Presidentja Osmani takoi presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani ka takuar presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike. “Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar Presidentja Osmani. Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces. Në takim me presidentin Steinmeier, Presidentja Osmani ndër të tjera ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve. Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.
Diskutimi i i plotë i Presidentes Osmani gjatë panelit ”Përgjigjja ndaj ndryshimeve gjeopolitike” në Dialogun Global në Berlin

Presidentja Osmani takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Shën Kitts dhe Nevis, Denzil L. Douglas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së punës në Gjermani, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Shën Kitts dhe Nevis, Denzil L. Douglas. Në takim me ministrin Douglas, Presidentja Vjosa Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovës, shteti i Shën Kitts dhe Nevis, ndaj potencoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe sigurimin e njohjeve të reja. Presidentja Osmani theksoi interesin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shën Kitts dhe Nevis, në fushat me interes të përbashkët.
Presidentja Osmani takoi kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman Michael Roth

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë pune në Gjermani ka takuar kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman Michael Roth. Në takim është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë e më gjerë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Deputetit Roth dhe në përgjithësi të Bundestagut gjerman për aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe theksoi rëndësinë e rolit të shtetit gjerman në këtë proces. “Gjermania ka qenë një aleate tradicionale e popullit të Kosovës dhe ne e vlerësojmë shumë këtë mbështetje në përpjekjet tona për ta forcuar praninë dhe partneritetin tonë ndërkombëtar”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani dhe z.Roth, ndër të tjera diskutuan edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces. Një pjesë e diskutimit në takim u fokusua edhe në procesin e dialogut me Serbinë.
Presidentja Osmani në takim me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Baerbock kërkoi mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së punës në Gjermani, ka takuar ministren e Jashtme, Annalena Baerbock. Në takim, Presidentja Osmani theksoi se Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik, ndaj Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të saj. Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit të Presidentes Osmani dhe ministres Baerbock. Presidentja Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, Presidentja ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t`i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të, ndaj marrëveshja duhet të zbatohet si e plotë. Ndër të tjera, në këtë takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, duke përshirë angazhimin e përbashkët në përmbushjen e agjendës së gjelbër. Sipas Presidentes Osmani, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë fuqizohen edhe më shumë nga numri i konsiderueshëm i mërgimtarëve kosovarë, të cilët janë integruar me sukses në shoqërinë gjermane.
Presidentja Osmani: Protesta e 1 tetorit 1997, ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë

Njëzet e shtatë vjet më parë, guximi dhe vendosmëria e studentëve të Universitetit të Prishtinës shënoi protestën vendimtare kundër mbylljes dhe okupimit të shkollave shqipe dhe universitetit nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Protesta e 1 tetorit 1997, ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Në krye me rektorin Ejup Statovci, protesta shërbeu si një paralajmërim i hershëm për zhvillimet e mëpasme, të cilat kulmuan me luftën çlirimtare dhe me pavarësinë e Kosovës. 1 tetori i vitit 1997, është simbol i qëndresës së popullit të Kosovës dhe kujtesë se lufta për liri dhe pavarësi ishte e gjatë, e mundimshme, por triumfale.
Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, me aktivitete të shumta në kuadër të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara në New York

Zotëria i Parë, z.Prindon Sadriu, i cili ishte pjesë e delegacionit zyrtar të Republikës së Kosovës, mori pjesë në ngjarje të shumta të organizuara gjatë javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, SHBA. Në ditën e parë të qëndrimit të tij në SHBA, Zotëria i Parë, z. Sadriu, shoqëroi Presidenten Osmani në vizitë në një prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë, West Point. Përpos pritjes nga ushtria amerikane, ata patën mundësi të takohen nga afër me Gjeneral Lejtnan Gillard dhe të vizitojnë nga afër hapësirat e akademisë ku ushtarë të shumtë përgatiten për jetën ushtarake, e në kuadër të së cilës janë shkolluar edhe një numër i djemve dhe vajzave të reja nga Kosova. Në vazhdim të vizitës, Zotëria i Parë Sadriu me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-ve, znj. Jill Biden, mori pjesë në drekën e shtruar ekskluzivisht për zotërinjtë e parë të krerëve të shteteve që ishin prezent gjatë javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara. Gjatë bashkëbisedimit të tij me Zonjën e Parë Biden, Zotëria i Parë Sadriu ritheksoi falënderimin për kontributin e familjes Biden për Kosovën. Duke shoqëruar Presidenten Osmani, mesazhi i njëjtë u transmetua edhe tek Presidenti Biden gjatë ceremonisë së pritjes të organizuar nga ai. Në këtë ceremoni, Zotëria i Parë Sadriu u takua me disa zotërinj të parë të vendeve njohëse dhe jonjohëse, me të cilët biseduan në tema të shumta të interesit të përbashkët. Më tej, Zotëria i Parë mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Presidentit Clinton dhe Sekretarja Clinton, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim të përzemërt mbi rëndësinë që ka aleanca me SHBA, por edhe për mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Kosovës për kontributin e pazëvendësueshëm të tyre për lirinë e shtetit tonë. Në vazhdën e pritjeve të organizuara nga individ dhe organizata të shumta, Zotëria i Parë mori pjesë në pritjen vjetore të liderëve të Atlantic Council, ku gjithashtu pati mundësi të bashkëbisedojë me personalitete të shumta, të cilët janë partnerë e aleatë të Kosovës. Për më tepër, Zotëria i Parë Sadriu, në një ceremoni të veçantë iu bashkëngjit edhe zotimit global për zero mbeturina anekënd botës. Kjo nismë daton nga viti 2017, e udhëhequr nga Zonja e Parë Erdogan, dhe përfshin pjesëmarrjen e më shumë se 30 zotërinjve të parë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i këtij zotimi është për t’i forcuar përpjekjet për promovim efiçient të përdorimit të burimeve natyrore, reduktim dhe eliminim të gjenerimit të mbeturinave duke inkurajuar praktikat e riciklimit dhe ekonomisë qarkore në përgjithësi. Kjo nismë do të kontribuojë në promovimin e arritjeve aktuale dhe ato të ardhshme të Kosovës në agjendën për zhvillim të qëndrueshëm në pjesë të ndryshme të botës. Përgjatë qëndrimit në javën e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara, Zotëria i Parë ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Zonja të Para të shteteve aleat dhe mike të Kosovës. Një e tillë ishte ngjarja e organizuar nga Zonja e Parë Erdogan, në të cilën u prezantuan elementet kulturore të trashëguara mes brezave mbi veshjet e dasmave dhe përgatitjet që ndërlidhen me këtë etapë të jetës, e që pasqyron unitet dhe solidaritet mes familjarëve dhe rrethit shoqëror. Krahas kësaj, Zotëria i Parë mori pjesë edhe në ngjarjen tjetër të organizuar nga Zonja e Parë Erdogan, në kuadër të së cilës të pranishmit u ekspozuan ekskluzivisht në kuzhinën afrikane, e cila dëshmoi edhe njëherë se pavarësisht kulturave, e rëndësishme është promovimi i diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Zotëria i Parë Sadriu zhvilloi bashkëbisedime me homologet për çështje të ndryshme të interesit të përbashkët. Duke konsideruar urgjencën e madhe për ta adresuar çështjen e fëmijëve, të cilët jetojnë në zonat e luftës dhe të konflikteve, Zotëria i Parë mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga UNICEF, ku u diskutua mbi urgjencën për të zhvilluar një strategji efektive globale për të ndërtuar sisteme efikase për mbrojtjen e fëmijëve dhe ofrimi i shërbimeve që sigurojnë mirëqenien e tyre, sidomos për ata që rriten pa kujdes prindëror. Zotëria i Parë kishte mundësinë të takojë edhe shumë pjesëtarë të mërgatës tonë në SHBA, me të cilët diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit.
Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë pune në Gjermani, takohet me Presidentin Steinmeier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Gjermani. Gjatë kësaj vizite do të ketë takim pune me presidentin e Gjermanisë, Frank Walter- Steinmeier. Gjithashtu, Presidentja Osmani do të realizojë takime të ndara me ministra e deputetë gjermanë. Presidentja Osmani do të jetë folëse në sesionin Dialogu i Liderëve në kuadër të Berlin Global Dialogue me ç’rast do të diskutojë në temën: “Rimendimi i qëndrueshmërisë – përgjigjja ndaj ndryshimeve gjeopolitike”. Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe në ceremoninë hapëse të Festivalit Shqiptar të Gastronomisë në Berlin me ç’rast do të mbajë fjalim para pjesëmarrësve. Ndryshe, Presidentja Osmani vizitën zyrtare bilaterale në Gjermani me ftesë të Presidentit Steinemier e ka realizuar në shtator të vitit 2021 ku është pritur me nderime ushtarake. Pas vizitës zyrtare bilaterale, ajo gjatë kësaj periudhe tre vjeçare ka pasur edhe një sërë takimesh pune e telefonata me Presidentin Steinmeier, i cili është përkrahës i fuqishëm i të ardhmes euroatlantike të vendit tonë.
Albumi i vizitës së Presidentes Osmani në New York gjatë javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të OKB-së, në New York

Një javë përplot aktivitete në interes të Republikës së Kosovës në New York, që ndër të tjera, përfshiu: Diskutimin me Presidentin Biden në kuadër të pjesëmarrjes në pritjen vjetore të liderëve nga Shtëpia e Bardhë, për nder të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara; Pjesëmarrjen në Samitin për Ukrainën, me ftesë nga Shtëpia e Bardhë, ku Kosova u radhit në mesin e fuqive botërore në mbrojtje të vlerave demokratike; Pjesëmarrjen në samitin global për luftën kundër drogave sintetike, me ftesë nga Shtëpia e Bardhë; Vizitën, takimet dhe diskutimet në akademinë ushtarake West Point Pjesëmarrja në drekën e punës organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian në New York, për liderët e Ballkanit Perëndimor Diskutimin në Council on Foreign Relations mbi vizionin e Kosovës drejt së ardhmes së saj euroatlantike Diskutimin në Clinton Global Initiative, mbi përpjekjet tona në Kosovë e përtej, për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë Takim me ish-Presidentin e SHBA-ve – Bill Clinton Takim me Presidentin e Bruneit – Sulltanin Hassanal Bolkiah Takim me Presidentin e Mauritanisë – Mohamed Ould Ghazouani Takim me Presidentin e Guinea-Bisaus – Umaro Sissoco Embaló Takim me Presidentin e Malawit – Lazarus Chakwera Takim me Presidentin e Gambisë – Adama Barrow Takim me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë – Pietro Parolin Takim me Drejtorin e Lartë për Evropë në Shtëpinë e Bardhë, Michael Carpenter Takim me Ndihmës sekretarin e Shtetit – Jim O’Brien Takim me Ndihmës sekretaren e Shtetit – Dafna Rand Takim me Kryeshefen ekzekutive të MCC-së – Alice Albright Bashkëbisedim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve – Antony Blinken Bashkëbisedim me ish-Sekretaren e Shtetit – Hillary Clinton Bashkëbisedim me Këshilltarin e Presidentit Biden për Organizata Ndërkombëtare, Joshua Black Bashkëbisedim me Presidentin e Bullgarisë – Rumen Radev Bashkëbisedim me Kryeministrin e Shqipërisë – Edi Rama Bashkëbisedim me Presidentin e Polonisë – Andrzej Duda Bashkëbisedim me Kryesuesin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës – Denis Bećirović Bashkëbisedim me Presidentin e Estonisë – Alar Karis Bashkëbisedim me Presidentin e Letonisë – Edgars Rinkēvičs Bashkëbisedim me Presidentin e Panamasë – José Raúl Mulino Bashkëbisedim me Presidentin e Republikës Domenikane – Luis Abinader Bashkëbisedim me Presidentin e Fixhit – Wiliame Katonivere Bashkëbisedim me Presidentin e Gabonit – Brice Oligui Nguema Bashkëbisedim me Presidentin e Surinamit – Chan Santokhi Bashkëbisedim me Presidentin e Namibisë – Hage Geingob Bashkëbisedim me Presidentin e Mauritius – Prithvirajsing Roopun Bashkëbisedim me Presidentin e Këshillit të BE-së – Charles