Zotëria i Parë, z.Prindon Sadriu, i cili ishte pjesë e delegacionit zyrtar të Republikës së Kosovës, mori pjesë në ngjarje të shumta të organizuara gjatë javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, SHBA.
Në ditën e parë të qëndrimit të tij në SHBA, Zotëria i Parë, z. Sadriu, shoqëroi Presidenten Osmani në vizitë në një prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë, West Point. Përpos pritjes nga ushtria amerikane, ata patën mundësi të takohen nga afër me Gjeneral Lejtnan Gillard dhe të vizitojnë nga afër hapësirat e akademisë ku ushtarë të shumtë përgatiten për jetën ushtarake, e në kuadër të së cilës janë shkolluar edhe një numër i djemve dhe vajzave të reja nga Kosova.
Në vazhdim të vizitës, Zotëria i Parë Sadriu me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-ve, znj. Jill Biden, mori pjesë në drekën e shtruar ekskluzivisht për zotërinjtë e parë të krerëve të shteteve që ishin prezent gjatë javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara. Gjatë bashkëbisedimit të tij me Zonjën e Parë Biden, Zotëria i Parë Sadriu ritheksoi falënderimin për kontributin e familjes Biden për Kosovën. Duke shoqëruar Presidenten Osmani, mesazhi i njëjtë u transmetua edhe tek Presidenti Biden gjatë ceremonisë së pritjes të organizuar nga ai. Në këtë ceremoni, Zotëria i Parë Sadriu u takua me disa zotërinj të parë të vendeve njohëse dhe jonjohëse, me të cilët biseduan në tema të shumta të interesit të përbashkët.
Më tej, Zotëria i Parë mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Presidentit Clinton dhe Sekretarja Clinton, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim të përzemërt mbi rëndësinë që ka aleanca me SHBA, por edhe për mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Kosovës për kontributin e pazëvendësueshëm të tyre për lirinë e shtetit tonë. Në vazhdën e pritjeve të organizuara nga individ dhe organizata të shumta, Zotëria i Parë mori pjesë në pritjen vjetore të liderëve të Atlantic Council, ku gjithashtu pati mundësi të bashkëbisedojë me personalitete të shumta, të cilët janë partnerë e aleatë të Kosovës.
Për më tepër, Zotëria i Parë Sadriu, në një ceremoni të veçantë iu bashkëngjit edhe zotimit global për zero mbeturina anekënd botës. Kjo nismë daton nga viti 2017, e udhëhequr nga Zonja e Parë Erdogan, dhe përfshin pjesëmarrjen e më shumë se 30 zotërinjve të parë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i këtij zotimi është për t’i forcuar përpjekjet për promovim efiçient të përdorimit të burimeve natyrore, reduktim dhe eliminim të gjenerimit të mbeturinave duke inkurajuar praktikat e riciklimit dhe ekonomisë qarkore në përgjithësi. Kjo nismë do të kontribuojë në promovimin e arritjeve aktuale dhe ato të ardhshme të Kosovës në agjendën për zhvillim të qëndrueshëm në pjesë të ndryshme të botës.
Përgjatë qëndrimit në javën e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara, Zotëria i Parë ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Zonja të Para të shteteve aleat dhe mike të Kosovës. Një e tillë ishte ngjarja e organizuar nga Zonja e Parë Erdogan, në të cilën u prezantuan elementet kulturore të trashëguara mes brezave mbi veshjet e dasmave dhe përgatitjet që ndërlidhen me këtë etapë të jetës, e që pasqyron unitet dhe solidaritet mes familjarëve dhe rrethit shoqëror. Krahas kësaj, Zotëria i Parë mori pjesë edhe në ngjarjen tjetër të organizuar nga Zonja e Parë Erdogan, në kuadër të së cilës të pranishmit u ekspozuan ekskluzivisht në kuzhinën afrikane, e cila dëshmoi edhe njëherë se pavarësisht kulturave, e rëndësishme është promovimi i diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Zotëria i Parë Sadriu zhvilloi bashkëbisedime me homologet për çështje të ndryshme të interesit të përbashkët.
Duke konsideruar urgjencën e madhe për ta adresuar çështjen e fëmijëve, të cilët jetojnë në zonat e luftës dhe të konflikteve, Zotëria i Parë mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga UNICEF, ku u diskutua mbi urgjencën për të zhvilluar një strategji efektive globale për të ndërtuar sisteme efikase për mbrojtjen e fëmijëve dhe ofrimi i shërbimeve që sigurojnë mirëqenien e tyre, sidomos për ata që rriten pa kujdes prindëror.
Zotëria i Parë kishte mundësinë të takojë edhe shumë pjesëtarë të mërgatës tonë në SHBA, me të cilët diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit.