presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Kryeministri Thaçi informoi Presidenten Jahjaga për takimin me kryeministrin e Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga priti sot në një takim pune Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçin, të shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, zotëri Hajredin Kuçi.

Kryeministri Thaçi e informoi Presidenten Jahjaga  për rrjedhën e takimit të dytë ndërmjet kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë që u mbajt në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, baroneshës Ketrin Ashton. Kryeministri theksoi se që në fillim të takimit ka ngritur çështjen e personave të pagjetur duke shprehur përkushtimin se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është një nga prioritetet e secilës pjesë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, është kërkuar tërheqja dhe shpërbërja e strukturave ilegale të Serbisë që veprojnë në një pjesë të territorit të shtetit të Kosovës. Kryeministri Thaçi  theksoi se është biseduar dhe se është rënë dakord për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe së shpejti do të fillohet me implementimin e kësaj marrëveshjeje në katër vendkalime kufitare, gjithashtu është biseduar për mbrojtjen e monumenteve kulturore, historike, fetare që do të bëhet nën përkujdesjen e Policisë multietnike të Kosovës, për autostradën  që e lidh Kosovën me Korridorin evropian 10, si dhe është biseduar për hapjen e Zyrave ndërlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu është biseduar që financimi nga Republika e Serbisë i paraparë edhe me Planin e Ahtisarit për institucionet e trashëgimisë, të kulturës, fetare , shëndetësore, arsimore etj., të bëhet në mënyrë transparente Presidentja Jahjaga i dha mbështetje të plotë procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke theksuar që kjo do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe do të përshpejtojë rrugën e integrimeve evropiane. Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi biseduan dhe bashkërenduan veprimet për festimin e njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë, për vizitat e zyrtarëve të shtetit të Kosovës jashtë vendit dhe për pjesëmarrjen në konferencat ndërkombëtare, si dhe disa çështje të funksionimit demokratik institucional në vend.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.