103 vjet më parë, nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Atatürkut, Turqia nisi një kapitull të ri. Kjo ditë përfaqëson një moment përcaktues në historinë e popullit turk dhe në rrugëtimin e tij drejt shtetit modern.
Me këtë rast, përcjell urimet më të përzemërta për popullin turk dhe institucionet e Republikës së Turqisë. Ju uroj paqe, mirëqenie dhe përparim të vazhdueshëm!
Për Republikën e Kosovës, Turqia është partner strategjik dhe aleat i rëndësishëm. Ne kemi miqësi të qëndrueshme dhe interesa të përbashkëta. Marrëdhëniet tona mbështeten në respektin e ndërsjellë dhe në vullnetin për ta thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Kosova e çmon lart mbështetjen e Turqisë në momente të rëndësishme të historisë sonë. Për pjesëmarrjen e Turqisë në ndërhyrjen e NATO-s më 1999, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kontributin në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare, jemi thellësisht mirënjohës.
E vlerësojmë këtë mbështetje dhe theksojmë rëndësinë e vazhdimit të saj për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Një dimension i rëndësishëm i partneritetit tonë është siguria dhe mbrojtja. Thellimi i bashkëpunimit me Turqinë në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës është me rëndësi të veçantë. Mbështetja turke për trajnimin dhe profesionalizimin e FSK-së dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj strategjike forcon drejtpërdrejt sigurinë.
Synimi ynë është që ky bashkëpunim të avancojë më tej, në përputhje me nevojat e Kosovës dhe angazhimin tonë për paqe e siguri.
Mbështetja e Turqisë në arsim dhe shëndetësi ka kontribuar në zhvillimin e këtyre sektorëve në Kosovë. Zgjerimi i shkëmbimeve tregtare krijon hapësirë për partneritet, vende pune dhe përfitime konkrete për qytetarët tanë.
Një urë e pazëvendësueshme ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata shqiptare në Turqi. Ata pasurojnë shtetet tona dhe forcojnë lidhjet njerëzore, kulturore dhe ekonomike. Kjo miqësi, e ndërtuar ndër breza, është një vlerë që duhet ta ruajmë dhe ta zhvillojmë më tej.
Jam e bindur se Kosova dhe Turqia do ta thellojnë partneritetin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, mbi bazën e besimit të ndërsjellë.
Gëzuar Ditën e Republikës së Turqisë!
