Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në Konferencën Rajonale për Gratë Ndërmarrëse.
Këtë konferencë, Presidentja Shiroka Pula e ka vlerësuar si një mundësi për të prezantuar punën, për t`i shkëmbyer përvojat dhe për të krijuar mundësi të reja.
Sipas Presidentes Shiroka Pula, fuqizimi ekonomik i grave është çështje e barazisë, por edhe e zhvillimit ekonomik, duke shtuar më tej se kur gratë kanë mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre, përfiton e gjithë shoqëria, krijohen vende pune, rritet konkurrenca dhe forcohet ekonomia.
Megjithatë, sipas saj, gratë ende përballen me pengesa në qasjen në financim, tregje dhe rrjete biznesi.
Ajo tutje tha se duhet të krijojmë kushte që ato jo vetëm të hapin biznese, por edhe t’i zhvillojnë dhe t’i zgjerojnë ato.
Presidentja Shiroka Pula ka thënë se kjo çështje ka edhe një domethënie personale për të, ngase në fillim të viteve 2000, ishte pjesë e grupit punues për Integrimin e Grave në Ekonomi, gjatë hartimit të Planit të Veprimit të Kosovës për Arritjen e Barazisë Gjinore, i cili u miratua në vitin 2004.
Presidentja ka theksuar se barazia gjinore merr kuptim kur shndërrohet në mundësi konkrete për gratë.
Sipas saj, Kosova ka shënuar hapa përpara, mbi 12 mijë gra kanë përfituar nga programet e mbështetjes së punësimit, por duhet të bëjmë më shumë, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se gratë në Kosovë kalojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë duke kryer punë pa pagesë, barrë kjo që ua kufizon kohën për punësim dhe zhvillim të bizneseve.
Presidentja ka thënë se fuqizimi ekonomik i grave është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, sektorit financiar, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fund, Presidentja Shiroka Pula ka thënë se gratë ndërmarrëse kanë idetë, aftësitë dhe vullnetin për të pasur sukses, derisa ka shtuar se detyra jonë është t’u sigurojmë mundësi të barabarta për ta realizuar potencialin e tyre.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN




