Është kënaqësi dhe privilegj që sot t’ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.Kjo mundësi dhe detyrë më jep nder dhe përgjegjësi.
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli,I nderuar Kryeministër, z. Isa Mustafa,Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,Qytetarë të Republikës së Kosovës,Zonja dhe zotërinj,Është kënaqësi dhe privilegj që sot t’ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.Kjo mundësi dhe detyrë më jep nder dhe përgjegjësi.Është kënaqësi të ndjek hapat e presidentëve të mëparshëm të cilët i shërbyen Kosovës me tërë qenien e tyre, duke u bërë shembull se si duhet të punojmë për vendin tonë.Në fillim të mandatit dhashë betimin para juve, deputetë të nderuar, se do të ruaj pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.Se do të garantoj liritë dhe të drejtat e njeriut për tërë qytetarët e Kosovës.Se do të mbroj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.Se do të ruaj paqen dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve.Në sheshin “Nëna Terezë” u zotova se do të jem president i të gjithë qytetarëve, në shërbim të të gjithë qytetarëve.Edhe një herë faleminderit për besimin e dhënë.Në fund të këtij viti, jam i lumtur të them se puna ime është udhëhequr nga këto parime dhe kam nisur të realizojë këto synime.Të nderuar deputetë,Gjatë kësaj periudhe kohore, si president kam ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës, për të fuqizuar rendin e ligjin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.Vendi ynë edhe ashtu ka Kushtetutën dhe legjislacionin më të avancuar në rajon. Por, ne kemi identifikuar disa mangësi, prandaj edhe kam vepruar menjëherë duke kërkuar ndryshim-plotësimin e Kodit Penal me qëllim që t’i korrigjojmë ato dhe të mos lejojmë askënd që t’i shmanget apo abuzojë me drejtësinë dhe ligjin në Kosovë.Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante kanë filluar punën dhe tani janë duke përgatitur rekomandimet për ndryshimet që duhet bërë.Në qershor të këtij viti, ne filluam t’i marrim kompetencat ekzekutive në sektorin e drejtësisë, që deri atëherë ishin në duart e institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.Prandaj, i vetëdijshëm për progresin e shënuar në fushën e drejtësisë në Kosovë, përkundër sfidave, i bindur në profesionalizmin e organeve vendore dhe në fuqizimin e tyre me transferimin e kompetencave të EULEX-it, e kam adresuar edhe nevojën për të punuar në çështjet që shqetësojnë qytetarët e Kosovës:- krimet e luftës, – krimet e pasluftës,- sulmet dhe dëmtimet kundër trashëgimisë sonë kulturore e historike, – si dhe për viktimat e luftës, me theks të veçantë tek të pagjeturit dhe viktimat e dhunës seksuale.Jam i inkurajuar me reagimin e menjëhershëm të organeve relevante për të punuar rreth këtyre pikave.Çdo hap në zbardhjen e së vërtetës është një gur tjetër në themelin e shoqërisë sonë si një shoqëri e barabartë për të gjithë.Të gjithë duhet ta kuptojnë se drejtësia nuk njeh kufizim kohor, status social apo etnik.Një nismë tjetër e imja është edhe puna për përfundimin e reformës elektorale, e cila ka filluar vite më parë dhe nuk është përfunduar.Reforma elektorale bëhet për t’i siguruar qytetarët e Republikës së Kosovës se ata do të votojnë në një proces të drejtë, transparent dhe fer, në të cilin vota e tyre nuk mund të humb dhe të manipulohet.Por, do të jetë besim për të udhëhequr institucionet.Ekipi im ka kryer punën e vet në përpilimin e propozimeve konkrete për reformën elektorale dhe mbetet në vullnetin tuaj politik, deputetë të nderuar, që propozimet që kanë rrjedhur nga konsultat e përbashkëta me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, shoqërinë civile, mekanizmat ndërkombëtarë, etj., të shndërrohen në vendime të Kuvendit të Kosovës.Kam mbledhur Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit në të cilin ekspertët e fushës kanë debatuar për mënyrat më të mira të luftimit të këtij fenomeni në Kosovë.Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdimisht paraqiten lart në listën e shqetësimeve të qytetarëve të Kosovës.Prandaj, lart janë edhe në listën e prioriteteve të çështjeve që duhet zgjidhur menjëherë nga politika dhe institucionet e Kosovës.Organet tona të drejtësisë kanë hapur raste të korrupsionit.Hetimeve, akuzave e dënimeve nuk u kanë shpëtuar as zyrtarët më të lartë shtetëror.Kjo punë e bërë është për çdo vlerësim, por duhet bërë edhe më shumë.E përsëris, para ligjit të gjithë jemi të barabartë.Kam mbledhur edhe Këshillin Kombëtar për Integrim në Bashkimin Evropian, në të cilin konfirmuam se nuk kemi alternativë tjetër përveç se NATO-n dhe BE-në.Por, kërkuam që edhe BE-ja të mendojë në mënyrë strategjike për rajonin e më gjerë.Kam mbledhur edhe Këshillin Konsultativ për Komunitetet. Kam vlerësuar punën e tyre në promovimin e të drejtave dhe barazisë për të gjitha komunitetet.Në kuadër të punës për forcimin dhe ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror, të inkurajimit të atyre pjesëtarëve të policisë kufitare dhe oficerëve të doganave të Kosovës, kam vizituar pikën kufitare në Jarinjë, në mes Kosovës dhe Serbisë, në veri të Leposaviqit.Puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të policisë dhe doganës së Kosovës me bindi se sovraniteti shtetëror i Kosovës nuk mund të cenohet nga askush. Kosova është një, e pandashme, nuk do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë.Muri nuk do të qëndroj aty e askund tjetër.Muri nuk do të shkurtohet e as zvogëlohet për disa centimetra, por do të hiqet nga baza.Nuk do të ekzistoj fare.Por, në mes të këtyre sukseseve, kemi përjetuar edhe sfida.Sfida më e madhe është mos mbajtja e zotimit të dhënë para partnerëve ndërkombëtarë.Që t’u qëndrojmë prapa zotimeve tona kushtetuese dhe ligjore, qoftë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe, qoftë për miratimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.Kjo marrëveshje është e drejtë.Është sipas Kushtetutës dhe interesave të vendit tonë, e cila do të çonte tutje konsolidimin e integritetit shtetëror.Reagimet kundër kanë dëmtuar më të pafajshmit, qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian.Reagimi kundër ishte agjendë e interesit të ngushtë politik dhe injorancës profesionale, e në asnjë rrethanë kauzë kombëtare apo ngadhënjim i argumenteve.Prandaj, shteti ynë do të qëndrojë prapa të gjitha obligimeve ndërkombëtare që ka marrë mbi vete.Zonja dhe zotërinj, Të nderuar deputetë,Qytetarë të Republikës së Kosovës,Në kuadër të promovimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, kam marrë pjesë dhe kam përkrahur marshin e komunitetit LGBTI dhe kam përkrahur punën e shoqatave që u dalin në ndihmë viktimave të dhunës seksuale të luftës.Kam vizituar komunitetin kroat në Janjevë dhe komunitetin malazez në Gorazhdec të Pejës, për t’i siguruar të gjithë se Kosova është shtëpi e të gjithëve.Se në shtetin tonë të gjithë janë të barabartë, të lirë për të gjetur lumturinë e tyre.Ndërsa sot, me lejoni të rikonfirmoj se asnjë individë apo grup nuk do të mbetet i margjinalizuar, i harruar apo i përjashtuar në shoqërinë tonë.Në Kosovën tonë ka vend për të gjithë ata që e shohin Kosovën si atdhe dhe shtëpi të tyre.Të nderuar deputetë,Kam vizituar dhe kam takuar afaristë dhe ndërmarrës në tërë Kosovën, odat ekonomike të Kosovës dhe ato të rajonit.Jam inkurajuar nga sukseset e bujqve dhe blegtorëve të Kosovës.Investimet disavjeçare në bujqësi kanë sjellë dobi për tërë Kosovën, duke krijuar të hyra të mëdha që kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve tanë.Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, bujqit dhe blegtorët tanë, vreshtarët dhe prodhuesit e verës, tashmë kanë qasje në tregun më të madh në botë, atë të Bashkimit Evropian. Në kuadër të punës sime, një pjesë të konsiderueshme i kam kushtuar edhe përfaqësimit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.Në samitin Brdo-Brione dhe në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore kam konfirmuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë.Në vizitat bilaterale në Slloveni dhe në Maltë, jo vetëm që kemi konfirmuar marrëdhëniet e mira në mes vendeve tona, por kemi eksploruar edhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.Në Kanada kemi hapur përfaqësinë e Republikës së Kosovës dhe jemi pajtuar së bashku me autoritetet e Kanadasë për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral.Në Vatikan kam pasur audiencë private me Atin e Shenjtë, të cilit i konfirmova edhe një herë se Kosova është e pa luhatur në promovimin e vlerave euroatlantike.E kam ftuar Atin e Shenjtë për vizitë në Kosovë dhe kjo vizitë do të ndodhë në kohën më të përshtatshme.E kemi konfirmimin edhe nga vetë Ati i Shenjtë.Në Vjenë kam takuar Presidentin e Austrisë, ndërsa në Tiranë tërë lidershipin e Shqipërisë.Në të gjitha këto forume është theksuar integriteti dhe sovraniteti shtetëror i Kosovës dhe është lavdëruar konsolidimi i shtetësisë sonë në botë.Por, pjesë e veçantë e të arriturave të këtij viti, për tërë Kosovën është edhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike në Rio.Falë performancës së shkëlqyer të sportistëve tanë, veçanërisht falë medaljes së artë të Majlinda Kelmendit, janë hapur dyer për takime me krerë shtetesh e qeverish nga e tërë bota që merrnin pjesë në Rio, me të cilët kam biseduar për Kosovën, për vendin tonë të ri, të vogël, por me potenciale të mëdha.Ishte kënaqësi të takoja diplomatë nga e tërë bota dhe ta shfrytëzoja rastin për të dëshmuar edhe një herë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe rolin konstruktiv që po luan vendi ynë në skenën ndërkombëtare.Isha edhe në Finlandë, në ndeshjen e parë të përfaqësueses sonë në futboll, ku isha dëshmitar i pikës së parë të fituar në garat ndërkombëtare.Pjesëmarrja në këtë garë u bë e mundur pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA.Pas gati një çerekshekulli izolim, tash futbollistët dhe talentet tanë në sportet e tjera janë të lirë të zhvillojnë talentet e tyre, të konkurrojnë, të ëndërrojnë dhe të punojnë që ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet.Si çdo kosovar tjetër, në garat dhe fitoret e sportistëve të Kosovës jam ndier i lumtur dhe krenar me flamurin dhe me himnin tonë.Janë këta gurët mbi të cilët ndërtojmë dashurinë dhe respektin në shoqërinë tonë, për shtetin tonë.Të nderuar deputetë,Kam pasur fatin që të eci së bashku me Kosovën në ndërtimin e historisë, në dekadat më të rëndësishme tonat.Kemi ditur se çfarë angazhimi kërkon secila epokë, prandaj edhe sot jemi të suksesshëm.Dikur ishte koha të angazhohemi për barazi dhe liri.Kemi guxuar të kërkojmë liri edhe kur askush tjetër nuk ka shpresuar dhe besuar. Kemi qenë të gatshëm që të sakrifikojmë çdo gjë për të arritur këtë liri.Pas lirisë, guxuam ta ëndërrojmë dhe realizojmë edhe pavarësinë.Jam krenar që në të gjitha këto procese, të çlirimit të Kosovës, të shpalljes së shtetit të Kosovës, kemi qenë së bashku me ju dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës shtylla kryesore të realizimit të këtyre aspiratave.Por, sikurse atëherë që e kemi ditur se është koha për sakrifica deri në pavarësim, ashtu e dimë edhe sot që është koha për integrim.