presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u prit nga kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Kroacisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, zhvilloi një drekë pune me kryetarin e Kuvendit, zotëri Boris Shprem, i shoqëruar nga një delegacion i parlamentarëve kroat.

Presidentja Jahjaga, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku dhe ministri i ekonomisë Besim Beqaj, theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe posaçërisht ndërmjet dy Kuvendeve. Ajo tha se përvoja e Kuvendit të Kroacisë në fushën e legjislacionit dhe të harmonizimit të tij si dhe përvoja në rrugën e saj të integrimeve evropiane mund të shërbejë si një udhërrëfyes për Kosovën dhe proceset e saj integruese.Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet qytetar ku të gjitha komunitetet gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta, përfshirë edhe komunitetin kroat që jeton në Kosovë dhe që me ndryshimet e reja kushtetuese do të bëhet edhe element kushtetues dhe do të ketë të garantuar një vend në Kuvendin e Kosovës.Ajo tha se Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti dhe fqinjësie të mirë në gjithë rajonin e Ballkanit. Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës po punojnë për integrimin e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetin serb në veçanti në tri komunat në veri të vendit. Presidentja Jahjaga theksoi se zbatimi i Planit Ahtisaari në tri komunat në veri është zgjidhja më e mirë meqë ai ofron një gamë të gjerë të të drejtave për komunitetin serb.  Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Boris Shprem, theksoi se vend i tij është i përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat dhe posaçërisht duke shkëmbyer përvojat në procesin e integrimeve evropiane. Ai tha se është me rëndësi që të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Presidentja Jahjaga u prit nga kryeministri kroat MilanoviqPresidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, e shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministrja e integrimeve evropiane Vlora Çitaku dhe ministri i ekonomisë, Besim Beqaj, u prit sot nga kryeministri kroat, Zoran Milanoviq.Presidentja Jahjaga vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se lidhjet ndërmjet dy vendeve duhet të forcohen edhe më shumë. Ajo tha se anëtarësimi i Kroacisë në BE duhet të shërbejë si një shembull për gjithë rajonin i cili synon integrimet evropiane.Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe Kroacia duhet të shkëmbejnë përvojat e tyre në të gjitha fushat dhe se Republika e Kroacisë mund ta ndihmojë Kosovën në veçanti në fushën ekonomike dhe në atë të investimeve. Ajo tha se kompanitë kroate dhe ato të Kosovës kanë një bashkëpunim shumë të mirë meqë të dyja vendet tradicionalisht kanë pasur lidhje të mira mes vete.Ajo tha se Republika e Kosovës ka nevojë për ndihmë në procesin e integrimeve evropiane dhe përvoja e Kroacisë, është shumë e dobishme për vendin.Kryeministri i Republikës së Kroacisë, zotëri Zoran Milanoviq, theksoi se vendi i tij është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në aspektin teknik në të gjitha fushat e posaçërisht në proceset e përafrimit me BE-në. Kryeministri kroat Milanoviq theksoi se Kosova duhet të bëjë reforma të thella dhe të punojë me përkushtim në realizimin e synimeve të saj. Ai tha se zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet dhe Republika e Kroacisë është e gatshme që të ndihmojë në këtë fushë.    

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.