barrës së pabalancuar të punës pa pagesë për përkujdesje për fëmijët dhe të moshuarit. Përfundimisht ne duhet të
Presidentja Osmani mbanë fjalim në Samitin Global të Grave në Lisbonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Portugali, në adresimin e saj në Samitin Global të Grave, ka theksuar se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë, në punë dhe në shtëpi.
Presidentja Osmani në vizitë zyrtare në Portugali, takohet me krerët shtetërorë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka filluar vizitën zyrtare në Portugali.
Presidentja Osmani takoi kryetaren e Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, znj. Sonja Biserko

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani priti në takim kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, znj.Sonja Biserko me të cilën diskutuan për zhvillimet në rajon lidhur me të drejtat e njeriut, qeverisjes demokratike, si dhe ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore. Presidentja Osmani nënvizoi se njohja e pavarësisë se Kosovës nga Serbia është epilogu i vetëm i pranueshëm në procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, ajo shprehu bindjen se shtetet e rajonit duhet të veprojnë bashkërisht për të parandaluar ndikimin e aktorëve malinj që synojnë minimin e të arriturave drejt integrimit në BE dhe NATO. Më tej, në takim me znj. Biserko, Presidentja Osmani theksoi se tendenca e regjimit të Beogradit për të rishkruar historinë dëmton përpjekjet për hapjen e kapitullit të ri në raportet ndërshtetërore. Sipas saj, ballafaqimi me të kaluarën, drejtësia për viktimat e luftës dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë janë parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon. Palët u pajtuan se shkëmbimet ndërmjet grupeve shoqërore mund të kontribuojnë në luftimin e paragjykimeve dhe fuqizimin e vlerave të demokracisë dhe mirëbesimit.