Është koha për dialog dhe për pajtim, brenda në Kosovë dhe në rajon.Për ketë qëllim, gjatë këtyre muajve kam takuar edhe familjarë të viktimave të luftës dhe të të pagjeturve.Dhemb shumë të shohësh që të gjithë ende vuajmë nga plagët e luftës.Ndoshta plagët nuk do të mbyllen kurrë, por ne duhet që së paku t’i japim fund agonisë, sidomos për familjet e të pagjeturve.Duhet të nxjerrim mësime nga kjo e kaluar e hidhur, që të mos lejojmë të përsëriten tmerret që kemi parë me sytë tonë, që kemi përjetuar me zemrat tona.Nuk do të lejojmë që asnjë fëmijë i Kosovës ta mbushë zemrën me urrejtje e me vuajtje.Qëllimi im, por edhe i juaji, është të punojmë që fëmijëve të Kosovës t’ua mbushim zemrat e mendjet me dashuri për njëri-tjetrin, për vendin e tyre dhe për të ardhmen e tyre. Gjatë verës dola sërish që të nderoj dhe kujtoj viktimat e luftës dhe t’i inkurajoj organet e drejtësisë dhe pajtimin ndëretnik.Këtë herë shkova në Grackë të Lipjanit.Aty vendosa lule tek pllaka përkujtimore në qendër të fshatit që përkujton 14 qytetarë serbë, bujq e punëtorë.E theksova atje dhe po e them përsëri këtu se ky akt dhe aktet e tjera të dhunës kanë qenë vepra kundër lirisë dhe së ardhmes demokratike të Kosovës, dhe jo vetëm kundër viktimave dhe familjeve të tyre.Krimi është krim, kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer. Edhe sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat civile të të gjitha komuniteteve, të vrarë gjatë dhe pas luftës.Në muajin gusht përkujtova vrasjen e dy dhe plagosjen e katër fëmijëve serbë në fshatin Gorazhdec në afërsi të Pejës, që kishte ndodhur në vitin 2003. Në qendër të fshatit u ndala me banorët vendas, serbë.Pas këtyre vizitave, kishte opinione të ndryshme.E dija se ende ka njerëz të lënduar apo të helmuar nga urrejtja ndërnacionale. Prandaj këtu menjëherë ftojë të gjithë që të ngrehemi mbi urrejtjen dhe jotolerancën. Dikush thoshte se është herët për gjëra të tilla, kurse unë vlerësoj se jemi vonë.Fundja, viktimat ishin produkt i ferrit historik të raporteve serbo-shqiptare dhe atyre rajonale, që kurrë nuk u ushqyen me vullnet mirëkuptimi apo pajtimi, por vetëm me urrejtje dhe armiqësi.Çuditërisht, sulmet kundër këtyre veprimeve takoheshin dhe bëheshin bashkë në ekstremet e tyre.U ngritën disa pyetje legjitime: pse po nderoja serbët kur ata na kanë vrarë? Kur në pllakat përkujtimore shkruante në çirilicë: “viktima të terroristëve shqiptarë dhe të agresionit të NATO-s”.U tha se po cenoheshin vlerat e luftës së popullit të Kosovës për liri.Po fyheshin dëshmorët dhe lufta e shenjtë e UÇK-së dhe popullit të Kosovës.Në anën tjetër vazhdonin akuzat e stërvjetëruara tash e dekada kundër shqiptarëve në tërësi.Në tërë këtë, më i urti ishte reagimi i familjarëve të të vrarëve, shqiptarë e serbë, të cilët edhe një herë patën vetëm një kërkesë, vetëm një dëshirë: “duam të vërtetën”.Prandaj të sakrifikojmë nga pak të gjithë për të vërtetën.E vërteta nuk duhet ta pengojë dhe frikësojë askënd.Isha i vetëdijshëm dhe i bindur se po bëja punën më të mirë për vendin. E dija se çfarë shkruante në pllakat përkujtimore në alfabetin çirilik. Nuk pajtohem me tekstin, sepse është paragjykim dhe gënjeshtër. Por, kjo nuk duhet të na ndalojë t’i nderojmë viktimat.Me këtë nderim ne nuk cenojmë vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së.Vlerat