Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, zotëri Isa Mustafa, bazuar në Kushtetutë dhe në ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, kanë emëruar sot, zotëri Latif Merovcin, zëvendësdrejtor të AKI-së.
Emërimi i zotëri Merovcit, zëvendësdrejtor të AKI-së, u bë pasi Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa, paraprakisht, kanë pranuar dorëheqjen nga detyra të zëvendësdrejtorit të deritashëm të AKI-së, zotëri Muharrem Ajetit, të cilin e kanë falënderuar për angazhimin dhe punën në ndërtimin e AKI-së. Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në ligjin për AKI-në, kanë emëruar sot në detyrën e inspektorit të përgjithshëm të AKI-së, zotëri Shkëlzen Sopjanin.