presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit 2022 në sport

I nderuar President i Komitetit Olipmpik, z.Krasniqi,
E nderuar zëvendësministre, Daulina Osmani,
Të nderuar shkëlqësi ambasadorë,
Shumë të dashura sportiste e sportistë,
Të nderuar të pranishëm,

Është nder për mua të jem sonte në këtë ceremoni, në të cilën nderohen lauretatët e vitit.
Secili prej jush këtu sot është një dëshmi e fuqisë së punës së palodhur, vendosmërisë dhe disiplinës.
Ju po e ngritni çdoherë flamurin e Republikës sonë lart e më lart në çdo cep të botës, ndaj u jemi falënderues gjithmonë që po e bëni shtetin tonë të shkëlqejë në shumë diciplina sportive.
Fitoret tuaja nuk kanë të bëjnë vetëm me fitimin e medaljeve apo thyerjen e rekordeve, megjithëse janë padyshim arritje mbresëlënëse. Ato kanë të bëjnë edhe më shkëlqimin e një shteti të tërë.
Por, para se gjithash bëhet fjalë për mishërimin e vlerave të sportit, këmbënguljes dhe respektit për veten e për konkurrentët.
Të jesh një sportist i madh do të thotë gjithashtu të njohësh rolin që luajnë të tjerët në suksesin tonë. Askush prej nesh nuk e arrin madhështinë i vetëm.
Ju keni mbështetjen jo vetëm të trajnerëve, të familjeve, miqve, por mbi të gjitha edhe të ekipeve tuaja e të tifozëve.
Ne u detyrohemi atyre që gjithmonë po përpiqen për përsosmëri dhe po përfaqësojnë sportin tonë me dinjitet dhe me një krenari të madhe.
Laureatëve tanë të sportit, dua t’u them urime për arritjet tuaja të jashtëzakonshme!
Ju na keni frymëzuar të gjithëve me talentin tuaj, përkushtimin dhe angazhimin e palëkundur ndaj sportit dhe ndaj shtetit tonë.
Ju jeni shembull për brezat e ardhshëm, ndaj na keni bërë vazhdimisht krenarë.
Dua t’ju kujtoj gjithashtu se rrugëtimi juaj si sportist nuk ka përfunduar. Do të keni sfida të reja dhe mundësi të reja përpara.
Teksa vazhdoni ta ndiqni pasionin tuaj, ju bëj thirrje që të mos harroni kurrë vlerat që ju kanë sjellur deri këtu.
Vazhdoni rrugën përpara. Mbajeni lart shpirtin garues. Përpiquni për përsosmëri në diciplinat tuaja dhe frymëzoni të tjerët që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Të nderuar sportistë,

Është nder për mua të jem në mesin e vajzave dhe djemve tanë sportistë të suksesshëm, që na sjellin emocione, fitore dhe krenari.
Luftërat e xhudisteve tona në tapet janë prezantimi më i mirë që i bëhet shtetit. Distria dhe xhudistet tjera kampione olimpike janë gladiatore në garë, por janë edhe fytyra e të rinjve e të rejave tona. Janë fytyra e Republikës sonë, janë perspektiva e shtetit tonë.
Faleminderit që e keni bërë vazhdimisht Republikën tonë krenare! Ju lumtë të gjithëve që jeni shndërruar në ambasadorë të Republikës, pavarësisht se cilin sport e përfaqësoni sonte, sepse siç u përmend edhe nga Presidenti i Komitetit Olipmik, sukseset po vijnë pandalshëm në të gjitha sportet nga xhudoja tek futbolli, në basketboll, në hendboll, në boks e në shumë e shumë sporte të tjera.
Por, ju nuk jeni thjesht sportistë, ju në veçanti vajzat që janë sonte këtu me ne e shumë të tjera që nuk marrin pjesë në këtë ceremoni keni thyer barrierat dhe keni hapur rrugën për brezat e vajzave dhe grave që do të vijnë. Ju i keni treguar botës se vajzat janë po aq të afta, e në xhudo edhe më të afta se sa burrat në shumë e shumë sporte dhe se nuk ka asgjë që nuk mund të arrijmë nëse jemi të vendosura e këmbëngulëse.
Angazhimi juaj i palëkundur ndaj sportit tuaj është një dëshmi e vërtetë e pasionit, përkushtimit dhe punës tuaj të palodhur.
Në sportin e xhudos veçmas, Kosova ka bërë histori tashmë. Sot shteti ynë i vogël është shndërruar në konkurrentin kryesor të vendlindjes së xhudos, Japonisë. Kjo falë një emri të përveçëm: ai është Driton Kuka.
I nderuar Driton kryemjeshtër me të drejtë, faleminderit për punën që keni bërë me sportistët tanë që prekën majat e sportit botëror e bashkë me ta në këto maja u ngrit i gjithë shteti dhe populli ynë!
Ju jeni më shumë se trajner, ju jeni emblema e shtetit të Kosovës!

Të nderuar sportistë,

Mos harroni se fitoret më domethënëse nuk janë vetëm ato që vijnë nga fitorja në gara, por edhe ato që vijnë nga zhvillimi i karakterit, i vlerave dhe mentalitetit tuaj.
Faleminderit që na frymëzoni të gjithëve me suksesin tuaj të vazhdueshëm!
Ju na keni treguar se çfarë do të thotë të jeni ju kampion e shteti ynë konkurrent krahas shteteve më të mëdha të botës.
Sa herë që e bëni të mundshme që flamuri ynë të ngrihet mbi flamujt e shteteve të tjera në gara ndërkombëtare, kujtojeni se prapa e keni një popull të tërë që ju do, ju mbështet dhe emocionohet pandalshëm. Thjesht, sepse ju na mësuat se çfarë është krenaria e vërtetë!
Ju përgëzoj edhe një herë dhe ju uroj gjithë të mirat në përpjekjet tuaja të ardhshme!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.