DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes në konferencën ndërkombëtare në Tiranë me temën “Trendet aktuale të trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor”

I nderuar President Meta,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
 
Mirë se ju gjej në Tiranë!
 
President Meta, ju faleminderit për ftesën e sidomos për faktin që përmes këtij forumi po siguroheni që kolektivisht të mbajmë në qendër të vëmendjes një problem që shqetëson, dëmton dhe i njollos shoqëritë, institucionet dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në rajon e në nivel global ndër vite.
 
Trafikimi me qenie njerëzore përbën jo vetëm një krim të rëndë dhe shkelje serioze të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut – trafikimi me qenie njerëzore është njollë e vazhdueshme e thelbësisht shqetësuese e shoqërive tona. Andaj, e mirëpres dhe e përshëndes këtë nismë tuajën, e cila ka për qëllim bashkërendimin e përpjekjeve tona në drejtim të luftimit dhe adresimit të burimeve dhe efekteve të këtij fenomeni në Ballkanin Perëndimor.
 
Parametrat ekonomik, siguria e brishtë, tendencat destabilizuese e paqëndrueshmëria sociale, si dhe sfidat në sundimin e ligjit krijojnë hapësirë të volitshme për zhvillimin e trafikimit me qenie njerëzore në rajonin tonë. Rrjetet kriminale shfrytëzojnë mungesën e rendit dhe çdo zbrastësirë në bashkëpunimin e ndërveprimin tonë ligjor e institucional për të zhvilluar e rritur aktivitetin e tyre. 
 
Problemi me trafikimin me qenie njerëzore qëndron tek fakti se ende për pjesën më të madhe të shoqërisë konsiderohet si një fenomen i largët e që i prek vetëm grupe të caktuara të shoqërisë. Përderisa është e vërtetë që viktimat më të shpeshta të trafikimit janë fëmijët, vajzat e gratë dhe shtresat e pambrojtura të shoqërisë, trafikimi me njerëz nuk njeh racë, gjini, moshë apo kufi. 
 
Trafikantët mund ta kryejnë këtë krim në çdo sektor e mjedis, qoftë të ligjshëm apo të paligjshëm, duke përfshirë punën në fabrika e restorante, hotele e deri në miniera e shtëpitë private. Ajo që është e qartë është se biznese të panumërta të lidhura ngushtë me rrjetet e trafikantëve përfitojnë nga mjerimi, mungesa e perspektivës ekonomike dhe pabarazitë sociale me të cilat ballafaqohen viktimat e trafikimit. Trafikantët pasurohen vazhdimisht në kurriz të atyre që kanë ngel peng të varfërisë.
 

Në dritën e zhvillimeve të fundit në Evropë të ndërlidhura me luftën në Ukrainë, kontinenti ynë po ekspozohet gjithnjë e më shumë ndaj situatave kur gratë dhe fëmijët që ikin nga zonat e luftës në Ukrainë mbeten të pambrojtur në vende të huaja. Sipas vlerësimeve fillestare, raportohet se trafikimi i paligjshëm seksual i grave dhe fëmijëve në Ukrainë dhe përreth është rritur dukshëm.
 
Është e dhimbshme të shohësh se si miliona gra dhe fëmijë lëshojnë shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë në vende të huaja dhe disa prej tyre përfundojnë duke lëvizur nga tragjedia e luftës në tragjedinë e trafikimit. 
 
Përderisa format e trafikimit mund të jenë të qarta, siç është rasti i shfrytëzimit seksual, përfshirë prostitucionin, skllavërinë, punët e shtëpisë, heqjen e lirisë me dhunë dhe praktika që lidhen me to, trafikimi mund të jetë shpesh i kamufluar prapa veprave të tjera kriminale. Respektivisht, shpesh, viktimat shfrytëzohen në mënyra të ndryshme e në veprimtari të tjera të paligjshme, mirëpo këto raste të trafikimit të qenieve njerëzore më pastaj nuk hetohen e nuk regjistrohen si të tilla. 
 
Prezenca e sistemeve të ndryshme e me raste jokonsistente për identifikimin e rasteve të trafikimit në rajon, mospërputhja e përkufizimeve dhe kufizimet institucionale, por edhe mbështetja pothuajse ekskluzive në polici dhe përjashtimi i inspektorëve të punës në procese të identifikimit të rasteve, ndikojnë drejtpërdrejt e negativisht në identifikimin e suksesshëm të rasteve të trafikimit. Adresimi i këtyre çështjeve duhet të jetë fokusi i bashkëpunimit tonë dhe koordinimit të vazhdueshëm.
 
Rreth 27 milionë njerëz – gra, burra dhe fëmijë – trafikohen në vit anë e mbanë botës. Gratë dhe vajzat kanë qenë në vazhdimësi viktimat kryesore të trafikimit që prej 2008, kur edhe filloi mbledhja e të dhënave për trafikimin e qenieve njerëzore nga ana e Bashkimit Evropian. Pothuajse tri të katërtat e të gjitha viktimave në BE, janë gra dhe vajza, e të cilat kryesisht trafikohen me qëllim të shfrytëzimit seksual. 
 
Fëmijët po ashtu vazhdojnë të përbëjnë një numër të konsiderueshëm të viktimave në BE e pjesa me madhe e tyre janë vajza të trafikuara për shfrytëzim seksual.
 
Në Kosovë, në më shumë se 60% të rasteve të trafikimit viktimat janë nën moshën 18 vjeçare. Ndërsa, janë pikërisht gratë dhe vajzat që janë viktimat kryesore të këtij krimi. Por, si në Kosovë e po ashtu në rajon, statistikat vazhdojnë të jenë të mangëta.

Këto statistika flasin njëzëri: fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është parakushti kryesor për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
 
Në Raportin e Trafikimit me Njerëz 2021 për Kosovën të Departamenti Amerikan të Shtetit, Kosova rangohet në Nivelin e Dytë (Tier 2). Kemi dëshmi të veprimit të shtuar në drejtim të miratimit të procedurave të reja standarde operative dhe përmirësimit të punës së prokurorive themelore, por edhe në drejtim të rritjes së burimeve për mbrojtjen e viktimave, duke përfshirë fondet për strehimoret kundër trafikimit të drejtuara nga OJQ-të dhe ato shtetërore. 
 
Përpjekjet tona në vazhdimësi përfshijnë edhe ndërmarrjen e hapave konkret drejt parandalimit të këtij fenomeni. Kjo, ndër të tjera, përmes themelimit të autoriteteve shtetërore të cilat kanë për mandat pikërisht parandalimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve kundër këtyre krimeve. Kosova tashmë ka hartuar strategjinë e re kundër trafikimit me qenie njerëzore, e cila pritet të aprovohet së shpejti. Po ashtu, e kemi themeluar Autoritetin Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, si dhe Komisionin për kompensimin e viktimave.
 
Megjithatë, dënimet e pakta për trafikantë dhe shqiptimet e dënimeve të pamjaftueshme për trafikantët e dënuar nga ana e gjyqtarëve dëshmojnë se kemi ende punë për të bërë.
 
Ajo që e bën situatën akoma më shqetësuese është fakti se rrjetet e trafikimit po tregojnë gjithmonë e më shumë nivele më të larta të profesionalizmit dhe të ekspertizës si dhe të sofistikimit të mjeteve e metodave. Në këtë drejtim bie në sy keqpërdorimi i teknologjisë së informacionit nga ana e kriminelëve për rekrutimin dhe shfrytëzimin e viktimave të trafikimit.
 
