Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu dhe zotëria i parë, z.Prindon Sadriu, kanë marrë pjesë në marshin, i cili u organizua nën patronatin e saj, me moton “Ec me mua, çdo hap numërohet”, në Ditën Botërore për Ndërgjegjësim për Autizmin.
Ky marsh, sipas Presidentes Osmani është organizuar me qëllimin që të ndërgjegjësohet shoqëria se fëmijët, por edhe të rriturit me autizëm kanë nevojë për zërin dhe mbështetjen tonë.
“Së bashku me shoqatat që përgjatë viteve të shumta kanë punuar në mënyrë që jo vetëm të ndërgjegjësojmë shoqërinë edhe institucionet, por në të njëjtën kohë t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rriturit me autizëm. Jemi sot këtu që sërish të flasim për problemet me të cilat ballafaqohen, për sfidat me të cilat ballafaqohen”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin për gjithsecilin, për çdo shoqatë që ka punuar këtu në Kosovë, por edhe Shpresën që sërish ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara, e cila vjen çdo disa muaj për t’u siguruar që shoqatat të ndihmohen, që prindërit të ndihmohen, e mbi të gjitha që fëmijët dhe të rriturit me autizëm të ndihen të barabartë në shoqërinë tonë.
“Fatkeqësisht akoma ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë, por jemi këtu me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, përfaqësues të qeverisë, të komunës, por edhe shumë qytetarë të tjerë të cilët e kuptojnë se sa është e rëndësishme që të përqafohen vlerat e secilit, dhe e kuptojmë shumë mirë se vetëm pse jemi të ndryshëm nuk do të thotë që nuk duhet të jemi të barabartë”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja Osmani ka bërë thirrje që mbi të gjitha t’u falim këtyre fëmijëve dhe të rriturve me autizëm dashurinë, respektin dhe mbështetjen që e meritojnë.
“Si institucione jemi të përkushtuar që të bëjmë gjithçka në mënyrë që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe në mënyrë që t’ju jepet kjo mbështetje që këta fëmijë të jashtëzakonshëm, që këta të rritur të jashtëzakonshëm e meritojnë nga secili prej nesh”, ka thënë Presidentja.