Para 17 viteve, Kosova ishte një vend i posa dalë nga lufta, nga përpjekja për gjenocid, nga një dekadë e represionit dhe aparteidit shtetëror serb dhe nga dekada të tëra të diskriminimit.
Është kënaqësi që t’ju dëshiroj mirëseardhje këtu në Prishtinë.
Është kënaqësi që Kosova është nikoqire e këtij takimi të radhës së Programit Rose-Roth të Asablesë Parlamentare të NATO-s.
E përgëzoj Kuvendin e Kosovës për këtë organizim kaq të mirë.
Besoj që Kosova sot është shumë e qëlluar, që për këtë seminar të tretë këtë vit të jeni në Kosovë.
Shteti ynë është një rast i mirë për të mësuar leksione të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare.
Kosova më nuk është burim i jo-stabilitetit, por – përkundrazi – është eksportues i paqes dhe dialogut.
Kjo e bën Kosovën mundësi të mirë për të mësuar për rastet e ngjashme nga e tërë bota.
Më poshtë do të elaboroj pak për këto mësime nga Kosova.
Zonja dhe zotërinj,
Para 17 viteve, Kosova ishte një vend i posa dalë nga lufta, nga përpjekja për gjenocid, nga një dekadë e represionit dhe aparteidit shtetëror serb dhe nga dekada të tëra të diskriminimit.
Por, në ato ditë të rënda ishte bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht NATO, që u vunë në krye të rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Kosovë.
Qytetarët e Kosovës e pritën me duar hapur forcën paqeruajtëse KFOR, të kryesuar nga NATO dhe misionin e Kombeve të Bashkuara.
Para një muaji, këtu në Prishtinë isha nikoqir i komandantit të parë të forcës paqeruajtëse KFOR, Gjeneralmajorit Mike Jackson.
Me të i kujtuam ditët e pasluftës dhe gatishmërinë e forcës së atëhershme guerile, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të dorëzonte armët dhe të shpërbëhej.
Mbi këtë iniciativë u vunë themelet e forcës së ardhme mbrojtëse të Kosovës.
Ishte ky fryt i besimit në mes nesh dhe juve dhe e bashkëpunimit të sinqertë dhe profesional.
Ky besim është ruajtur edhe sot dhe na mëson se në fakt ndërtimi i besimit në mes palëve është ndër kushtet e para për të pasur paqe e stabilitet të qëndrueshëm.
Një mësim tjetër i atyre ditëve të menjëhershme të pas luftës, që është i vlefshëm për një prej sfidave të mëdha me të cilat po përballet sot Evropa dhe Aleanca Veri-Atlantike, është edhe çështja e refugjatëve.
Në vitin 1999, për shkak të luftës, mbi 1 milion qytetarë të Kosovës apo më shumë se gjyma e popullatës, ishin detyruar të lëshonin vendin e tyre dhe të bëheshin refugjatë në rajon dhe më gjerë.
Por, me përfundimin e luftës dhe me vënien e paqes, këta një milion njerëz nuk pritën as UNHCR-në, as ndonjë agjenci tjetër, por u kthyen vetë në shtëpitë e tyre.
Nuk u pengonte që i kishin shtëpitë e shkatërruara, që ekonomia ishte rrënuar, që institucionet e shtetit duhej ndërtuar prej zeros.
Me rëndësi kishin paqe, ndonëse ende e rëndë, si dhe garanci për siguri dhe stabilitetit, që ishte NATO.
Edhe sot, kur shohim valët e refugjatëve, duhet të angazhohemi që të krijojmë paqe dhe stabilitet për ta.
Ata nuk dëshirojnë asgjë më shumë se sa të kthehen në shtëpitë e tyre, të kenë paqe, të kenë stabilitet.
Shtëpitë e shkatërruara, shtetin e shkatërruar, do ta ndërtojnë përsëri, siç kemi bërë ne këtu në Kosovë.
Zonja dhe zotërinj,
Kosova, falë bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, në shkurt të vitit 2008 ka përfunduar procesin e gjatë të zgjidhjes së statusit të vet politik në skenën ndërkombëtare.
Pjesë e këtij procesi ishin edhe Kombet e Bashkuara, edhe BE, edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Rusia.
Atë muaj Kosova ka shpallur pavarësinë në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare.
Që atëherë kemi arritur larg.
Para një viti kemi arritur të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në.
Kjo erdhi si rezultat i reformave të shpejta dhe të suksesshme në instalimin e rendit dhe ligjit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në shtrimin e bazave të një ekonomie të lirë.
Kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit.
I jemi gëzuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i gëzohemi anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe i gëzohemi mundësisë që edhe Maqedonia së shpejti të hyjë në NATO.
Prandaj, mësimi tjetër nga Kosova është se në Ballkan, NATO do të thotë paqe, do të thotë stabilitet, do të thotë qetësi, do të thotë zhvillim.
Para 17 viteve, Kosova dhe Serbia ishin vende në konflikt, popujt tonë ishin të armiqësuar.
Sot kemi një pikturë krejt tjetër.
Me Serbinë kemi filluar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.
Si rezultat i këtij procesi – që nuk ka qenë i lehtë fare – kemi arritur që njëri-tjetrin ta shohim si fqinj, si bashkëpunëtorë dhe të fillojmë një kapitull të ri në marrëdhëniet tona.
