DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Kryeministri Thaçi e informoi Presidenten Jahjaga për dialogun në Bruksel

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçin, i cili e informoi për dialogun që po zhvillohet në Bruksel, ndërmjet qeverive të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, me mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Thaçi e informoi Presidenten Jahjaga për rrjedhën e takimit të fundit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave dhe për marrëveshjet e arritura në parim që priten të konkretizohen në takimin e radhës më 4 mars. Kryeministri tha se është arritur pajtimi që të shpërbëhen strukturat policore dhe të inteligjencës të Serbisë në Kosovë dhe që të transformohen strukturat e tjera, të krijohet asociacioni i komunave ekzistuese me shumicë serbe në Kosovë, dhe që në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetarët e komunave, si dhe të funksionalizohet sistemi i drejtësisë dhe i gjykatave edhe me krijimin e dy gjykatave komunale, të Republikës së Kosovës në Leposaviq dhe në Zveçan.Kryeministri Thaçi theksoi se të gjitha zgjidhjet janë në kuadër të respektimit të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që kanë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, dhe që janë funksionale dhe të pranueshme nga të gjithë qytetarët.Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i dha mbështetje të plotë dialogut  që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Qeverisë  së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së  Republikës së Serbisë e që po udhëhiqet nga kryeministrat e shteteve. Ajo theksoi se dialogu po dëshmohet si e vetmja mënyrë e suksesshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane, dhe se të gjitha marrëveshjet që po arrihen janë sipas standardeve dhe normave më të larta evropiane dhe në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, të sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të ingerencave të pushtetit në të gjithë territorin e shtetit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.