Shumë e dashur Familje Rugova,
E nderuara zonja Fanë, fëmijë, mbesa e nipa të Presidentit,
Shumë i nderuar President Sejdiu,
Të nderuar ambasadorë të shteteve mike,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Bashkëpunëtorë të Presidentit Historik,
Të dashur fëmijë nga vendlindja e Presidentit Rugova që sapo e interpretuat himnin e Republikës sonë,
Të dashur qytetarë,
Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, jemi mbledhur për ta kujtuar jetën dhe veprën e tij, për të reflektuar mbi rrugën që ai na trasoi dhe për ta nderuar kujtimin e njërës prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare.
Presidenti Rugova ishte një politikan vizionar, një filozof e mendimtar i thellë dhe një lider që i dha politikës kosovare dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human, por edhe dimensionin kulturor, të pashembullt në historinë tonë moderne.
Studenti i Parisit dhe dishepulli i Roland Barthes, e ndërtoi angazhimin e tij mbi themelet e dijes, mbi kulturën politike dhe mbi vlerat e demokracisë.
Si studiues i pasionuar i Pjetër Bogdanit, ai e kuptoi thellësisht nevojën për një vizion të qartë kombëtar dhe një identitet të qartë politik.
Arkitekti i pavarësisë e pa Kosovën jo vetëm si një projekt politik, por si një amanet historik, si një aspiratë të natyrshme të një populli që vuante e luftonte për liri.
Në vitet më të vështira të historisë sonë, Rugova mbeti i palëkundur në rrugën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi një lëvizje paqësore të rezistencës, të bazuar në dialog, në urtësi dhe në besim se demokracia dhe vlerat perëndimore do të triumfonin mbi dhunën e regjimit gjenocidal të Millosheviqit dhe do të triumfonin mbi padrejtësitë shekullore ndaj popullit tonë. Mirëpo, në të njëjtën kohë filloi edhe organizimin e celulave të para të rezistencës së armatosur, duke qenë i qartë se populli i Kosovës me çdo kusht do ta mbronte pragun e shtëpisë.
Ishte ai që e vendosi Kosovën në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare, që krijoi miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet evropiane dhe vendet demokratike anekënd botës, duke i dhënë çështjes sonë një legjitimitet të padiskutueshëm ndërkombëtar.
Politikbërja e Rugovës ishte një strategji e guximshme dhe e rrallë në historinë e kësaj pjese të botës. Ai besonte se forca më e madhe e një kombi ishte vullneti i tij për liri dhe drejtësi dhe se nuk ka forcë që mund të triumfojë kundër vullnetit të një populli për të jetuar i lirë.
Me këtë qasje, ai e vendosi Kosovën në hartën e ndërgjegjes demokratike botërore dhe e bëri çështjen tonë kombëtare një shembull të rezistencës, të krahasuar me lëvizjet më të mëdha për të drejtat e njeriut në shekullin XX. Filozofia e tij e qëndresës frymëzoi jo vetëm shqiptarët, por edhe diplomacinë perëndimore, e cila e pa në Rugovën një njeri të urtë, të matur e mbi të gjitha, një burrështetas të denjë e këmbëngulës për të drejtën e popullit të tij.
Edhe në momentet më të vështira, ai ruajti dinjitetin e tij dhe respektoi edhe ata që nuk ndanin të njëjtin vizion me të. Në një mjedis politik shpesh të ashpër, Rugova ishte një kundërshtar i papërshtatshëm për ata që besonin në rrugë të tjera, e sidomos për ata që besonin në rrugën e urrejtjes. Ai u përball me sfida të mëdha, me pengesa dhe madje edhe me kërcënime të vazhdueshme për jetën, por kurrë nuk hoqi dorë nga rruga e tij.
Rugovizmi, si filozofi dhe vizion, nuk është thjesht një strategji politike. Ai mishëron qasjen paqësore, por këmbëngulëse dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, mbi bazën e kulturës, historisë dhe vlerave tona kombëtare. Rugovizmi është një ideal që tejkalon ndasitë, një frymë që bashkon për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Personalitetin e tij më së miri e përmbledh me pak fjalë frati françeskan At Zef Pllumi kur thotë se ai, edhe pse “U sha e u luftue …. ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.
Rugova nuk e pa kurrë politikën si një mjet për përfitime personale, por si një mision, një mision për t’i shërbyer popullit të tij dhe për ta përçuar e mbrojtur me çdo kusht të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur. Këtë e bëri duke ndërtuar edhe miqësi të bazuara në vlera e në besim të cilat edhe sot i shërbejnë interesave të Republikës sonë e popullit tonë.
Në kohën kur lëvizjet politike shpesh lëkundeshin nga rrethanat, Rugova mbeti një udhëheqës konsistent, një njeri i parimeve të palëkundura. Ai asnjëherë nuk bëri kompromis me ëndrrën për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
E la këtë botë me një Kosovë që ende po punonte e luftonte për pavarësi, por me rrugën e saj tashmë të qartë e të trasuar nga presidenti historik, një rrugë e pakthyeshme drejt shtetësisë së plotë e të njohur ndërkombëtarisht.
Prandaj, sot ne nuk përkujtojmë vetëm një njeri politikan. Ne sot kujtojmë një epokë. Një epokë të një udhëheqjeje të mençur, një epokë të një vizioni që sot është bërë realitet. Një epokë që trasoi edhe rrugën tonë përpara edhe rrugën e brezave që do të vijnë pas nesh.
Në këtë ditë përkujtimore, le ta nderojmë jo vetëm atë që bëri Presidenti Rugova, por edhe për trashëgiminë që na la pas.
Ai nuk ishte vetëm Presidenti i parë i Kosovës; ai ishte dhe mbetet frymëzimi ynë i përditshëm për një shtet modern, demokratik dhe të orientuar në vlerat euro-atlantike.
Le të ndjekim pra, rrugën e tij të mençurisë, të ndjekim rrugën e tij të urtësisë dhe të përkushtimit ndaj atdheut, sepse më i madhi nderim që mund t’i bëjmë Rugovës është të vazhdojmë ta bëjmë Kosovën ashtu siç ai e ëndërroi dhe punoi pareshtur: një vend sovran e të zhvilluar, demokratik dhe të integruar në familjen euro-atlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova!
Ju faleminderit!