Konferenca e përbashkët për media e Presidentes Osmani me Presidenten e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, pas takimit dypalësh në Bern
Presidentja: Faleminderit mërgatë! Faleminderit Zvicër për këtë pritje madhështore!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, ka nisur sot vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet. Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, u priten me nderime të larta shtetërore nga Presidentja Keller-Sutter dhe Zotëria i Parë, Morten Keller. “Faleminderit mërgatë! Faleminderit Zvicër për këtë pritje madhështore!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Fjalimet zyrtare të Presidentes Osmani dhe Presidentes së Zvicrës, Keller-Sutter, në Pallatin Federal të Zvicrës dhe në prani të të gjithë anëtarëve të Këshillit Federal Zviceran
Ceremonia zyrtare e pritjes nga Sh. S. Karin Keller-Sutter, Presidente e Konfederatës Zvicerane, dhe Zotërisë së Parë z. Keller, në Bundesplatz në Bern
Presidentja: Kjo vizitë e parë shtetërore në Zvicër është dëshmi se bashkë po shkruajmë kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, ka nisur vizitën shtetërore në Zvicër. Presidentja Osmani ka shkruar: Faleminderit për mikpritjen, miqësinë dhe nderimin, Presidente Keller-Sutter! Kjo vizitë e parë shtetërore në Zvicër që po fillon në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës është dëshmi se bashkë po shkruajmë kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë!
Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e masakrës në Stagovë të Kaçanikut

Më 21 maj 1999, forcat serbe të regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht 13 civilë në Stagovë të Kaçanikut, përfshirë 7-vjeçarin Fitim Gudaqi. Në mbrojtje të civilëve, dëshmor ra edhe pjesëtari i UÇK-së, Ekrem Gudaqi. Kjo masakër, ndër më të tmerrshmet në Kosovë, u hetua nga Tribunali i Hagës, por askush nuk u dënua. Paramilitarët serbë shkatërruan mbi 90 shtëpi nga 180 sa kishte fshati dhe vranë bagëtinë. Kjo ditë mbetet simbol i dhimbjes dhe qëndresës. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe ata që u flijuan për liri!
Presidentja Vjosa Osmani arrin në Zvicër për vizitën shtetërore
Presidentja Osmani udhëton për vizitë shtetërore në Zvicër me ftesë të Presidentes Keller-Sutter

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, kanë udhëtuar për në Zvicër, në vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet. Vizita do të realizohet në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore dhe do të ketë për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, ndaj kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër. Në Rezidencën zyrtare Lohn do të bëhet pritja me nderime shtetërore dhe do të mbahet një drekë pune, ku Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, do të priten me nderime të larta shtetërore nga Presidentja Keller-Sutter dhe Zotëria i Parë, Morten Keller. Më pas, në sheshin qendror të Bernës, Bundesplatz, do të mbahet ceremonia shtetërore e mirëseardhjes me nderime ushtarake, ku ndër të tjera Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do të kenë rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që do të marrin pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve. Programi i vizitës do të vazhdojë me ceremoninë shtetërore në Parlamentin e Zvicrës, ku Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim të posaçëm para përfaqësuesve të institucioneve zvicerane. Po ashtu, gjatë qëndrimit të saj në Bernë, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të institucioneve federale. Në St. Gallen, Presidentja Osmani me homologen Keller-Sutter do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE të Universitetit të St. Gallen. Ndërkaq në Gjenevë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitet për trashëgiminë politike të Martti Ahtisaarit, të organizuar bashkërisht nga Fondacioni i Paqes Martti Ahtisaari, Misioni i Përhershëm i Finlandës në Gjenevë, organizata ndërkombëtare Interpeace dhe Geneva Graduate Institute. Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare.
Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve betohen para Presidentes Osmani

Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, sot e kanë dhënë betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Gjatë ceremonisë, anëtarët e rinj u zotuan se do t’i kryejnë detyrat e tyre me ndershmëri, besnikëri, paanësi, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.
Presidentja Osmani priti në takim Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të takimeve të rregullta për bashkëpunimin strategjik ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të NATO-s. Presidentja Osmani potencoi sfidat aktuale të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë tek siguria kufitare dhe domosdoshmëria për parandalim dhe shmangie të çdo përpjekjeje për destabilizim nga Serbia. Më tej, Presidentja vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe angazhimit të ndërsjellë. Presidentja dhe Komandanti i KFOR-it riafirmuan përkushtimin e përbashkët për bashkëpunim të vazhdueshëm, në përputhje me mandatin e NATO-s dhe interesin e përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon.