presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

1 vit si Presidente e juaja. Do të vazhdojmë të rrugëtojmë bashkë në secilin hap

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!

Sot bëhet një vit që kur kam marrë detyrën si Presidente e Republikës së Kosovës si rezultat i besimit tuaj historik dhe vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë.

Viti i kaluar po aq sa ka qenë i veçantë, po kaq është karakterizuar nga shumë  sfida lokale e globale. Pandemia dhe efektet e saj, kriza energjetike, e deri tek zhvillimet e fundit të sigurisë në kontinentin evropian, na kanë dëshmuar se në sfida të përmasave të tilla, vetëm bashkëpunimi, besimi dhe komunikimi na mundësojnë të vazhdojmë përpara. 

Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e  komunitetit ndërkombëtar. Si udhëheqëse e politikës së jashtme kam punuar ditë pas dite për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe me krenari në çdo cep të botës. Në këtë rrugëtim, fokusi ynë kryesor ka qenë përmbushja e synimeve tona shtetërore të përqendruara në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve të mira me shtete mike anë e mbanë botës. E me po kaq zell jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe tek vendet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë.

Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës kam punuar me përkushtim për të forcuar më tej interesin dhe sigurinë kombëtare të Republikës tonë. Duke punuar ngushtë me institucionet tona të sigurisë dhe partnerët tanë ndërkombëtar, jam përqendruar që Kosova të lëvizë përpara si partnere e besueshme që i shërben paqes globale. Po punojmë vazhdimisht drejt avancimit të rrugës sonë drejt integrimin euro-atlantik – që është aspiratë e qartë e popullit tonë për të ardhmen.

Ju kam premtuar një udhëheqje të përgjegjshme dhe të ndershme, dhe këto kanë qenë udhërrëfyesit në punën time çdo ditë.

Siç e dini, shteti i së drejtës është përkushtim i imi i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kam punuar secilën herë kur kam marr një vendim, secilën herë që e kam bërë një emërim, dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin. Sepse, jam e bindur se barazia para ligjit, meritokracia, integriteti dhe profesionalizmi përfaqësojnë shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës, të një vendi të zhvilluar, dhe të një demokracie të konsoliduar.

Përveç forcimit të pozitës sonë ndërkombëtare dhe forcimit të shtetit të së drejtës, këtë vit jam angazhuar për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim me ju në tri çështje të rëndësishme: fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimi dhe adresimi i sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevoja të veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë si rezultat i shkatërrimit të ambientit.

E them gjithnjë se sukseset e Kosovës nuk i përkasin një individi. Sukseset tona si shtet janë suksese të përbashkëta. E këtu, një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe mërgata jonë. Si një vend i vogël, por ambicioz, besoj fuqishëm se ne mund të arrijmë akoma më shumë se sa që kemi arritur deri më tani. Andaj, pres me padurim që së bashku me ju të punojmë drejt arritjes së sukseseve të reja.

Është detyrim yni i përbashkët që të punojmë për vendin tonë dhe të sigurohemi që të kapitalizojmë potencialin e rinisë sonë, të sportistëve tanë, e artistëve tanë, të vajzave e të djemve tanë të cilët po dëshmojnë çdo ditë e më shumë se ambiciet e një vendi nuk njohin kufij.

Gjersa reflektojmë rreth asaj se çfarë kemi lënë pas, shikimin e kemi gjithnjë përpara.

Për katër vitet e ardhshme do të vazhdoj të punoj:për të udhëhequr politikën tonë të jashtme dhe për të dëshmuar në botë se Kosova është më shumë se sa dinamikat e përditshme politike, por është një vend paqedashës e me demokraci dinamike; për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në Kosovë dhe funksionimin kushtetues institucioneve;për të promovuar Kosovën si vend të gatshëm dhe të duhur për investimet e huaja, me diversitet në potencialin ekonomik; për të garantuar e promovuar një shoqëri të barabartë ku nuk tolerohet diskriminimi; për të promovuar meritokracinë dhe integritetin; për t’i treguar të rinjve se e ardhmja është këtu;

Sepse kjo është Kosova e së ardhmes.

Sepse kjo është Kosova e të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.