e lirisë sonë e të luftës së UÇK-së i cenojnë mu ata që i kanë bërë këto krime dhe ata që sot i arsyetojnë këto krime. Përpjekja për t’i arsyetuar krimet duke thënë se janë bërë në emër të kauzës kombëtare, duhet të jetë arsye për brejtje të ndërgjegjes, sepse po keqpërdoret çështja kombëtare, në dëm të interesit dhe së ardhmes së shtetit të Kosovës.Ata që i kanë kryer këto veprime, individë apo grupe, kanë fyer e cenuar vlerat e lirisë dhe vetë luftën e UÇK-së. Ne duhet t’i standardizojmë vlerat çlirimtare dhe të mos e lejojmë askënd që t’i degjenerojë ato.Gjykata speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara.Nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për vendin.Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve.Unë besoj në Zot dhe vlera morale, ndërgjegje, drejtësi e pajtim, duke mos e akuzuar apo ofenduar askënd për asgjë.Por, duke i ftuar të gjithë për drejtësi, solidaritet dhe pajtim ndëretnik.Zonja e zotërinj,Këtë vit kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe kemi nisur dialogun politik me NATO-n.Janë këto dy pika të përcaktuara si qëllimet tonat dhe për këtë kemi konsensus të plotë politik dhe shoqëror.Do të dëshironim që udhëtimi ynë drejt NATO-s e BE-së të jetë më i shpejtë.Por, kjo nuk varet vetëm nga dëshira dhe nga puna jonë.BE-ja dhe shtetet anëtare të saj sot kanë sfida të mëdha dhe kanë nevojë që t’i rimendojnë raportet në mes tyre dhe pozitën e tyre në vetë Unionin Evropian.Përgjigjet nuk do jenë as të shpejta, as të lehta.Kosova më shumë se të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor është duke vuajtur pasojat e kësaj situate komplekse.Si pasojë, jemi ende të fundit në rajon në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe jemi padrejtësisht të izoluar nga BE-ja në aspektin e lëvizjes pa viza në Zonën Shengen.Pavarësisht këtij fakti të hidhur, BE-ja që synojmë ne, më shumë se Brukseli apo Komisioni Evropian, se Parlamenti Evropian apo Këshilli i Ministrave, është BE-ja e vlerave për të cilat angazhohemi ne.Paqja dhe dialogu, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, toleranca dhe bashkëjetesa në mes etnive e feve, gjithëpërfshirja dhe të drejtat e liritë e njeriut. Këto janë vlerat që ne ia përshkruajmë BE-së, por janë edhe vlerat me të cilat ne dëshirojmë të udhëhiqemi e të bashkëjetojmë.Jetojmë në një botë më dinamike se kurdoherë më parë, me trende dhe lëvizje përplot me të panjohura.Por, ne kemi arritur t’i identifikojmë aleancat tona strategjike dhe të qëndrueshme.Jemi përcaktuar për marrëdhënie të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për bashkëpunim me BE-në deri në anëtarësim të plotë në këtë organizatë.Jemi përcaktuar për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal.Jemi përcaktuar që idetë ekstremiste e radikale, pa marrë parasysh se nga çfarë ideologjie janë nisur, idetë përjashtuese të komuniteteve e individëve, të mos i pranojmë si parime apo ideologji në shoqërinë tonë.Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, shembull i dialogut dhe pajtimit, tolerancës dhe bashkëjetesës.Kosova është shembull se si të gjendet fuqia që të tejkalohet e kaluara e hidhur, me lufta e dhimbje, dhe të ndërtohet e ardhmja në paqe e prosperitet.Kjo është ajo për të cilën kam punuar këtë vit.Kjo është ajo për të cilën do të punoj edhe katër vitet e ardhshme.Ju ofrojmë bashkëpunim institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtarë për forcimin dhe zhvillimin e vendit tonë, që të jemi krahë për krahë me botën e qytetëruar.Këtë e kemi obligim. Këtë presin qytetarët nga ne. Për këtë do të angazhohemi.Ju faleminderit!