presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Konsultim publik me historianë, gazetarë, artistë, profesionistë ligjorë nga komuniteti serb dhe komunitetet e tjera

5 Prill 2019, Graçanicë – Ekipi Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin zhvilloi konsultimin e radhës me historianë, gazetarë, artistë, profesionistë ligjor nga komuniteti serb dhe komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës.

Profili i personave dhe organizatave të ftuara ishte shumë divergjent edhe për nga përkatësia etnike dhe konsultimi publik mbi temën e së vërtetës dhe pajtimit ka zgjuar kureshtje të madhe.

Paneli nga Ekipit Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ishte i përbërë nga Nora Ahmetaj dhe Baki Svirca, të cilët fillimisht sqaruan konceptet themelore të Drejtësisë Tranzicionale, pastaj pjesëmarrësit i njoftuan me përvojat e të tjerëve dhe po ashtu folën edhe për iniciativën e Presidentit për Komisionin e së Vërtetës në Kosovë dhe pse ai na duhet.

Të pranishmit theksuan se kjo iniciativë është e qëlluar. Porkurorja Argita Bulatović tha „Se kjo iniciativë ndoshta është pak e vonshme dhe duhet të themelohet nga Kuvendi, edhe pse është iniciativë e Presidentit”.

Ndërsa profesori nga Prizreni Sadik Idriz, pati sugjerime shumë koncize, sipas tij “nëse formohet ky komision, nuk duhet të jetë vetëm për pajtimin shqiptaro-serb, por duhet të përfshihen edhe komunitetet e tjera dhe të ketë përbërje multietnike”.

Profesoresha e historisë Fetnan Dervish, nga komuniteti turk pyeti “a do të përfshihet edhe  fusha e arsimit, sidomos lënda e historisë, pasi kjo lëndë shpesh është nxitës për veprime të ndryshme”.

Ndërsa, drejtori i shtëpisë së kulturës në Graçanicë, Živojin Rakočević mendon se “edhe terminologjikisht e vërteta nuk është e pranueshme njejtë për të gjithë”, kurse pjesëtari i komunitetit rom Daut Qilangji, në diskutimin e tij pyeti “a ka mundësi të na shpjegoni se çfarë të vërtete ky komision mund ta zbardhë për komunitetin rom, i cili nuk ka qenë as në anën e serbëve e as në anën e shqiptarëve?”

Pjesëmarrësit e konsultimit publik e kanë mirëpritur iniciativën e Presidentit dhe ishin të vetëdijshëm për vështirësit e procesit dhe u pajtuan që   motoja e vetme e komisionit duhet të jetë e vërteta. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.