presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve

Në një ditë me diell si kjo, ashtu siç i ka hije ditës së Pranverës, më vjen mirë që takohemi në Blinajën tonë të mrekullueshme për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve.

Blinaja është dëshmia që flet vet rreth rëndësisë së mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve. Blinaja është po ashtu arsyeja pse ne duhet të mobilizohemi në aspektin institucional e shoqëror drejt ruajtjes së pyjeve në vendin tonë.

Për rëndësinë e pyjeve besoj se jemi të vetëdijshëm secili që jemi prezent në këtë ngjarje. Por, nuk ndodh çdoherë kështu edhe me një pjesë të mirë të shoqërisë. Sikurse edhe shumë çështje te tjera, edhe kur vjen puna te ruajtja e pyjeve, shpesh aplikohet mendësia që ‘ka kush kujdeset për to’. Por përgjegjësia për mbrojtjen e pyjeve po aq sa është institucionale e kolektive, është edhe individuale.

Pyjet janë burim jete dhe i mbrojtjes së jetës në tokë. Po aq sa kanë rëndësi ata për mirëmbajtjen e jetës së njerëzve, florës e faunës në tokë, po kaq ua kemi ne borxh atyre që të kujdesemi për to dhe t’ua lëmë trashëgimi brezave që vijnë pas nesh.

Pyjet tona përbëjnë 41 për qind të të gjithë territorit të vendit. Në bazë të një hulumtimi të pavarur të realizuar vjet të bazuar në imazhet satelitore të 20 viteve të fundit, ne kuptojmë se kemi humbur 7618 hektarë pyje. Sipas po të njëjtit hulumtim, kjo është e barabartë me humbjen e një fushe e gjysmë futbolli në vlerë pyjore, çdo ditë që nga viti 2000.

Një situatë e tillë është tejet shqetësuese dhe e dhimbshme. Prerjet e paligjshme së bashku me zjarret dhe keq-menaxhimin e pyjeve janë ndër faktorët kryesor që kanë ndikuar në këtë drejtim. 

Mirëpo, më vjen mirë që sot jemi këtu me ftesë të Ministri të Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural z. Peci, i cili po tregon përkushtim që kjo gjendje të ndryshoj rrënjësisht dhe po ashtu që gjendeni në mesin e miqve të pyjeve, duke përçuar një mesazh të qartë rreth rëndësisë së bashkëpunimit dhe bashkërendimit institucional për ruajtjen e pyjeve.

Sepse fundja, nuk mundemi kurrsesi të harrojmë se pyjet janë adresa kryesore për ditët tona të bukura të kaluara në natyrë, janë strehë për kafshët e burim i ushqimit dhe ujit të pastër, na garantojnë ruajtjen e konservimin e biodiversitetit, e po kështu ndihmojnë në kontrollimin e vërshimeve dhe mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe shkatërrimi. Mbi të gjitha, pyjet janë mushkëritë e natyrës sonë – janë burimi kryesor i oksigjenit dhe sekuestruesit kryesor të karbonit. Respektivisht, siç e thash edhe më herët – pyjet janë vet jeta dhe garantuesit e ekzistencës dhe mirëqenies së të gjithë njerëzve në botë.

Është pikërisht kjo arsyeja pse vjet, në Ditën e Tokës, së bashku me Ministrin Peci dhe Ministrin Aliu i kemi bashkuar forcat dhe jemi zotuar për mbjelljen e 1 milion drunjve brenda një viti për të restauruar sadopak dëmet e shkaktuara ndër vite nga shpyllëzimi. Por, mbi të gjitha për, t’i dhuruar natyrës ashtu siç na dhuron ajo neve çdo ditë.

Dua ta përmbyll duke folur edhe për një prej shqetësimeve që kontribuon ditë pas dite në dëmtimin e pyjeve tona. Të flas për nivelin e mbeturinave në pyje. Dua të potencoj që kjo praktikë duhet të ndalohet menjëherë. Nuk mund ta shijojmë natyrën, pyjet dhe bukuritë e të marrim më të mirën e tyre e të lëmë në anën tjetër pas mbeturinat në këmbim. Pamje të hapësirave të ngulfatura nga mbeturina i hasim në çdo ecje e në çdo dalje në natyrë. Kjo është e pafalshme, prandaj apeloj tek individët, por edhe të gjitha institucionet për punë sistematike në këtë drejtim dhe për një vetëdijesim e përgjegjësi të lartë.

Le t’i mbrojmë pyjet, në mënyrë që të mbrojmë vet jetën!

Urime Dita Ndërkombëtare e Pyjeve të gjithëve. Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.