presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALIMI I PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR KOSOVËN

I nderuari Z. Kryetar,Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,

Është nder i posaçëm të jesh sot këtu me ju, që të ndajmë bashkë zhvillimet në Republikën e Kosovë gjatë tre muajve të kaluar, një periudhë gjatë së cilës kemi arritur shumë përparim në konsolidimin e shtetit tonë, shtrirjes së sundimit të ligjit në çdo cep të territorit tonë, dhe kontribuimit për paqe dhe stabilitet në regjionin e Evropës Juglindore. Në emër të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon për kontributin e tij për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe regjion, si dhe vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për interesimin e tyre dhe mbështetjen e përparimit të përgjithshëm të Kosovës dhe regjionit.Dëshiroj që ta shfrytëzoj këtë mundësi që t’i shpreh ngushëllimet tona të përzemërta Presidentit të Serbisë dhe qytetarëve të saj për humbjen e jetërave dhe pronës gjatë vërshimeve të tmerrshme të javëve të kaluara. President Nikolic, mendimet dhe lutjet tona janë me ju dhe qytetarët tuaj të prekur nga kjo fatkeqësi tragjike natyrore.Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit të KB,Gjatë këtyre muajve të kaluar, Republika e Kosovës ka treguar maturi politike, kurajë dhe lidership, dhe kemi arritur rezultate të prekshme, të cilat na afrojnë më pranë qëllimit tonë kryesor, krijimit të një shteti multietnik dhe multikultoror të shtetasve të barabartë , të cilët jetojnë në paqe dhe prosperitet, pa marrë parasysh kombësinë, gjininë, fenë apo racën.Përtej mundimeve tona ditore për qasje, mbrojtje dhe integrim të të gjitha komuniteteve etnike të Kosovës në jetën institucionale dhe shoqërore, ne jemi angazhuar në mënyrë konstruktive me Republikën e Serbisë në një dialog të detajuar që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.Sot Kosova është një vend shumë më ndryshe nga ai vend i shkatërruar të cilin e trashëguam para pesëmbëdhjetë vitesh me mijëra civilë të vdekur, me shumë viktima të torturës dhe përdhunimit, të kryera si mjet lufte, fizikisht e shkatërruar dhe një trashëgimi e armiqësive dhe pastrimit etnik të kryera nga forcat serbe. Rimëkëmbja nuk ishte e lehtë. U desh një bujari e komunitetit ndërkombëtar dhe vullnet nga qytetarët tanë që të arrijmë aty ku jemi sot. Po ashtu, u desh vullnet politik dhe kurajë që të lëvizej përpara.Marr në konsiderim mbështetjen që Presidenti i Serbisë, z. Tomislav Nikolic i ka dhënë procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të vendeve tona. Përkundër faktit që kemi dallime mbi Kosovën, është me rëndësi që kemi njohur realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe pakthyeshmërisë së saj.Në bashkëveprim me progresin politik, ne kemi fokusuar shumë vëmendjen tonë në konsolidimin e mëtutjeshëm të sovranitetit tonë, duke e shtrirë më tej dhe duke e forcuar sundimin e ligjit, ndërtimin e një baze të shëndoshë për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investimeve shumë të nevojshme nga jashtë, përforcimin e besueshmërisë së institucioneve dhe dëshmimin e vullnetit politik dhe pjekurisë për të lëvizur përpara dhe duke u përafruar me cakun e aspiratës sonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe trupa të tjerë ndërkombëtarë.Republika e Kosovës i mbetet e dedikuar procesit të dialogut me Republikën e Serbisë.Në këtë proces, i cili filloi në vitin 2011 dhe kulmoi me marrëveshjen gjithëpërfshirëse të 19 prillit 2013, të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Baronesha Catherine Ashton, dhe i mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, ne kemi arritur përfshirje dhe konsensus politik dhe shoqëror. Ne kemi tejkaluar kufijtë ideologjikë dhe agjendat e politikës ditore. Ne jemi të vendosur që të lëvizim dhe të ecim përpara.Ky proces i dialogut me Serbinë ishte njëri nga angazhimet tona kryesore dhe implikimet e këtij procesi shkojnë përtej konsolidimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe anëtarësisë së saj në organizatat ndërkombëtare.Marrëveshjet e arritura në Bruksel janë duke e lehtësuar integrimin e plotë të komunitetit serb në Kosovë. Marrëveshja ka arritur ndalimin e veprimtarisë së strukturave ilegale të sigurisë të mbështetura nga Serbia, në disa vise të Kosovës, duke sjellë si rezultat sundimin shumë të nevojshëm të ligjit pranë qytetarëve të viseve veriore, të cilët jetonin në një atmosferë të frikës, kërcënimit dhe paligjshmërisë për një kohë shumë