Presidentja Vjosa Osmani para Asamblesë Parlamentare të NATO-s: Është koha që NATO t’i hapë dyert për Republikën e Kosovës!

Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton, SHBA.
Panelistë nga më shumë se 45 shtete do të marrin pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë!

Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për “Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë”! #WPSRKS2025
Presidentja Osmani bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, lidhur me situatën e sigurisë në vendin tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të aktiviteteve në SHBA, ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, lidhur me situatën e sigurisë në vendin tonë si dhe rolin e rëndësishëm të misionit të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon. Presidentja Osmani ka shkruar: Në kuadër të aktiviteteve në SHBA, bisedova me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, lidhur me situatën e sigurisë në vendin tonë si dhe rolin e rëndësishëm të misionit të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon. Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe për një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët tanë.
Presidentja Osmani në darkën e Kongresit Amerikan dhe AP të NATO-s: Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s. Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidentja Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht. “Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani: “Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë.
Fjalimi i Presidentes Osmani në darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s
Presidentja Osmani folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA, ishte folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Presidentja Osmani ka shkruar: Në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA, sot pata nderin të jem folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë. Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike.
Presidentja Osmani takon Delegacionin e Kongresit Amerikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me Delegacionin e Kongresit Amerikan në Dayton. Delegacioni u kryesua nga Kongresmeni Michael Turner, udhëheqës i Delegacionit të ShBA-së në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Pjesë e delegacionit ishin edhe: Kongresmenët Brett Guthrie, Linda Sánchez dhe Joe Wilson. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik i Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe potencialin për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të investimeve amerikane në Kosovë. Gjatë takimit, ajo i njoftoi kongresistët për zhvillimet e sigurisë në Kosovë e rajon si dhe për kontributin e Kosovës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.
Presidentja Osmani: Sot është Dita e Presidentit, e vendosur si e tillë nga Presidenti ynë historik Dr.Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Sot është Dita e Presidentit, e vendosur si e tillë nga Presidenti ynë historik Dr.Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot është Dita e Presidentit, e vendosur si e tillë nga Presidenti ynë historik Dr.Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë. Sot ecim hapave të tij, në përpjekje të vazhdueshme për ta bërë Kosovën atë që e deshën e për të cilën sakrifikuan breza të tërë.
Presidentja Osmani ka udhëtuar zyrtarisht për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Me ftesë të Kongresit Amerikan, Presidentja Osmani ka udhëtuar për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton në SHBA. Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën dhe Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin perëndimor. Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe Presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e SHBA-ve. Në agjendë të Presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e poashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.
Me ftesë të Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Zoteriu i Parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu, shoqëroi Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë vizitës shtetërore historike në Zvicër

Z. Sadriu mori pjesë në të gjitha aktivitetet protokollare të zhvilluara gjatë dy ditëve të vizitës, përfshirë pritjen shtetërore ceremoniale në Bundesplatz të Bernës, pritjen në rezidencën Lohn Manor ku ai, bashkë me Presidenten Osmani-Sadriu dhe çiftin presidencial zviceran, u shënua në librin e mysafirëve të veçantë, si dhe në banketin shtetëror dhe darkën zyrtare. Gjatë ditës së parë, z. Sadriu realizoi edhe një vizitë të ndarë, bashkë me homologun e tij zviceran, dr. Morten Keller, në Institutin e Kërkimeve Mjekësore në Spitalin Kantonal të Bernës. Ky institut përfaqëson një qendër të rëndësishme kërkimore në fushën e mjekësisë dhe inovacionit teknologjik, me fokus në zhvillimin e zgjidhjeve për sfidat globale të shëndetit publik. Gjatë vizitës, homologët u njohën me projekte që kontribuojnë në përmirësimin e sistemeve shëndetësore përmes kërkimeve të avancuara dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në ditën e dytë, Zoteriu i Parë mori pjesë në të gjitha aktivitetet zyrtare të zhvilluara në kantonet Thurgau, St. Gallen dhe Gjenevë, bashkë me Presidenten Osmani-Sadriu. Po ashtu, z. Sadriu zhvilloi bashkëbisedime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Ignazio Cassis, si dhe me anëtarë të tjerë të Këshillit Federal dhe peronalitete të mërgatës tonë në Zvicër. Në këto takime u diskutuan çështje kyçe të forcimit të partneritetit ndërmjet dy shteteve. Kjo vizitë shtetërore theksoi lidhjet e forta ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke hapur horizonte të reja për bashkëpunim të qëndrueshëm në të ardhmen.