Të përballur me një realitet të tillë, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare si INTERPOL-i bëhet një çështje e rëndësisë së veçantë. Do të duhej të ishte e qartë për të gjithë, për vendet që na njohin dhe ato që ende nuk e kanë marrë këtë vendim, se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk është vetëm një ambicie politike. Ai është parakusht për suksesin tonë shoqëror e institucional në drejtim të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore dhe në përgjithësi të luftimit të krimit ndërkombëtar. Anëtarësimi ynë do të vuloste përpjekjet kolektive për luftim të krimit të organizuar dhe rrjeteve të trafikantëve në Ballkanin Perëndimor.

Nga i njëjti prizëm duhet të shihet edhe anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës. Renditja jonë përkrah vendeve anëtare të kësaj organizate do të fuqizonte përpjekjet tona në drejtim të avancimit të masave dhe procedurave të veçanta në kontekstin e identifikimit të viktimave dhe ofrimin e ndihmës për viktimat në përputhje me nevojat e tyre të veçanta.

Andaj, synimi ynë për anëtarësim në këto organizata është mbi të gjitha i lidhur ngushtë me përpjekjet tona serioze për të luftuar krimin e organizuar, për të garantuar të drejtat e njeriut, dhe për të dëshmuar veten si një partner i besueshëm në adresimin e sfidave të cilat i kemi të përbashkëta e të cilat na dëmtojnë e na lëndojnë pafundësisht. T’i thuash JO Kosovës në INTERPOL, e në Këshill të Evropës, do të thotë t’i thuash JO luftimit të krimit e trafikimit, si dhe garantimit të të drejtave të njeriut.
 
Sot, në këtë forum, kemi mundësinë të rishohim realitetet që na rrethojnë dhe të kuptojmë se në përpjekjet tona për të luftuar këto fenomene të rrezikshme, bashkëpunimi dhe standardizimi i protokolleve të parandalimit, mbrojtjes dhe ndjekjes penale janë mënyra më efektive e bashkëpunimit drejt garantimit të një të ardhme të zhveshur nga kthetrat e trafikimit me qenie njerëzore. 
 
Duhet ta kemi të qartë se fitorja jonë në luftën me trafikimin me qenie njerëzore është ngushtë e ndërlidhur me investimin tonë në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Shumë raste të trafikimit të qenieve njerëzore fillojnë me një individ që kërkon punë të denjë e jetë më të mirë. Nëse vërtetë prioritizojmë krijimin e mundësive ekonomike, luftimin e pabarazive dhe promovimin e shoqërive paqësore e gjithëpërfshirës, ne do të kontribuonim drejtpërdrejt në luftimin e parametrave që i vendosin njerëzit në rrezik nga trafikimi në radhë të parë.
 
“Të drejtat e njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria. Ato janë të drejta të çdo njeriu me anë të virtytit të njerëzimit të tij”, thoshte Gonxhja jonë, Nëna Terezë e mbarë botës. Mbrojtja e të drejtave të njeriut është matësi më real i suksesit të demokracive. Ne kemi përgjegjësi morale e kolektive të luftojmë trafikimin me qenie njerëzore e të ofrojmë mbështetjen e mbrojtjen adekuate për viktimat. 
 
Trafikimi me qenie njerëzore nuk është vetëm një fenomen që duhet trajtuar nga prizmi ligjor e institucional. Trafikimi do të thotë një mundësi e humbur për zhvillim personal e avancim, një jetë larg bankave shkollore apo familjarëve e më të dashurve – do të thotë vuajtje, dhimbje, e dëshpërim. Ne duhet ti shkatërrojmë zinxhirët e këtij krimi përpara se ato ta shkatërrojnë fatin e më shumë njerëzve.
 
Andaj, në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore duhet të jemi të zëshëm, të vendosur, por mbi të gjitha, duhet të bashkëpunojmë, koordinohemi e të jemi të pakompromis. Ky forum na krijon hapësirë shtesë për veprim, andaj besoj në angazhimin përmbajtësor të të gjithëve dhe identifikimin e hapave konkret për veprim. 

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.