Kryetari i Kuvendit ka marrë sot përgjigje nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në pyetjet e shtruara.
Në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pyetjet e shtruara nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi thuhet:“Sa i përket pyetjes së parë, nëse Aktgjykimi i kësaj Gjykate ka efekt retroaktiv, përgjigja është se Aktgjykimi hyn në fuqi me efekt të menjëhershëm, me 30 mars 2011, dhe se Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr.04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, i 22 shkurtit 2011, më nuk është në fuqi që nga 31 marsi 2011, që është dita e publikimit të këtij Aktgjykimi në Gazetën Zyrtare.Sa i përket pyetjes së dytë, nëse Aktgjykimi i kësaj Gjykate imponon shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, përgjigja është jo.Sa i përket pyetjes së tretë, nëse Kosova ka President, përkatësisht ushtrues të detyrës së Presidentit, përgjigja është se Kosova ka ushtrues të detyrës së Presidentit që nga 31 marsi 2011. Pra, nuk ka vakum institucional që nga data e publikimit të këtij Aktgjykimi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.