Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i uroi sot të gjithë besimtarët ortodoksë serbë dhe qytetarët e vendit me rastin e Krishtlindjes ortodokse.
Në mesazh thuhet:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Me rastin e festës së Krishtlindjes ortodokse, ju shpreh urimet më të mira.
Uroj që këtë ditë të dashurisë dhe të mirëkuptimit për njëri-tjetrin ta kaloni me gëzim në familjet e juaja, në paqe dhe në harmoni me të gjithë të dashurit tuaj.
Vendi ynë është shembull i mirë i bashkëjetesës, i mirëkuptimit dhe i tolerancës në mes njerëzve me etni dhe besim të ndryshëm. Le të shërbejë kjo ditë feste për të shtuar edhe më shumë dashurinë dhe respektin ndërmjet gjithë qytetarëve, me besimin e plotë për një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për të gjithë.
Urime dhe me fat!
Presidentja e Republikës së Kosovës,
Atifete Jahjaga