presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Jahjaga: Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria duhet të shtrihen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka dhënë një deklaratë me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në deklaratë thuhet: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit më të lartë juridik të vendit tonë, katër vjet më parë, është një akt historik, që shpreh vullnetin e popullit të Republikës së Kosovës. Duke qenë garanti i të drejtave dhe i lirive të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, garanti i fjalës së lirë, i lëvizjes së lirë dhe i sundimit të ligjit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka hapur rrugë zhvillimit të vendit tonë në të gjitha fushat. Mbështetur mbi këtë dokument fundamental, Kosova po ndërtohet mbi bazat e një shteti ligjor, që sundimin e ligjit e ka parim themelor të funksionimit të saj dhe që respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve bëhet vlerë e lartë e shoqërisë sonë.Ndërtimi i shtetit ligjor kërkon përpjekje dhe përfshirje të vazhdueshme të institucioneve dhe të gjithë shoqërisë në Republikën e Kosovës, të njerëzve të barabartë që respektojnë atdheun e tyre. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria duhet të shtrihen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe tri komunat në veri të vendit, dhe qytetarët e shtetit tonë, pavarësisht përkatësive të tyre, duhet të ndjehen të barabartë dhe të mbrojtur me Kushtetutë. Gëzuar 9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.