të gjatë.Këto marrëveshje do t’i sjellin shërbimet ditore më afër qytetarëve të komunave veriore. Atyre u është përmirësuar liria e lëvizjes, siç u është lehtësuar lëvizja e mallrave dhe ngritur mirëqenia e qytetarëve në të dy anët e kufirit nëpërmes mbledhjes në mënyrë të duhur të të ardhurave. Edhe pse pjesa më e madhe e fokusimit ka qenë e përqendruar në veri, ne i shohim këto zhvillime si pozitive për mbarë shoqërinë dhe me benefit për qytetarët e mbarë vendit.Marrëveshjet e negociuara dhe të nënshkruara në Bruksel i kanë përforcuar perspektivat evropiane të Kosovës dhe Serbisë, bazuar në bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, edhe pse secila në rrugëtim të veçantë drejt Bashkimit Evropian.Suksesi i procesit të dialogut ka rikonfirmuar fuqinë transformative që mban në vete projekti i Bashkimit Evropian, duke e shtruar rrugën drejt këtij Unioni dhe drejt nesh, për të avancuar lëvizshmërinë e integrimit të regjionit në gjirin e saj.Në këtë drejtim, unë inkurajoj pesë anëtarët e mbetur të BE-së që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të avancojnë këtë perspektivë, e cila mbetet kyçe për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe përtej. Po ashtu, shfrytëzoj mundësinë që të shpreh mirënjohjen tonë mbi 100 shteteve të mbarë botës për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe mbështetjen e vizionit për një shtet demokratik dhe multietnik. Dhe po ashtu i bëj kërkesë vendeve anëtare të KB të cilat akoma nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin atë.I nderuari z. Kryetar,Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit, Gjatë përvjetorit të parë të marrëveshjes bilaterale për normalizim të arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së në prillin e vitit të kaluar nga Kryeministrat e dy vendeve, institucionet e Kosovës janë fokusuar në implementimin e suksesshëm të 15 pikave të kësaj marrëveshjeje.Ne jemi të bindur se implementimi i saj në plotëni, në mënyrë konzistente dhe efektive, do t’i transformojë marrëdhëniet tona të ardhshme dhe do të sjellë stabilitet në regjion. Ne falënderojmë partnerët tanë, Bashkimin Evropian, për rolin e saj si lehtësues dhe garantues i procesit të dialogut, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një mbështetës i fortë i këtij procesi, dhe i inkurajojmë që të qëndrojnë me ne gjatë lëvizjes sonë përpara.Sukses i konsiderueshëm është arritur në implementimin e marrëveshjes, dhe ne presim që momentumi të rritet pas përfundimit të proceseve zgjedhore në të dy vendet.Dëshiroj që posaçërisht të theksoj përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale të organizuara në mbarë Kosovën, duke përfshirë edhe inaugurimin dhe adoptimin zyrtar të statuteve komunale në përputhje me ligjin e Kosovës, siç kërkohet me marrëveshjen e Brukselit. Jam e lumtur që të njoftoj se pjesëmarrja e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera etnike në Kosovë ishte e kënaqshme.Me përfundimin e statuteve të katër komunave veriore, Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe mund të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ligjet dhe Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale, në mënyrë që të sigurohet integrimin e komunitetit serb në vend. Asociacioni do të jetë pjesë integrale e institucioneve të Kosovës.Ngjashëm, përparim i mirë është arritur edhe në mbledhjen e të hyrave doganore në vendkalimet kufitare në veri, si dhe në themelimin e Fondit Zhvillimor dhe bordit të tij menaxhues, mbylljen e zyrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë të cilat vepronin në këto komuna dhe integrimin e personelit të tyre në forcën e Policisë së Kosovës, siç kërkohet me marrëveshjen e Brukselit. I gëzohemi përmbylljes së marrëveshjes për eliminimin e gjykatave paralele në takimin e radhës në Bruksel dhe presim që Serbia të përmbushë obligimet e saj në ndalimin e veprimit te këtyre gjykatave dhe krijimit të mundësisë për integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë të Kosovës në sistemin kosovar të drejtësisë.Akoma mbetet për t’u bërë në fushën e sigurisë në katër komunat veriore, duke përfshirë edhe shuarjen e strukturave të mbetura paralele. Në këtë periudhë, po i përmendi me brengë rastet e rezistencës ndaj shtrirjes së sundimit të ligjit në katër komunat veriore nga ana e grupeve paraushtarake dhe kriminele të cilat e kanë mbajtur peng komunitetin serb në Kosovë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të kaluara. Këto struktura po ashtu vazhdojnë ta rrezikojnë personelin