presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Konferencë për media pas takimit të Presidentes së Kosovës dhe Presidentit të Hungarisë

Pas takimit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidenti i Hungarisë, Pal Schmitt, patën një konferencë të përbashkët për media.

Budapest, 14 shtator 2011

Po sjellim më poshtë deklaratat dhe përgjigjet që ata dhanë në pyetjet e gazetarëve:

Presidenti Pal Schmitt:

Ne konstatuam se kemi marrëdhënie shumë të mira miqësore mes dy vendeve. Ne përpiqemi që, që nga koha para tre vjetësh kur kemi njohur pavarësinë e Kosovës, marrëdhëniet që kemi krijuar t’i intensifikojmë edhe më tej.

Meqenëse ne me konsekuencë kemi përcjellë të gjitha ato proceset e afrimit të vendeve të Ballkanit, mes tyre edhe Kosovës, drejt Evropës, ne jemi të gatshëm të ofrojmë eksperiencën tonë në këtë drejtim.

Konkretisht dhe teknikisht ne jemi në Kosovë për të ndihmuar për ngritjen e institucioneve, në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it, që është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ndihmuar Kosovën.

Ne biseduam me Presidenten Jahjaga dhe konstatuam se numri prej 81 vendesh që e kanë njohur Republikën e Kosovës do të vazhdojë të rritet dhe unë jam një nga ata që do të japë kontributin në këtë fazë shumë të rëndësishme.

Vendet e ndryshme të Ballkanit janë në stade të ndryshme në procesin e integrimeve euroatlantike. Ne duam që Kosova të mos mbetet prapa në këtë proces në krahasim me vendet e tjera.

Ne u pajtuam me zonjën Presidente se marrëdhëniet ekonomike lënë ende për të dëshiruar. Ne do të nxisim biznesin hungarez, që të kthejë sytë nga Kosova, që të futet në Kosovë, si edhe në vendet e tjera ballkanike.

Presidentja Atifete Jahjaga:

Vizita ime në Republikën e Hungarisë, me ftesën e Presidentit të nderuar Pal Schmitt, ka për qëllim të përparojë marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë. Gjatë kësaj vizite pata mundësinë të njoftohem me përvojat hungareze për ndërtimin e demokracisë, për tranzicionin dhe për ndërtimin e sistemit shumëpartiak dhe  kapërcimin më të lehtë të pasojave të së kaluarës.

Me Presidentin Pal Schmitt. biseduam për marrëdhëniet bilaterale, sidomos për bashkëpunimin ekonomik dhe për procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe për lobimin e mëtutjeshëm në mënyrë që Kosova në një të ardhme të bëhet vend anëtar i OKB-së, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i Aleancës Veri-Atlantike NATO, si dhe të pranohet me të drejta të plota anëtare e organizatave ndërkombëtare.

Përvoja dhe ndihma e Republikës së Hungarisë e ka një rëndësi të veçantë për vendin tim. Me Presidentin e Hungarisë biseduam edhe për gjendjen e përgjithshme në rajon dhe në veçanti për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

I kam dhënë përkrahje të plotë dialogut, sepse kjo është rruga e vetme me të cilën dy vendet, të cilat kanë qenë në luftë, mund t’i normalizojnë marrëdhëniet. Dialogu sjell marrëveshjet të cilat mbështeten dhe realizohen nga dy shtetet tona dhe kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit, duke mundësuar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe këmbimin e mallrave duke respektuar doganat e secilit vend. Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë në një periudhë jo të largët do ta njohin njëra-tjetrën dhe do të vendosin marrëdhënie diplomatike si dhe do të nënshkruajnë marrëveshje ndërshtetërore të cilat tashmë Kosova i ka të nënshkruara me vendet e tjera fqinje.

Për Republikën e Kosovës është jetik anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe ne jemi duke i shfrytëzuar përparësitë e pranisë së misioneve të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë që arritja e standardeve dhe plotësimi i kushteve ta kenë shpejtësinë e nevojshme..

Kosova ka nevojë për rrugë të qartë të integrimeve euro-atlantike. Për këtë, unë sapo isha në një vizitë të suksesshme në Bruksel gjatë së cilës pata takim me komisionarin për zgjerim Stefan Fuele, me Presidentin e Këshillit të Evropës Herman Van Rompuy, me kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Republika e Kosovës duhet sa më shpejt ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave qe është në interes të qytetarëve të Kosovës që ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, e sidomos të rinjtë, duke i përmbushur nevojat e tyre për shkollim dhe aftësim. Kosova gjithashtu duhet të ketë rrugën e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për këtë unë mora premtime të forta dhe vendi im, për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, nuk do të mbetet jashtë proceseve të integrimit sepse do të gjenden modelet përkatëse që janë në harmoni me synimet e BE-së për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit. 

Marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë ndihmojnë paqen dhe stabilitetin si dhe relaksimin e marrëdhënieve në rajon, ndërsa bashkëpunimi ekonomik, kulturor, shkencor është në funksion të mirëqenies së qytetarëve të dy vendeve tona. 

Përgjigjet në pyetjet e gazetarëve:

Pyetje: Jam nga gazeta “Népszabadság”. Pyetja ime që ju dedikohet juve Zonja Presidente, ka të bëjë me atë se çfarë ka thënë z.Dick Marti se z.Hashim Thaqi  ka qenë një nga udhëheqësit e UÇK dhe ka qenë pjesëmarrës në trafikim të organeve dhe desha të di sa reale dhe sa të vërteta janë të thënat e zotërisë dhe çfarë hetimesh janë të mundshme në rast se do të kryhen hetime?

