I nderuar Kryeministër, z. Albin Kurti,
Shumë të nderuar mysafir të Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia juaj Kryetar i Departamentit të Shëndetësisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Abdulla Bin Mohamed Bin Butti Al Hamed
E nderuar, ministre e shtetit, Dr. Maitha bint Salem Al Shamsi,
I nderuar, ministër z. Arben Vitia
E nderuar, ish Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,
I nderuar, ish President Pacolli,
Ish-ministra të Shëndetësisë,
Shumë të nderuar përfaqësues të sistemit tonë mjekësor,
Mjek dhe ju të nderuar të pranishëm,
Mirëseardhje në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithë delegacionin nga Emirate e Bashkuara Arabe,
Shkëlqesia juaj, Abdulla Bin Mohamed Bin Butti Al Hamed dua t’u drejtohem edhe njëherë juve dhe delegacionit tuaj, të cilëve së bashku me miqtë tanë, e tashmë edhe me miqtë tuaj, ju uroj mirë se ardhje të përzemërt në Republikën e Kosovës.
Në mars të vitit 2016, në këtë vend, u vendos gurthemeli i këtij spitali, e po këtë ditë, u vulos në formën më simbolike e domethënëse edhe miqësia në mes të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Për këtë, ne u jemi përherë mirënjohës e falënderues!
Por mirënjohjet dhe falënderimet e popullit të Kosovës i gëzoni që në ditën kur ju u rreshtuat pranë vendeve të cilat njohën të drejtën legjitime të popullit tonë për vetëvendosje – të drejtën tonë për të qenë shtet i lirë dhe i pavarur.
Ky veprim i juaji i vitit 2008 u bë akoma edhe më domethënës 8 vite pas kur ju vendoset që vendit tonë t’i dhuroni Spitalin Pediatrik – Kirurgjik, në atë kohë me iniciativën e presidentes sonë, zonjës Jahjaga dhe me përkrahjen e pashoq të gjithë institucioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në atë vit, ju vendoset që Republikës sonë të re t’i jepni krah në këtë fushë të mjekësisë, duke e rreshtuar Kosovën pranë vendeve të cilat do të kenë mundësi të japin shërbimet më të mira dhe të ofrojnë trajtimin më të mirë në këtë fushë e duke ndikuar që shumë familje, si dhe ata që janë në nevojë – të vegjëlit tanë, të ndihen komod e të flejnë rehat – sepse, më në fund ata do të mund të shërohen e mjekohen në vendin e tyre me kualitetin më të lartë.
Ky Spital është padyshim një nga ndërtesat më moderne me shërbimet më të sofistikuara për fëmijë. Me një kapacitet prej 100 shtretërve, Kosova do të jetë më në fund në gjendje të ofrojë mjekim intensiv, shërbime laboratorike e diagnostike, salla operative e shumë e shumë shërbime të tjera moderne e me teknologjinë e fundit.
Kështu, më në fund, adresa për shërim dhe trajtim të fëmijëve tanë, nuk do të jenë vendet e rajonit apo dhe vende më të largëta – adresa për trajtimin dhe shërimin e fëmijëvë tanë do të jetë shtëpia jonë.
Por ky nuk është vetëm një objekt e nuk e shohim dot vetëm si një Spital tjetër.
Përkundrazi, ky është fryti i një pune disa vjeçare, i një dedikimi e përkushtimi human, e që përherë do të mbetet simboli më i veçantë i miqësisë sonë e cila uroj të lulëzojë e të fuqizohet gjithnjë e më shumë.
Do punojmë fort që ky spital, ashtu si edhe Shkëlqesia e saj Sheikha Fatima bin Mubarak, emrin e së cilës e bart ky spital, të jetë sinonim i angazhimit të vazhdueshëm për humanizëm, për mirëqenie të gjithanshme dhe pikë referente për profesionalizëm e dedikim human – ku të gjithë do të ndihen të mirë se ardhur dhe ku më të vegjëlit tanë do mbushen me shpresë, e nga i cili do të dalin me shëndetplotë.
Të nderuar miq nga Emiratet e Bashkuara Arabe,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kur ne filluam punën si institucione të reja, një gjë e kishim të qartë: e ardhmja jonë do të jetë më e mirë vetëm kur ne do të punonim fort dhe do të investonim në zhvillimin e kapitalit tonë njerëzor. E ky angazhim është së pari dhe mbi të gjitha i mundshëm vetëm atëherë kur fëmijët tanë, qytetarët e këtij vendi, gëzojnë shëndet të plotë. Ky spital dhe shërbimet që do të ofrohen në të janë një kontribut i jashtëzakonshëm në përmbushjen e këtij misioni. I gjithë vendi ynë nga sot merr frymë më lirë e sikur një barrë po rëndon më pak, sepse tashmë shërbimet në fushën e pediatrisë e kirurgjisë do të ofrohen në kualitet edhe më të lartë për shkak të këtij spitali.
Por ne jemi të bindur që bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara nuk përfundon më kaq. Në fakt, ky është vetëm fillimi dhe një fillim jashtëzakonisht i bukur. Kur dy aleatë kanë vizion të qartë e të përbashkët, dhe besojnë thelbësisht në vlerat të njëjta të cilat lidhen ngushtë me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, ka dhe do të ketë gjithnjë hapësirë shtesë për bashkëpunim. E ne do të punojmë shumë e intenzivisht që të thellojmë këtë bashkëpunimin në fushën e marrëdhënieve ekonomike dhe promovimin e investimeve të reja, si dhe zhvillimin tutje të raporteve ndërnjerëzore. Uroj që ky spital të jetë investimi i parë në vazhdën e investimeve të shumta në vitet që vijnë, e të jetë ogurmbarë për intensifikimin e bashkëpunimit tonë bilateral.
Faleminderit edhe njëherë nga zemra gjithë aleatëve tanë nga Emiratet e Bashkuara!
Faleminderit të gjithë atyre që lehtësuan dhe ndikuan drejtpërdrejt në realizimin e këtij investimi!
Faleminderit ish Presidentes Jahjaga dhe të gjithë atyre që e mbështetën këtë investim e mbi të gjitha faleminderit Sheik Fatimas e cila bashkëndjeu me të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, me prindërit e tyre, me mjekët, tekniket medicional që patën nevojë më shumë se çdokush tjetër që ta kemi këtë spital.
Faleminderit të gjithë stafit lokal e të gjithë atyre që punuan në ndërtimin e këtij Spitali!
Siç ishit ju aty për të garantuar fillimin e hapave të parë të këtij projekti, ne do të jemi tani këtu që të punojmë fort që Spitali të bëhet adresë referente trajtimit e shërimi jo vetëm në Kosovë, por edhe përtej.
Në fjalët e Shkëlqesisë së saj Sheikha Fatima bin Mubarak citoj: ‘Të rinjtë tanë janë pasuria jonë e vërtetë dhe e përhershme, ata janë shtylla mbi të cilën qëndron rilindja jonë, boshti i zhvillimit tonë, si dhe liderët e së ardhmes.’ Këta janë fëmijët tanë. Të sigurohemi që shëndeti t’u shërbejë në çdo hap të jetës së tyre, e ky Spital do jetë padyshim një kontribues i madh në këtë drejtim.
Ju faleminderit!