vendor dhe ndërkombëtar të organizatave të sundimit të ligjit, siç ishte sulmi i mëhershëm mbi veturat e EULEX-it si dhe ngritja e barrikadave për ta vazhduar parandalimin e lirisë së lëvizjes.Ne presim nga qeveria e re e Serbisë që t’i përmbahet pjesës së saj të marrëveshjes dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive që të sigurojë që serbët e Kosovës të pranojnë dhe mbështesin marrëveshjet e arritura në Bruksel si angazhim i përbashkët i yni për t’u sjellë stabilitet dhe paqe qytetarëve tanë, regjionit dhe më tej.Përderisa jemi duke iu afruar zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, unë i kam bërë apel të gjitha mekanizmave dhe palëve në Kosovë që të sigurojnë një mjedis stabil, kushte të drejta dhe demokratike, të cilat do të lejonin votim të lirë dhe gjithëpërfshirës. Po e përsëris ftesën që i kam bërë të gjitha komuniteteve etnike të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese nëpërmes pjesëmarrjes së plotë në votime, të zgjedhin përfaqësuesit të cilët do t’i japin zë interesave dhe kërkesave të tyre dhe të punojnë së bashku me ne drejt forcimit të demokracisë në Kosovë.Institucionet e Kosovës i mbesin të vendosura procesit të kthimit të të gjithë refugjatëve dhe atyre të zhvendosur nga lufta. Që të kemi proces të qëndrueshëm të kthimit, ne kemi ndërmarrë një qasje gjithëpërfshirëse, duke investuar në sektorin e banimit, shëndetësisë dhe sigurisë, qasje në edukim si dhe zhvillim ekonomik. Jam posaçërisht e inkurajuar se një numër i të kthyerve janë kthyer në qendra urbane si dhe me bashkëpunimin e vendeve rajonale me qeverinë e Kosovës në lehtësimin e kthimit.I nderuari z. Kryetar,Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit, Republika e Kosovës është e dedikuar drejt procesit gjithëpërfshirës të reformave, gjë e cila do t’i forcojë prospektet e ardhshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si agjendë kryesore e cila unifikon qytetarët e Kosovës dhe opsion i cili gëzon konsensus shoqëror dhe institucional.Duke ndërtuar mbi këtë progres të prekshëm, kam kënaqësinë t’ju informoj se Kosova, më herët gjatë këtij muaji, ka përfunduar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimin me Bashkimin Evropian, si hap i parë thelbësor në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit të ardhshëm.Mirëpres formalizimin e shpejtë të rezultateve pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, përderisa jemi duke punuar për sigurimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët tanë dhe një kualitet më të mirë të jetës në ndjekje të perspektivës evropiane. Kemi arritur progres të konsiderueshëm në përmbushjen e konditave për kyçje në regjimin pa viza të BE-së dhe presim që ky proces të përmbyllet së shpejti.Gjatë kësaj periudhe ne po ashtu kemi përfunduar edhe procesin e rishikimit të sektorit tonë të sigurisë. Ky proces, i cili për herë të parë është vendor, është ndërmarrë në një mënyrë organike dhe transparente, ka studiuar mekanizmat e sigurisë, dhe ka vlerësuar nevojat e qytetarëve tanë dhe caqet strategjike të Kosovës.Si pjesë e rekomandimeve të dala nga ky proces, është edhe krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, të dizajnuara si një forcë mbrojtëse e armatosur lehtë, e cila besojmë se do t’i përballojë sfidat e natyrës së sigurisë së Kosovës në një periudhë të mesme dhe afatgjatë dhe do të jetë mjet i yni për të kontribuuar në sigurinë kolektive të rajonit.Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është një proces dhjetëvjeçar dhe gjithëpërfshirës, i cili kërkon jo vetëm mbështetjen e të gjitha komuniteteve etnike por edhe pjesëmarrjen e tyre aktive.Të dy organizatat e sigurisë në Kosovë kanë një histori të mirë të gjithëpërfshirjes – rreth 15 % e forcës policore janë oficerë nga komunitetet etnike ndërsa rreth 9 % të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë anëtarë të komuniteteve etnike.Në krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës ne ju kemi drejtuar komuniteteve etnike në Kosovë, vendeve të rajonit dhe palëve të interesuara ndërkombëtare në NATO, në mënyrë që t’u shpjegojmë rezultatet e procesit të rishikimit dhe do ta vazhdojmë këtë dialog të rëndësishëm.Në angazhimin tonë që të shndërrohemi në ofrues të sigurisë, institucionet e Kosovës kanë vepruar dhe do të vazhdojnë të veprojnë në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe specifikisht me NATO-n në këtë proces.Në vendosmërinë tonë të qartë për një të ardhme Evropiane të Kosovës, ne jemi bërë partner me misionin e BE-së, EULEX, drejt