presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i presidentit Thaçi në Akademinë Përkujtimore për Shotë Galicën

Zonja dhe zotërinj,Viti 2017 shënon përvjetorin e 90 të vdekjes së njërës prej figurave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, Qerime Halilit, të njohur me emrin luftarak Shotë Galica.Sot, me këtë Akademi i bëjmë nderin më të lartë shtetëror dhe institucional Shotë Galicës, Heroinë e Popullit e shpallur zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, Heroinë e Kosovës, e shpallur në Republikën tonë.I bëjmë homazh Shotë Galicës, e cila jashtë dekretimit formal u shndërrua në metaforë të Heroinës së Kombit, në simbol të qëndresës dhe trimërisë.Më rastin e 90 vjetorit të vdekjes, bazuar në kompetencat ligjore dhe kushtetuese kam themeluar dekoratën “URDHRI SHOTË GALICA”, me të cilën do të dekorohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri.Zonja dhe zotërinj,Shqiptarët si komb kishin hyrë në shekullin e njëzetë të lodhur dhe dërmuar nga robëria e gjatë.Konteksti historik i Kosovës së mbetur jashtë Shqipërisë së Pavarur (1912) ishte mjaft i ndërlikuar dhe tragjik.Në periudhën e luftërave ballkanike Kosova ishte bërë vend ku ushtri të huaja hynin dhe dilnin duke lënë gjurmë rrënimi e shkatërrimi material dhe njerëzor.Vend ku në edhe një oborr i shtëpisë shqiptare ndahej në kufi të dy shteteve të përkohshme.Ndaj, i mbetet historiografisë shqiptare që të regjistrojë dhe sistemojë historinë e dhimbshme të dhunës që u ushtrua nga pushtimet e egra gjatë luftërave ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur mbretëria serbe po vinte dhunshëm në jetë pushtetin për sundimin e Kosovës.Djegiet e shtëpive, vrasjet e popullatës së paarmatosur, internimet e pjesëtarëve të familjeve kryengritëse në burgjet serbe, shpërnguljet jashtë Kosovës, rekrutimet për ushtri të huaja, marrja e tokave për kolonizim janë vetëm një pjesë e veprimeve antishqiptare që implementoheshin nga ushtria dhe xhandarmëria serbe ndërmjet dy luftërave botërore.Këto veprime të dhunshme dhe sistematike, bënë që populli shqiptar i Kosovës nga gjiri i tij të nxjerrë luftëtarë dhe kryengritës, të cilët nuk pajtoheshin në asnjë moment me copëtimin e trojeve etnike, me shkombëtarizimin, asimilimin, shpërnguljen dhe mohimin e të drejtave bazike njerëzore.Në rrethana të tilla grupe dhe çeta të armatosura shqiptarësh, pavarësisht potencialeve jo të barabarta me pushtuesin, nuk u pajtuan që të nënshtroheshin përballë armiqve me organizim të lartë shtetëror.Kryengritësit shqiptarë nuk ishin thjesht rebelë, komitë apo kaçakë, por ishin luftëtarë të vetëdijshëm për realizimin e të drejtave natyrore për jetë, për jetë të lirë, për të drejta kombëtare dhe politike.Kryengritësit e çetave të Kosovës ishin të lidhur me Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me seli në Shkodër, që përbëhej nga ideologë e ideatorë të Pavarësisë së Shqipërisë, nga figura të shquara si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Bedri Pejani etj.,  të cilët asnjëherë nuk u pajtuan me sundimin serb të Kosovës dhe ndarjen e saj nga Shqipëria. Zonja dhe zotërinj,Në një periudhë gati dhjetë vjeçare strumbullari i kryengritjes kundër vendosjes së pushtetit ushtarak dhe policor serb ishte çeta e Azem Bejtës dhe Shotë Galicës.Nuk ishte e rastit konsiderata e lartë e ideatorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinës për komandantin e çetave kryengritëse të asaj kohe, për Azem Bejtën. Azem Bejta u shqua me talentin e lindur prej luftëtari, me intuitën e komandantit dhe strategut luftarak, si dhe për trimërinë të rrallë, të dëshmuar në çdo betejë.Më lejoni të theksoj dy veçori të luftës së çetave kryengritëse të asaj kohe.Një: Pavarësisht se popullata shqiptare ishte në gjendje të dobët ekonomike, pavarësisht se nga veprimet luftarake të kryengritësve ajo pësonte dëme materiale dhe njerëzore, çetat gjetën përkrahje të plotë nga popullata civile.Dy: Edhe pse mbi popullatën shqiptare u ushtrua terror i paparë, kryengritësit i qëndruan besnik kodit luftarak dhe etikës së zakoneve të luftës.Ata kurrë nuk u hakmorën mbi civilët e paarmatosur serbë, kurrë nuk aplikuan masakrimin e kufomave, shpërfytyrimin e të vrarëve dhe nuk rrënuan as dogjën tempuj fetarë ortodoksë.Zonja dhe zotërinj,Nuk janë të paktë as bashkëluftëtarët e Azem Bejtës, të rryer e të regjur në beteja dhe kryengritje të koordinuara si ajo vitit 1919.Por, mbi të gjitha është fenomen unikat profili i luftëtares së shquar Qerime Halili – Shotë Galica, bashkëshorte dhe bashkëluftëtare e prijësit të madh, Azem Galica.Shotë Galica asnjë ditë nuk iu nda formacionit luftarak.Ajo përballoi rrethimet, mori pjesë në sulme, ndihmoi popullatën e dobët në tërheqje, ndihmoi bashkëluftëtarët e plagosur, tërhoqi fëmijët jetimë në Shqipëri, u rikthye në Kosovë nga veriu i Shqipërisë sa e sa herë kishte nevojë vazhdimi i kryengritjeve.Edhe pas vrasjes së komandantit të çetave Azem Bejtës në korrik 1924, Shotë Galica për tri vjet me radhë nuk e rreshti veprimtarinë e saj kryengritëse me bashkëluftëtarët e çetave, deri atëherë kur ishte e pamundur rezistenca.Shotë Galica vdiq në kushte të rënda shëndetësore në Shqipëri, pa përkujdesje institucionale. E tillë ishte gjendja e atëhershme e shtetit shqiptar, i cili kishte probleme të shumta edhe në rrafshin brendakombëtar edhe atë ndërkombëtar.Vdekja e Shotë Galicës përkufizohet me fatin e heroit tragjik, një fund jo i rrallë i figurave të mëdha, që përkundër përmasave vigane, jetën e përfundojnë padrejtësisht në mjerim social dhe ekonomik, pa fajin e tyre.Zonja dhe zotërinj,Përkundër fundit tragjik, Shotë Galica u shndërrua në simbol të gruas besnike ndaj atdheut, të heroinës që lufton për liri, të luftëtares së gatshme për sakrificë. Shotë Galica u bë simbol i kontributit të heroinave të heshtura të kombit, të nënave, bijave, vajzave dhe grave që në çdo periudhë historike përballuan të mirën dhe të keqen krahas familjes dhe kombit. Shotë Galica është simbol i krenarisë dhe dinjitetit të gruas shqiptare.Shotë Galica është simbol i nënave, grave dhe motrave që gatuan, ushqyen, pastruan dhe  shëruan luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare kudo në Kosovë e më gjerë.Shotë Galica është simbol i nënës shqiptare, i asaj nëne që lindi Shotë Galicën, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën, Adem Demaçin, Jusuf Gërvallën, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Xhevë Lladrovcin  dhe shumë e shumë luftëtarë e luftëtare, dëshmorë, heronj e heroina  që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  Lavdi emrit dhe veprës së heroinës Shotë Galica!Lavdi gjithë të rënëve për liri!Ju faleminderit! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.