presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Konferenca për media e Presidentes Jahjaga dhe Presidentit Josipoviq

Pas takimit bilateral, Presidentja Atifete Jahjaga dhe Presidenti Ivo Josipoviq, dhanë nga një deklaratë për media dhe u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve.

Në vijim po japim transkriptin nga kjo konferencë: Presidenti Ivo Josipoviq: Në takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga bëmë një përmbledhje të marrëdhënieve tona të deritashme. Konstatuam se mes dy vendeve tona nuk ka çështje të hapura, që marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe se ka shumë hapësirë për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve.Marrëdhëniet mes dy vendeve tona çojnë drejt paqes në rajon dhe perspektiva jonë është perspektiva evropiane.Biseduam për një varg çështjesh, për bashkëpunimin në shumë fusha, për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit.Në këtë kohë krize botërore, biseduam për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe theksuam se ka një hapësirë për të rritur këtë bashkëpunim.Biseduam edhe për pjesëtarët e pakicës shqiptare në Kroaci dhe për pjesëtarët e pakicës kroate në Kosovë. Përshëndeta angazhimin e Presidentes së Kosovës për përmirësimin e gjendjes së komunitetit kroat në Kosovë. Ndaj Kosovës Kroacia zhvillon politikën e marrëdhënieve të mira dhe politikën që mbështet rrugën e integrimit evropian të Kosovës.  Presidentja Jahjaga: Jam në vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë me ftesë të mikut tim, Presidentit Josipoviq. Patëm një takim shumë të frytshëm, biseduam për përparimin e marrëdhënieve të gjithanshme ndërmjet dy shteteve tona.U pajtuam se qytetarët e Kosovës që me vite jetojnë në Kroaci dhe kroatët që jetojnë në Kosovë janë ura të miqësisë dhe të bashkëpunimit, të shkëmbimit të kulturave dhe të njohjes reciproke. Këta qytetarë kanë shtetësi të dyfishtë dhe unë nuk i konsideroj të shpërngulur klasikë, sepse kanë pronat e tyre dhe lëvizin lirshëm nga njeri shtet në tjetrin dhe është interes i yni që ata të jetojnë dhe punojnë aty ku e kanë më së miri. Ne i kemi krijuar të gjitha kushtet që kjo të realizohet.E përgëzova Presidentin Josipoviq për sukseset e Kroacisë dhe popullit të saj në rrugën e Integrimeve Evropiane. Ky sukses është një shembull nxitës dhe hap një faqe të re për të gjitha vendet e rajonit në bashkëpunimin e ndërsjellë në zgjidhjen e të gjitha çështjeve ndërmjet veti dhe në plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme që kërkohen nga Bashkimi Evropian sidomos zhvillimin e proceseve demokratike, lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.E  vlerësojmë ndihmën e deritashme dhe e mirëpresim ndihmën e vazhdueshme të Kroacisë për procesin e Integrimeve Euroatlantike për Republikën e Kosovës. Me presidentin Josipoviq u  pajtuam se e ardhmja e te gjitha shteteve të Ballkanit perëndimor është në Integrimin në Bashkimin Evropian.Kjo i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet popujve dhe vendeve.Me Presidentin Josipoviq biseduam për bashkëpunimin kulturor dhe arsimor dhe sidomos për bashkëpunimin ekonomik, për këmbimin tregtar, për investimin e kapitalit, për daljen e përbashkët në tregjet e tjera.Ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë nuk kemi asnjë çështje të hapur dhe kemi pikëpamje të njëjta apo të ngjashme për çështjet ndërkombëtare.Unë me vete kam disa ministra të Qeverisë së Kosovës që konkretisht do të shohin mundësinë e bashkëpunimit në fusha të caktuara ndërmjet dy shteteve tona. Në vijim, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Josipoviq u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve: Pyetje: A pritni që Serbia të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës me zgjedhjen e Nikoliqit president? Josipiviq: Unë nuk mund të parashikoj cila do të jetë politika e një shteti tjetër e as e Serbisë. Kohëve të fundit ne kemi pasur raporte të mira me Serbinë dhe do të dëshiroja që ato ta vazhdojnë. Megjithatë, por arsyet që i dini, unë nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Nikoliqit në Beograd. Pyetje: Cila është rëndësia e vizitës suaj në Kroaci dhe cilat janë zotimet që ju dhe presidenti Josipoviq i keni bërë? Jahjaga: E vlerësoj të rëndësishme këtë vizitë në Republikën e Kroacisë sepse të dyja vendet tona po e vazhdojmë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e gjithanshme.  Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë shembull në rajon. Republika e Kroacisë është një hap më afër Bashkimit Evropian dhe përvoja e saj në këtë rrugë të integrimeve si dhe në shtet ndërtim është një udhërrëfyes i mirë dhe i dobishëm për Republikën e Kosovës.   Unë i shpreha Presidentit Josipoviq përkushtimin për zhvillimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve tona, në interes të popujve tanë. I garantova për pozitën e kroatëve në Kosovë, i garantova një vend te rezervuar te deputetit për komunitetin kroat si dhe i garantova se së bashku do te punojmë për të krijuar kushtet që të gjithë Kroatët, qe dikur kanë jetuar në Kosovë do te kenë mundësi të kthehen kurdo dhe te vazhdojnë te jetojnë dhe punojnë.  Sa i përket bashkëpunimit ekonomik ndërtimi i autostradës Durrës-Prishtine mundëson këmbim më të lirë dhe më të mirë ndërmjet dy vendeve tona si nëpërmjet rrugës detare, ndërmjet portit të Rjekës dhe portit të Durrësit ashtu edhe nëpërmjet magjistrales së Adriatikut. Pyetje: Zonja Presidente në Serbi kanë ndryshuar raportet dhe Presidenti i ri serb Nikoliq ka ripërsëritur qëndrimin se nuk heq dorë nga Kosova. A po rrezikohet dialogu me Serbinë dhe a mund të ketë ndryshim të raporteve mes dy vendeve tuaja tani? Jahjaga: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur me demokraci të konsoliduar dhe me miqësi të fuqishme ndërkombëtare çfarë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Procesi i zgjedhjeve në cilindo shtet fqinj nuk mund të ketë asnjë ndikim.  Në jemi të gatshëm për bashkëpunim me te gjitha shtetet fqinje. Me Kushtetutë e kemi të sanksionuar se nuk kemi aspirata territoriale ndaj askujt dhe kërkojmë qe edhe shtetet fqinje të respektojnë këto parime. Me Serbinë dëshirojmë bashkëpunim te sinqertë duke respektuar Sovranitetin dhe Integritetin Territorial të njëri tjetrit në interes të paqes dhe stabilitetit dhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve. Ndërkaq, dialogu është bërë me pajtimin ndërmjet dy vendeve, me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Marrëveshjet e deritashme lehtësojnë komunikimin ndërmjet qytetareve dhe ua bëjnë më të lehte jetën atyre.E ardhmja e dialogut varet nga akterët se si dëshirojnë ta vazhdojnë dialogun. Kosova e ka shprehur gatishmërinë qe dialogu të vazhdojë posa të shohim implementimin e marrëveshjeve të bëra deri më tash nga Serbia. Ne nuk shohim asnjë rrugë tjetër me te cilën detyrohet Serbia t’i përmbushë obligimet e veta si faktor ndërkombëtar dhe të sillet si një shtet fqinje karshi Kosovës. Pyetje: A keni frikë nga eskalimi i gjendjes në verë të Kosovës. Jahjaga: Sa u përket tri komunave ku jeton shumicë serbe, qytetarët i gëzojnë të gjitha të drejtat, sikur komunitetet e tjera pakicë. Qytetarët serbë që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës janë qytetarë të Republikës së Kosovës.  E ardhmja e këtij komuniteti varet nga vet ky komunitet, nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës. E ardhmja e këtij komuniteti është integrimi i plotë në institucionet e Republikës së Kosovës, implementimi i plotë i Pakos së Ahtisarit, që është implementuar në të gjitha pjesët e tjera të Republikës së Kosovës.Për këta qytetarë është sa më mirë që sa më shpejt të lirohen nga strukturat ilegale që kanë qenë dhe janë sfidë për institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare. Ata duhet të heqin dorë nga idetë e tyre të vjetra. Sepse nuk ka ndarje të Kosovës e as të Serbisë, nuk ka shkëmbim të territoreve e as shkëmbim të popullsisë. Njerëzit njëherë e përgjithmonë duhet të shmangin idetë e shekullit XIX dhe të mendojnë me idetë e shekullit ku jetojnë. Sepse e ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe e të gjitha vendeve është në integrimet evropiane.  Pyetje: A do të jetë vizita e Presidentes Jahjaga pengesë për marrëdhëniet Kroaci-Serbi? Josipoviq: Kroacia është një nga shtetet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Gjatë bisedimeve të sotme ne kemi biseduar për marrëdhëniet Kroaci-Kosova, për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve dhe jo për Serbinë.Zonja Jahjaga ka vizituar edhe shumë shtetet evropiane dhe nuk ka arsye të mos jetë sot për vizitë në Kroaci.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.