Shumë të nderuar të pranishëm,
I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Konjufca,
I nderuar Kryeministër i vendit z. Kurti,
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues diplomatik, shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar ish-presidentë, ish-kryeministra,
Përfaqësues të institucioneve të sigurisë,
Të nderuar mysafirë nga garda e Iowa-s që na keni nderuar me vizitën tuaj sot,
Të nderuar e shumë të dashur përfaqësues nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci,
Të nderuara media,
Shumë të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Katërmbëdhjetë vite më parë u mblodhën të gjithë qytetarët tanë në sheshet e rrugët e Kosovës për të gëzuar e frymuar ajrin aq të freskët e të ëmbël të pavarësisë. Rreth e përqark botës nuk mund të shihje fytyra më të lumtura, sy më të qeshur, e brohoritje entuziazmi e shprese për shtetin tonë të porsalindur – Republikën e Kosovës: shtet i lirë, i pavarur e sovran.
Në këtë përvjetor, sikurse edhe në çdo vit tjetër e në çdo ditë të punës sonë në kujtesën tonë kapërcejnë aktet e dhimbshme të sakrificës së pashembullt për shtet e për liri, si dhe aktet e qëndresës së pareshtur për ta jetësuar ëndrrën tonë për demokraci, për shtet të pavarur e për liri. Prandaj, edhe sot i kujtojmë prijatarët tanë të shtetësisë e të lirisë, nisur nga presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, i cili e bëri të njohur në botë dhimbjen e madhe të qytetarëve tanë që shtypeshin nën një regjim të tmerrshëm dhe e siguroi respektin e gjithë botës për vendosmërinë e tyre për të jetuar të lirë, në tokën e tyre, si pjesë e botës demokratike, e duke vazhduar deri tek secili dëshmorë e martir i këtij vendi të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari. Përjetë u jemi mirënjohës çlirimtarëve, vizionarëve, të gjithë veprimtarëve e atdhedashësve.
Të nderuar të pranishëm,
Kosova jonë po shndërrohet dita ditës në Kosovën për të cilën kemi ëndërruar dhe kemi punuar shumë brez pa brezi. Çdo gur i vënë deri me tani në themelet tona po merr formën e plotë me punën e përditshme të atyre që i japin kuptim të vërtetë pavarësisë. Po flas për mantelbardhët, po flas për ushtarët, për policët, për zjarrfikësit, për bujqit që punojnë tokat e arat tona, për punëtorët qofshin ata në sektorin publik ose ata në sektorin privat, për vajzat e djemtë tanë, gratë e burrat, pleqtë e plakat, pavarësisht moshës, e mbi të gjitha për fëmijët tanë, për të ardhmen e vendit tonë. Jeni ju, prandaj është Kosova. Jeni ju, prandaj frymon shpresa.
Në këto 365 ditë rrugëtim nga hera e fundit kur u takuam për pritjen shtetërore me rastin e shënimit të ditës së pavarësisë, Kosovës sonë iu shtuan edhe shumë ngjyra krenarie. Flamuri i Kosovës kaq krenar e me shumë dinjitet valvitej në 4 anët e botës. Vendi ynë përjetoi emocione të shumta, qoftë në Lojërat Olimpike, në festivalet filmike më me renome nëpër botë, në skenat më të shndritshme të muzikës, në pistat e skijimit, në garat e matematikës, të shkencës, teknologjisë informative e gjithandej. Përmes zonjës Fahrie Hoti, e grave të Krushës, përmes Yllkës, Blertës, Kaltrinës, Samirit, përmes Duas, e Ritës, Kianës, e Albinit, Majldinës, Distrias, Akilit, Norës, Lorianës, e shumë e shumë të tjerëve, emri Kosovë tingëlloi shumë më ndryshe, tingëlloi shumë më mirë. Emri i Kosovës u bë sinonim i triumfit, sinonim i kampionëve, i suksesit dhe i ekselencës. Të gjithë juve, dhe të gjithë atyre që do të ndjekin shembullin tuaj, ne u jemi mirënjohës përherë. E gjithë Kosova përkulet përpara jush, e u jemi përjetësisht falënderues!
E shumica nga emrat që sapo i përmenda e kanë një të përbashkët: në vitin që lamë pas, triumfuan vajzat dhe gratë tona. Në vitin që lamë pas, na prinë përpara vajzat e gratë tona me sukseset e tyre. Prandaj, me të drejtë, këtë vit simboli ynë i pavarësisë, obelisku NEWBORN, u dedikohet grave e vajzave tona, të cilat përkundër sfidave e vështirësive, vazhduan gjithnjë t’i mbajnë krahët e tyre lartë. Për të gjitha ju që sot gëzoni ditët e lirisë, por edhe për të gjitha që sakrifikuan jetën e tyre për liri, për të gjitha gratë të cilat kërkojnë e meritojnë drejtësi edhe sot 23 vite pas lirisë, për të gjitha nënat që ende nuk dinë për fatin e bijve të tyre, por kurrë nuk dorëzohen – për të gjithë atë që përfaqësoni e për forcën që keni treguar çdo ditë, ne ju përkulemi.
Të dashur qytetarë,
Sfidat, sigurisht, janë të pranishme. Disa janë globale dhe ne nuk u shmangemi dot, e disa të tjera janë të brendshme të cilat po punojmë t’i tejkalojmë së bashku. Por dua t’ju siguroj që për të dyja ne e kemi edhe vullnetin edhe gatishmërinë që të përballemi me to e t’i mbisundojmë. Dhe jam e sigurt, se sikurse ashtu deri me tash, miqtë që na qëndruan pranë në ditë të mira e në ditë të vështira, do të vazhdojnë të jenë në mesin tonë e atyre do t’u rreshtohen përkrah dhe shumë e shumë të tjerë.
Arritjet e derikëtushme na bëjnë krenarë, por na japin edhe motiv shtesë për ta bërë Kosovën vend edhe më të dinjitetshëm të qytetarëve tanë po kaq dinjitarë.
Urime Ditën e Pavarësisë të gjithë qytetarëve të vendit tonë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!