Presidentja Jahjaga: Unë them se duhet t’i lejohet drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare që ta kryejë punën e vet. Çdo rast dhe çdo  krim i supozuar duhet të hetohet me përpikëri  e veçanërisht rastet e krimeve si është trafikimi me organe, që konsideroj që janë rastet më të rënda të krimeve, kërkojnë një përpikëri dhe përkushtim të veçantë për hetimin e tyre.
Të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës kanë ofruar përkrahjen e plotë dhe mbështetjen e nevojshme për drejtësinë ndërkombëtare dhe vendore për hetimin me përpikëri të këtyre rasteve. Dhe të gjitha komisionet të caktuara për zbulimin e rasteve të tilla, apo komisionet të cilat mund të caktohen në  të ardhmen do ta kenë përkrahjen dhe bashkëpunimin e nevojshëm nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Mirëpo, kur jemi tek kjo unë dua të shpreh mendimin tim lidhur me një element tjetër që duhet t’i kushtohet rendësi të madhe,  hetimit të rasteve kur mbi 3000 persona janë të zhdukur në Kosovës, gjatë luftës dhe krimeve të tmerrshme të bëra nga ana e Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Deri më tani rreth 900 trupa të personave janë gjetur në varrezat masive përbrenda llogoreve dhe kampeve, brenda territorit të Serbisë. Unë shpreh brengen time se pse këto fakte nuk janë përfshirë në raportin e Dik Martit.

Pyetje: President Schmitt. Përveç ndihmën që keni dhënë për proceset  shtetndërtuese të Republikës së Kosovës, qoftë përmes pjesëmarrjes në misionet ushtarake në kuadër të KFOR-it dhe po ashtu të misioneve të OKB dhe Bashkimit Evropian. Ajo çfarë më intereson, e që është më esenciale këtë periudhë që po kalon Republika e Kosovës është se cila do të jetë ndihma që do të ofrojë Republika e Hungarisë në redaksinë e raporteve në kuadër të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Presidenti Schmitt: Siç e kam përmendur edhe konkretisht në nivelin tim si president do të jap mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe do të kem takime të drejtpërdrejta në nivel presidentësh për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës,. Së shpejti do të kem takime dhe me presidentin e Sllovakisë dhe Hungarisë dhe me ta do ta hapë këtë çështje.

Edhe dialogun që është nisur mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës e quaj si një gjë shumë pozitive. Këto dy shtete janë të interesuara për të njëjtin qëllim, të afrohen sa më shumë dhe sa më shpejt në procesin drejt integrimit ne Evropën e bashkuar, dhe natyrisht një nga kushtet që do të vendos Evropa e bashkuar do të jetë që Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë të rregullojnë marrëdhëniet dypalëshe. Unë kam marrëdhënie të mira me presidentet e të dy shteteve dhe do të flas nga afër për këtë çështje, duke shpresuar shumë që duke qenë mik i të dy presidentëve do të arrij që këto marrëdhënie kaq të errëta të kthehen në ndihmë të njëri-tjetrit në të ardhmen.

Pyetje: Cila do të jetë ndihma konkrete që do të mund të ofrojë Republika e Hungarisë në rrugëtimin e Kosovës për marrjen e udhërrëfyesit për vizat dhe në përgjithësi për rrugën që do të bëjë Kosova për integrimin drejt strukturave evropiane?

Presidentja Jahjaga: Republika e Hungarisë është vend anëtarë i BE-së dhe i NATO-s. Ftesa që më është bërë që si presidente e Kosovës të kem një vizite shtetërore është një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mëtutjeshme.

Republika e Hungarisë është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj, edhe duke vendosur marrëdhënie diplomatike, në nivel të ambasadës.

Hungaria si edhe shtetet e tjera anëtare të BE-së ka luajtur një rol mjaft konstruktiv në marrëdhëniet e Kosovës dhe promovimin e vlerave të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, si faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Me nikoqirin biseduam për format dhe modalitet e shumta për bashkëpunimin mes dy shteteve tona, duke marrë Kosova përvoja të mira nga Hungaria në procesin e tranzicionit për procesin e transformimit  të përgjithshëm, zhvillimin e tregut dhe ekonomisë ,  ndërtimit te sistemit demokratik dhe shumëpartiak, përvojat e mira nga procesi i zgjedhjeve lokale , e veçanërisht procesit të adoptimit të ligjeve që janë të domosdoshme për procesin që është duke e kaluar  Kosova drejt integrimeve evropiane.

Po ashtu, me nikoqirin biseduam për mënyrat dhe modalitetet e ofrimit të përkrahjes për procesin e marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës dhe qytetaret e saj dhe për gjetjen e formave konkrete, përkundër faktit që pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Po ashtu, mora përkrahjen e presidentit Schmitt se do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën dhe institucionet e Kosovës në njohjen e mëtutjeshme të pavarësisë së Kosovës, veçanërisht duke ushtruar edhe ndikimin e tij në pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Presidentja Jahjaga vizitoi Bazilikën në qytetin e Esztergomit

Gjatë vizitës shtetërore në Hungari, Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga iu ofrua pritje madhështore. Përveç takimeve të shumta, ajo zhvilloi edhe një varg aktivitetesh të tjera si dhe vizitoi objekte të ndryshme me rëndësi historike dhe kulturore.

Me këtë rast, ajo vizitoi edhe Bazilikën në qytetin e Esztergomit, e cila në brendinë e saj i katakombet apo kripton e hershme kristiane. Presidentja vizitoi edhe vlerat muzeale të periudhave të hershme, një pasuri e çmuar muzeale e mbledhur nga e gjithë Hungaria.

Gjatë gjithë vizitës, Presidentja Jahjaga po shoqërohet nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Republikën e Hungarisë, zonja Shkëndije Sherifi.
 

This site is registered on wpml.org as a development site.