Michel Bashkëbisedim me Kryeministren e Italisë – Giorgia Meloni Bashkëbisedim me Kryeministrin e Holandës – Dick Schoof Bashkëbisedim me Kryeministrin e Armenisë – Nikol Pashinyan Bashkëbisedim me Kryeministrin e Sllovenisë – Robert Golob Bashkëbisedim me Kryeministrin e Irlandës – Simon Harris Bashkëbisedim me Kryeministrin e Maltës – Robert Abela Bashkëbisedim me Kryeministrin e Portugalisë – Luís Montenegro Bashkëbisedim me Kryeministrin e Islandës – Bjarni Benediktsson Bashkëbisedim me Kryeministrin e Lihtenshtajnit – Daniel Risch Bashkëbisedim me Kryeministrin e Shën Kits dhe Navis – Terrance Drew Bashkëbisedim me Kryeministrin e Greqisë – Kyriakos Mitsotakis Takim me Ministrin e Jashtëm të Tanzanisë – Mahmoud Thabit Komb Bashkëbisedim me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, Bashkëbisedim me Ministren e Jashtme të Gjermanisë – Annalena Baerbock Bashkëbisedim me Ministren e Jashtme të Kanadasë – Mélanie Joly Bashkëbisedim me Ministrin e Jashtëm të Holandës – Caspar Veldkamp Bashkëbisedim me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Luksemburgut – Xavier Bettel Bashkëbisedim me Ministrin e Jashtëm të Beninit, Shegun Adjadi Bakari Bashkëbisedim me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov Sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës – Alain Berset Sekretarin e Organizatës së Shteteve Amerikane – Luis Almagro Takim me Të dërguarin e posaçëm të BE-së – Miroslav Lajcak Bashkëbisedim me Guvernatorin e Pennsylvania – Josh Shapiro Organizimin e ngjarjeve të shumta me mërgatën tonë të jashtëzakonshme, përfshirë: – Tubimin e organizuar në Staten Island nga shoqata Ulqini dhe shoqata të tjera shqiptare – Tubimin e organizuar me komunitetin në kishën shqiptare në NY – Vizitën në shoqatën shqiptaro-amerikane Vatra – Darkën me ndërmarrës dhe veprimtarë shqiptarë – Takimin me studentë të universiteteve më prestigjoze të “Ivy League” – Takimin me nxënës e mësues të shkollave shqipe në New York, nën organizimin e Mark Gjonaj Takim me kryeshefen e International Crisis Group, Dr. Comfort Ero Pjesëmarrjen në aktivitete të tjera në kuadër të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara, përfshirë pritjen e liderëve nga Clinton Global Initiative; Darkën e organizuar nga Atlantic Council; darkën e organizuar nga Zëvendëskryeministri i Luksemburgut; fjalimin në në ngjarjen e organizuar nga Gjermania, Australia, Kanadaja, dhe Holanda dedikuar të drejtave themelore të grave; pjesëmarrjen e presidencës në aktivitetin e organizuar nga Mbretëria e Bashkuar lidhur me të mbijetuarat e dhunës seksuale; pjesëmarrjen e presidencës në diskutimin e organizuar nga Presidenti i Kenias; pjesëmarrjen e presidencës në organizimin e Departamentit të Shtetit për agjendën për Gratë Paqen e Sigurinë; pjesëmarrjen e presidencës në ngjarjen e organizuar nga Danimarka dedikuar zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe aktivitete, takime e diskutime të tjera.
Presidentja Osmani takoi në New York, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Parolin

Gjatë javës së kaluar, në New York, Presidentja Vjosa Osmani u takua me Kardinalin Parolin, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Selinë e Shenjtë. Ajo theksoi gjithashtu punën intensive me institucionet e Selisë së Shenjtë për hapjen e Misionit të Veçantë të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, duke e konsideruar këtë si një shembull të përkushtimit të Kosovës për forcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy vendeve, si dhe për frymën e harmonisë ndërfetare që vendi ynë e mishëron me shekuj. Tutje, në takim, Presidentja Osmani ka theksuar edhe rëndësinë e njohjes nga Selia e Shenjtë, si hap të rëndësishëm drejt thellimit të raporteve ndërshtetërore, e cila po ashtu do të kontribuonte drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë. Në takim me Kardinalin Parolin, Presidentja Osmani ka folur edhe ftesën për vizitën e Papës Françesku në Republikën e Kosovës, të cilën e ka diskutuar në takim me Papën vitin e kaluar.