Të nderuara familje të dëshmorëve, heronjve tanë!
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra të qeverisë së Kosovës,
Të nderuar Kryetar të Partive Politike në vend,
Të nderuar përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneralë të FSK-së,
Shumë të dashur bashkëatdhetarë që keni ardhë nga vende të ndryshme të evropës, por edhe më larg për të nderuar sot heronjët tanë,
Të nderuar ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarë të Agim Ramadanit, Sali Çekajt e dëshmorëve të tjerë,
Të dashur vëllezër e motra nga Republika e Shqipërisë!
Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal, kryetarë komunash, e shumë të nderuar të pranishëm,
9 prilli është ditë e veçantë në historinë e Republikës së Kosovës: ajo shënon luftën frontale në rajonin e gjerë të brezit kufitar të Koshares, me qëllim të dëbimit të forcave pushtuese serbe nga zona e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me qëllim të çlirimit të vendit tonë.
Kjo ishte ndër betejat më të lavdishme të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më saktësisht nga Grupi i Tretë Operativ, në përbërjen e të cilit gjendeshin Brigadat 131 dhe 134 dhe batalioni Diversant-Vëzhgues, të cilat më vonë u shkrinë në Brigadën 138.
Po më 9 prill, ndërkaq, është miratuar edhe kushtetuta e Republikës sonë, e cila simbolizon cakun për të cilin u flijuan në Kosharen e lavdishme heronjtë e shumtë si: Agim Ramadani, Salih Çekaj, e shumë e shumë dëshmorë të tjerë. Ata iu bashkuan përjetësisë së bashku me heronjët dhe heroinat e pushkës dhe të pendës që u flijuan për lirinë dhe për pavarësinë e vendit tonë.
Prandaj, duke uruar sot edhe për Ditën e Kushtetutës, ne urojmë edhe simbolikën e çlirimit të Kosovës dhe nderojmë betejën e lavdishme të Koshares e luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kushtetuta, akti themeltar i shtetit ndërlidhet kësisoj me betejën për liri, me gjakimin e saj dhe me vendosmërinë të cilën gratë e burrat e Kosovës e shprehën haptas në betejën e Koshares. Sepse, Kushtetutën dhe shtetin i kemi, sepse i kishim heronjët tanë.
Beteja e Koshares tregoi po ashtu se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për të janë më të fuqishme sesa çfarëdo arsenali ushtarak.
Prandaj, sot, ne e përkujtojmë këtë betejë si njërën ndër momentet më krenare të historisë sonë të lavdishme. Kjo betejë dëshmoi se liria nuk ka çmim, por po ashtu se çmimi i lirisë që kemi paguar si popull është jashtëzakonisht i lartë. Por, po kështu tregoi se vendosmëria për ta arritur lirinë dhe po ashtu shpirti i një populli janë të pathyeshme.
Në madhështinë e saj, në rolin e pakapërcyeshëm dhe vendimtar që kjo betejë pati në luftën e UÇK-së për liri, ajo ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive si popull. Pa tepri, sikurse thoshte vet komandanti i batalionit diversant-vëzhgues, z. Quni, ajo i prek kufijtë e legjendave me mënyrën se si është organizuar. Kur heronjtë Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala ranë në betejë, pa kaluar tri ditë, ata u zëvendësuan nga vëllezërit e tyre, Xhevat Fetahaj dhe Xhevdet Shala, duke i përmbushur kështu legjendat mbi ripërtërirjen dhe traditën tonë epike në një betejë të vërtetë.
Kosharja ngjalli shpresën për liri dhe e plotësoi simbolikën e heqjes përfundimtare të barrierave të hekurta në Evropën e shekullit XX. Kosharja ishte vula e lirisë së munguar në tokat shqiptare. Sakrifica e bijve e bijave shqiptare nga të gjitha trojet dëshmoi për papajtueshmërinë, por po ashtu gatishmërinë e shqiptarëve për t’i luftuar padrejtësitë që u ishin bërë atyre përgjatë shumë shekujve.
Thyerja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Ndërkohë, ajo e rriti shpresën e mijëra të dëbuarve nga vendi se vija e hekurt ishte thyer dhe kthimi në tokën e të parëve ishte jo vetëm i mundur, por edhe i pashmangshëm.
Por, Kosharja poashtu dëshmoi edhe aleancën tonë të hershme me perëndimin e me vendet demokratike anëekënd botës, perëndimi i cili u gjet pranë përpjekjeve tona për liri në një moment të vështirë historie, kur populli shqiptar po përballej me gjenocidin e ushtruar ndaj tyre nga një regjim vrasës, gjykimi i të cilit ende nuk është i plotë dhe drejtësia ndaj viktimave ende nuk është vënë në vend. Bashkërendimi me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës ishte hap i parë i përbashkët në realizimin e ëndrrës sonë për përkatësi e pjesëmarrje të përbashkët në veprimet ushtarake me NATO-n, të cilën Forca e Sigurisë së Kosovës po e jetëson dita-ditës.
Vizioni euroatlantik i Presidentit Rugova dhe sakrifica e bijve e bijave të UÇK-së po jetësohen në Kosovën e lirë, institucionet e së cilës po punojnë që vendi të konsolidohet fuqishëm në bashkësinë e vlerave perëndimore. Ky përcaktim yni strategjik dhe ky vizion yni do të ishte i pamundur pa sakrificën e mijëra bijve e bijave tona, prandaj kujtimi për ta do të jetë i përhershëm. Ai do të përtërihet jo vetëm në përvjetorë sikur ky sot, por në të gjithë ecjen tonë.
Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, sakrificës së Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut e mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themelet e lirisë dhe të shtetësisë sonë. Kujdesi institucional për të dëshmuar është i domosdoshëm. Po kështu, edhe kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, për veteranët dhe për të gjithë ata që dhanë gjithçka për shtetin tonë.
Kujtesa historike për Kosharen, për sakrificën dhe trimërinë e treguar aty, është domosdoshmëri në ndërtimin e një shteti ashtu siç e deshën heronjët tanë.
Kosharja do të mbesë përherë drita jonë udhërrëfyese në çdo hap përpara drejt forcimit të shtetit tonë të dashur.
Lavdi veprës heroike të luftëtarëve të Koshares!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
I përjetshëm kujtimi për heronjtë tanë!
Faleminderit!