forcimit të sundimit të ligjit në mbarë vendin. Dhe përderisa po e transformojmë këtë vendosmëri të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në veprime konkrete, unë kam kërkuar nga Bashkimi Evropian zgjatjen e mandatit të EULEX-it deri më vitin 2016. Edhe pse EULEX-i do të transformohet nga një mision me mandat ekzekutiv në një me mandat monitorues, kontributi i këtij misioni në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit tonë multietnik do të jetë shumë i madh. Gjatë mandatit të ri, EULEX-i do t’i përfundojë rastet e papërfunduara dhe do të marrë mbi vete raste të reja me kërkesë të institucioneve të Kosovës.Mandati i ri i EULEX-it, i cili është mbështetur nga Parlamenti i Kosovës, do të vazhdojë të ndihmojë në implementimin, sipas marrëveshjes të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.Në angazhimet tona që t’i mbesim besnik vendosmërisë për ndërtimin e një Kosove demokratike, në paqe me veten dhe fqinjët e saj, si dhe vlerave dhe idealeve të ngërthyera në kushtetutën e saj, Parlamenti i Kosovës ka mbështetur krijimin e një Tribunali të Posaçëm, me seli brenda dhe jashtë vendit, i cili do të adresojë denoncimet për krime lufte të dala nga Raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2010.Krijimi i këtij tribunali të posaçëm reflekton vendosmërinë e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për adresim të besueshëm të këtyre denoncimeve, siç besojmë se vendosmëria për drejtësi për të gjithë është e vetmja mënyrë për pajtim të mirëfilltë në rajon.Derisa po flasim sot, ekipe të nivelit punues nga Kosova dhe Serbia janë duke gërmuar një varrezë masive në qytetin serb të Rudnicës, për të nxjerrë nga dheu mbetjet e disa nga një mijë e shtatëqind e dymbëdhjetë të pagjeturve nga lufta e Kosovës. Këto janë trupa të civilëve shqiptarë të Kosovës, të kidnapuar dhe të ekzekutuar nga forcat serbe gjatë luftës.Përmbyllja e kësaj kaptine tejshkon politikën. Si liderë të vendeve tona, e kemi obligim që të ndihmojmë në përmbylljen e fateve të mijëra familjeve të dërmuara, duke i fuqizuar komisionet të cilat punojnë në këto çështje që të hulumtojnë fatet e tyre dhe duke treguar vullnet dhe kurajë politike për të sjellë para ligjit te gjithë ata të cilët kryen këto krime të tmerrshme.Z. Kryetar, anëtarë të Këshillit të Sigurimit, Ne kemi punuar intensivisht që të hapim një kapitull të ri në Kosovë, ku secili qytetar gëzon barazi dhe jeton në liri dhe paqe. Shumë është arritur por akoma shumë mbetet për t’u arritur.Jam e inkurajuar nga ndryshimet të cilat i kemi parë në rajon dhe mbështetjen të cilën e kemi marrë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila na qëndroi pranë duke na ofruar perspektiva të qarta dhe të veçanta për Kosovën dhe Serbinë në rrugëtimet e tyre drejt BE-së.Kosova do të mbetet e vendosur në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët, të cilat promovojnë bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë – një ndryshim madhor për një rajon i cili më pak se dy dekada më parë ishte kapluar nga lufta.Në këtë rrugëtim, ne ishim të udhëhequr nga bindja e thellë për të mos lejuar përsëritjen e të kaluarës së dhimbshme dhe vuajtjes së pamatshme të shkaktuar mbi jetërat e qytetarëve të Kosovës. Përderisa vazhdojmë të lëvizim përpara, padyshim se do të ketë kontroversa dhe tensionime.Por, përkundër kësaj, besoj se përparimi i arritur deri më tani duhet të mbahet derisa qëndrojmë të vendosur që të sigurojmë një të ardhme prosperuese për gjeneratat e reja. Z. Kryetar, të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,Ne dëshirojmë të vazhdojmë çimentimin e përfitimeve të cilat i kemi arritur duke e forcuar Kosovën nga brenda dhe duke e konsoliduar ndërkombëtarisht, sepse dy proceset janë të lidhura ngushtë.Dhe derisa ecim përpara, ne kërkojmë ndihmën dhe udhëzimin tuaj, sepse suksesi në Kosovë dhe avancimi i këtij momentumi do të jetë trashëgimia e jonë e përbashkët, siç është Kosova e sotme, në paqe dhe prosperitet, sukses i yni i përbashkët.Do të doja të shtoj që nuk mund të ketë dëshmi më të besueshme se kush çka ka bërë në vitet ’90, sesa verdikti i gjykatës për krime lufte në ish-Jugosllavi, i krijuar nga ky institucion. Nuk mund të ketë veprim më autoritar të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës sesa opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, prapë një organ i Kombeve të Bashkuara.Ju faleminderit për vëmendje dhe për mbështetjen tuaj për progresin e arritur në Kosovë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.