Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Panairit të Grave Ndërmarrëse në Shtërpcë.
Në vijim po ua përcjellim të plotë fjalën e Presidentes Jahjaga : Të nderuara zonja të pranishme, Ju po hapni sot panairin tuaj të fryteve të mundit dhe suksesit dhe kjo më jep mundësi të njihem nga afër me ju si dhe të dëgjoj përvojat tuaja për rrugëtimin që keni bërë. E di që ky rrugëtim nuk është gjithmonë i lehtë duke marrë parasysh periudhën e tranzicionit nëpër të cilin po kalon vendi ynë, por ju dhe koleget tuaja, gjithandej Kosovës, po dëshmoni se me vullnet të mirë e angazhim të madh, mund t’ia dalim. Që prej zgjedhjes sime Presidente e Kosovës, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit e rendit, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë themel i përpjekjeve të mija për t’i kontribuuar stabilitetit dhe për të garantuar prosperitet afatgjatë në Kosovë dhe rajon. Këto dy parime i shoh të lidhura ngushtë me pozitën e gruas në shoqërinë tonë dhe me zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Unë besoj se një demokraci kurrë nuk është e kompletuar pa pjesëmarrjen e plotë të grave në të gjitha proceset. Kam këmbëngulur që rregulloret, ligjet dhe praktikat që i vendosim gjatë ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët, t’i kontribuojnë pjesëmarrjes më të madhe të gruas në shoqëri dhe të ndihmojnë në dëshmimin e potencialit të saj të plotë. Kosova tash është në një pozitë më të mirë. Gruaja në Kosovë sot është pjesëmarrëse aktive në fushën publike dhe në sipërmarrjet private. Rreth 35 për qind e Parlamentit të Kosovës përbëhet nga deputetet; ne kemi një grua Presidente, dy zëvendëskryeministre, nga të cilat njëra udhëheqë edhe me ministrinë e tregtisë dhe industrisë. Procesin e integrimeve evropiane e udhëheqë po ashtu një ministre, sikurse që një grua e udhëheqë procesin e dialogut me shtetin fqinj të Serbisë, me qëllim të adresimit të të gjitha çështjeve në interes të të dyja vendeve dhe që ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Roli i gruas në Kosovë është shndërruar në rol prijës në procese të shumta nëpër të cilat po kalon vendi. Gruaja në Kosovë sot ka kurajën për të tejkaluar problemet e së kaluarës dhe për të adresuar sfidat e së ardhmes. Ajo është bërë simbol i paqes dhe pajtimit, forcë shtytëse e ndryshimeve dhe e zhvillimit në shoqërinë tonë dhe ndërmarrëse e suksesshme në fusha të ndryshme. Jam e përkushtuar që të ndihmoj në rritjen e pjesëmarrjes së gruas në institucionet tona, sepse besoj që zëri i gruas në vendimmarrje rezulton në politika shtetërore e zhvillimore më gjithëpërfshirëse, të tilla që i adresojnë nevojat e të gjithë qytetarëve. Jam po aq e përkushtuar që në Kosovë të krijojmë një klimë të mirë biznesi, që do të tërhiqte investime nga jashtë dhe që do të lejonte që shpirti ndërmarrës në shoqërinë tonë, të dalë në pah. Kjo kërkon luftën e pakompromis ndaj korrupsionit me një politikë të qartë të zero-tolerancës dhe heqjen e çfarëdo pengese apo barriere në mënyrë që grave ndërmarrëse t’iu lejohet eksportimi i produkteve të tyre në tregjet rajonale dhe evropiane. Të nderuara zonja të pranishme, Kosova është vend i të gjithë neve, një shtet qytetar i mundësive të barabarta pa marrë parasysh dallimet tona. Ne po ndërtojmë një shoqëri shumë kulturore të bazuar në vlerat demokratike dhe të respektimit të diversitetit. Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët tanë, pa dallim etnie, pa urrejtje dhe të lirë me vizion dhe me synim të qartë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Rruga jonë drejt e një të ardhmeje të sigurt është e përbashkët dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjitha grupeve etnike do ta lehtësojë atë dhe do të mundësojë një jetë më të begatë e më të mirë. Ne po hapim dyert e integrimeve dhe të punës e jetës së përbashkët, pa barriera dhe pa ndalesa në vendin tonë. Ne po synojmë të hapim mundësitë për të gjithë për ta përmbushur ëndrrën e gjeneratave të kaluara dhe vizionin e gjeneratave të reja. Kosova është vend i mundësive të mëdha dhe i shpresës për të gjithë ne. Është vend që të kaluarën po e tejkalon ngadalë dhe me dhimbje, por që të tashmen po e ndërton me vizionin për të ardhmen Evropiane. Kosova nuk mund të kthehet prapa dhe synimi ynë është që ta ndërtojmë atë në parimin e një shteti ligjor. Ne duhet që së bashku ta kundërshtojmë dhunën që po e shkatërron të ardhmen dhe zhvillimin tonë. Ngjarjet e fundjavës që lamë pas në Mitrovicë, që morën jetën e një qytetari të Kosovës dhe lënduan familjen e tij, janë të papranueshme. Në Kosovën e lirë nuk do të ketë vend asnjëherë për anarki, por për sundimin e rendit dhe të ligjit, për të cilën të gjithë ne jemi të përkushtuar. Sundimi i ligjit duhet të shtrihet në gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe komunat në veri të Kosovës dhe qytetarët serbë në këtë pjesë të territorit duhet të ndjehen dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të vendit. Ne jemi qytetarë me të drejta dhe obligime të barabarta, jemi pjesë të një vendi të përbashkët, që të ardhmen e kemi të ndërlidhur. Dhe e ardhmja jonë e përbashkët, e ardhmja e këtij vendi, është integrimi në BE. Por integrimi nënkupton respektimin e integritetit territorial të secilit vend në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe integritetin e Kosovës. Të gjitha çështjet e hapura brenda territorit tonë, do t’i zgjidhim së bashku përmes dialogut tonë të brendshëm, të institucioneve të Kosovës me qytetarët e vendit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Ju inkurajoj të vazhdoni të krijoni prosperitet për familjen, komunitetin dhe vendin tuaj. Kjo që ju po bëni është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët dhe për pozitën e gruas dhe rolin e saj në shoqëri, por edhe në garantimin e një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme ekonomike. Ju faleminderit! Hvala Vam!