DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, zotëri Trajko Veljanovski. Kryetari Veljanovski tha se kjo është vizita e tij e parë në Republikën e Kosovës dhe i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve shumë të mira.

Ai tha se Maqedonia dhe Kosova nuk kanë asnjë çështje të hapur mes vete dhe se duhet të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat përfshirë atë të ekonomisë dhe të infrastrukturës.Zotëri Veljanovski tha se është në interes të të gjitha vendeve të Ballkanit përshpejtimi i procesit të integrimit në strukturat euroatlantike dhe se është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet tyre.Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë tha se vendi i tij mund të ndihmojë procesin e integrimeve evropiane duke bartur gjithë përvojat tek institucionet e Kosovës.    Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga duke i vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira tha se ato janë edhe në interes të stabilizimit të rajonit. Presidentja Jahjaga tha se bashkëpunimi i gjithanshëm dhe veçanërisht bashkëpunimi ekonomik ndihmon të dyja vendet dhe është në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.Ajo tha se Parlamentet e të dyja vendeve duhet të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta me qëllim të shkëmbimit të përvojave mes tyre. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë duhet të ta ndihmojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike, sepse kjo është e ardhmja e përbashkët.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.