Besoj që ministrja Tahiri dje ju ka informuar në detaje për dialogun e deritashëm.
Më lejoni vetëm që të shtoj se Kosova është e gatshme dhe në fakt kërkon që dialogu të ngritët në një nivel tjetër, të marrë një kualitet tjetër.
Jemi të gatshëm për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe të pajtimit.
Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim, që të vendosim në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë.
Falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunim, sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon.
Por, janë shembull i fuqisë që nëpërmjet dialogut të kthehemi kah e ardhmja më e mirë për të gjithë.
Nga kjo po përfiton edhe rajoni.
Përmirësimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar edhe në përmirësimin e raporteve në mes vendeve tjera të rajonit.
Javën e kaluar në Serbi ishte Kryeministri i Shqipërisë për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve.
Kjo vështirë se do të ishte arritur pa shtensionimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë një herë.
Prandaj edhe themi që Kosova sot është eksportuese e stabilitetit dhe promovuese e dialogut.
Zonja dhe zotërinj,
Jemi krenarë edhe për sukseset në konsolidimin e brendshëm të Kosovës.
Kemi ndërtuar institucione shumetnike në të cilat janë të përfaqësuar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Madje, edhe ata që dikur qëndronin në barrikada në pjesën veriore të Kosovës e madje sulmonin edhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it dhe NATO-s, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, në Parlament, në Qeveri, në qeverisje lokale ku angazhohen për të drejtat e komunitetit të tyre.
Me këtë frymë të bashkëpunimit për të ardhme më të mirë për Kosovën po punojmë edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Armatës së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Përvoja që kemi tani me Forcën e Sigurisë së Kosovës, na bën të jemi optimistë për këtë ambicie.
Forca e Sigurisë së Kosovës është ngritur në partneritet dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.
Ajo është forcë e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, profesionale, me përfaqësim të mirë gjinor dhe e dëshmuar në Kosovë, por edhe në aksione jashtë shtetit të Kosovës.
Kur jemi të Forca e Sigurisë e Kosovës, më lejoni që ta uroj edhe për një sukses tjetër të radhës.
Këtë javë, tetë anëtarë të Brigadës për Reagim të Shpejtë morën medaljen e artë në Britani.
Ishte hera e parë që merrnin pjesë në këtë garë që njihet si ndër më të ashprat e përgatitjes ushtarake.
Nga këtu i përgëzoj këta pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që dëshmuan edhe njëherë se kjo forcë për nga shkalla e përgatitjes është e barabartë me ushtritë tjera të botës.
Forca e Armatosur e Kosovës do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën tonë në aspiratën për t’u bërë anëtarë të NATO-s dhe të BE-së.
Kjo është e ardhmja jonë, ky është konsensusi ynë shoqëror.
Jemi të inkurajuar me Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor që ka kthyer besimin tek bindja se ky rajon e ka vendin në NATO dhe në BE.
Kur jemi në këtë pikë, më lejoni të përmendi edhe një mësim tjetër.
Në Ballkan mësojmë se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka vakum.
E kuptojmë që sot BE nuk e ka mendjen tek zgjerimi.
Kriza financiare, vala e refugjatëve, BREXIT janë tema që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor.
Por, vonesa e BE-së dhe e NATO-s që të afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë një vakum.
Ideologji tjera, nga kontinente tjera, me agjenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë.
Këto mezi presin të mbushin vakumin që do të lë vonesa e BE-së dhe NATO-s.
Prandaj është qenësore për rajonin, por edhe për vetë BE-në, për NATO-n, për kontinentin, që mos të vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në BE.
Zonja dhe zotërinj,
Si Kosovë ia kemi dalë që me sukses të përballemi me disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet bota sot.
Kemi qenë të suksesshëm në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit.
As ne nuk ishim imun në raport me këtë kërcënim dhe qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar që t’i bashkëngjiten ISIS-it.
Por, ky numër është kthyer në zero.
Kemi punuar në disa rrafshe.
Kemi sanksionuar me ligj pjesëmarrjen në luftërat jashtë Kosovës.
Kemi informuar qytetarët për mashtrimin që paraqet ISIS.
Kemi punuar me bashkësinë islame që të ndalojmë infiltrimin e ideologjisë në radhët e besimtarëve.
Prandaj edhe kemi arritur sukseset për të cilat Kosovën e lavdërojnë të gjithë e për të cilën Zëvendëspresidenti Biden e ka quajtur Kosovën lider dhe shembull në rajon.
Por, zonja dhe zotërinj,
Beteja kundër radikalizmit dhe ekstremizmit nuk mund të fitohet vetëm.
Fitohet vetëm nëse jemi të bashkuar.
Prandaj është e rëndësishme që të përkrahet aspirata e Kosovës për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare të sigurisë.
Jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të jemi pjesë e programit Partneritet për Paqe, dëshirojmë dhe kemi nevojë të jemi pjesë e INTERPOL-it.
Për këtë na nevojitet përkrahja dhe mbështetja e të gjithë juve.
Kosova sot është një storie suksesi.
Sukses i yni i përbashkët në ndërtimin e paqes, stabilitetit, prosperitetit.
Por, nuk është ende storie e mbyllur, e përfunduar.
Për këtë u jemi mirënjohës për vazhdimin e përkrahjes dhe bashkëpunimit tuaj.
Ju faleminderit!